Ish-kryeprokurori i posaçëm i Malit të Zi Milivoje Katniç dhe ish-zyrtari i lartë i policisë malazeze, Zoran Lazoviç u arrestuan të dielën me urdhër të Prokurorisë së Posaçme të Malit të Zi, ka njoftuar zëdhënësi i Prokurorisë.
“Katniç dhe Lazoviç janë privuar nga liria për shkak të dyshimit se kanë kryer vepra penale të krijimit të organizatës kriminale dhe shpërdorim të detyrës zyrtare”, tha zëdhënësi i Prokurorisë së Posaçme, Vukash Radonjiç.
Radonjiç ka deklaruar se arrestimi i ish-shefit të Prokurorisë së Posaçme dhe ish-ndihmës drejtorit të policisë është bazuar në bashkëpunimin e prokurorisë me EUROPOL-in, Agjencinë e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit.
Milivoje Katniç ishte kryeprokuror posaçëm që nga viti 2015 dhe në atë post ka ardhur nga pozita e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit. Ai u shkarkua në fillim të vitit 2022, një vit e gjysmë pas ndryshimit të qeverisë në Mal të Zi, kur Partia Demokratike e Socialistëve e ish presidentit malazez, Milo Gjukanoviç, kaloi në opozitë pas tridhjetë vitesh qeverisje.
Autoritetet e reja e akuzuan Katniçin për persekutimin e opozitës dhe mbrojtjen e zyrtarëve më të lartë të DPS-së, përfshirë ish presidentin Gjukanoviç.