Berisha: E premtja, dita për të përzënë për zverku një hajdut të shpërfytyruar!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalimin e mbajtur mbrëmjen e djeshme në ditën e 104-t në tubimin qytetar poshtë banesës së tij ka akuzuar kryebashkiakun Erion Veliaj, se e ka kthyer Tiranën si kryeqyteti i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë. Berisha u shpreh se, Erion Veliaj është kryetari i autoritetit kontraktor i cili ngriti modelin e vjedhjes 100% të prokurimeve.

Berisha gjatë fjalës së mbajtur akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka shkelur marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, pjesë e rrugëtimit për integrimin e Shqipërisë në BE.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi se në gjendjen që gjendet Shqipëria si pasojë e vjedhjeve dhe skandaleve të qeverisë socialiste, shpresa e vetme sot vend është Partia Demokratike.

Berisha garantoi shqiptarët, se zemërimi qytetar, revolta qytetare, mosbindja qeveritare janë armët e demokratëve në betejën e fitores.

Berisha u ndal te zhvillimi i sotëm në Malin e Zi, ku prokurori special u arrestua si pjesë e një grupi kriminal. Duke bërë një paralelizëm me Shqipërinë, Berisha tha se, Dumani i Tiranës e meriton me kohë të jetë në burg, sepse fle mbi dosjet monstruoze të krimit elektoral.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta.

Nderimin tim më të madh, përulem me shumë respekt dhe nderim, para vendosmërisë tuaj, guximit dhe sakrificës tuaj.

Rruga e Shpresës është rruga e drejtë, rruga drejt fitores, është rruga drejt shpëtimit, drejt dinjitetit. Është rruga juaj, është rruga që krijuat në kushte dhe rrethanat më të vështira.

Të dashur miq!

Sot qytetarët e Tiranës dhe qytetarët shqiptarë, janë qytetarët më të vjedhur, janë qytetarët më të gjobitur, të Europës, por me zbulimet e fundit, të modelit të vjedhjes 100% të prokurimeve, këta janë qytetarët më të vjedhur në botë.

Ju shifni reagimin e narkoshtetit në mbrojtje të Erion Velisë, i cili është kryetari i autoritetit kontraktor ndër të cilin janë vjedhur 100%, prokurimet.

Nuk ka vend në botë, përveç se Tirana, kryeqyteti i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, që një zyrtar i tillë nuk do të jepte menjëherë dorëheqjen. Kurse ai kërkon të krijojë çdo sherr për të mbajtur karrigen e tij të krimit.

Po a ka qytetar më të vjedhur dhe më të gjobitur, se ai qytetar, taksat që ai paguan vidhen me modelin 100%?

A nuk është ky një motiv i revoltës, i zemërimit të pakufishëm të qytetarëve të Tiranës?

Qytetarët shqiptarë janë qytetarët më të vjedhur, janë qytetarët më të gjobitur, sepse punët publike që ndërtohen në këtë vend, ndërtohen me një çmim 5 herë, 10, 15 herë më të shtrenjtë se në çdo vend tjetër evropian.

Ju keni dëgjuar se si, rruga Ibë-Farkë kushtoi 30 milionë euro kilometri, ndërkohë që tuneli i Kërrabës që u ndërtua më parë kushtoi 13-14 milionë euro kilometri. Ju keni dëgjuar se unaza e Tiranës shkon 24 milionë euro kilometri.

Ju keni dëgjuar se si, çmimi i rrugës Kardhiq-Delvinë nga 700 mijë euro që ishte në kilometrat që u ndërtuan para vitit 2013, kaloi në 5 milionë euro në kilometrat që u ndërtuan pas vitit 2013. Ju keni dëgjuar se si rruga Ersekë-Korçë nga 800 mijë euro kilometri, në 18 kilometrat e para që u ndërtuan para vitit 2013, kaloi në 5 milionë euro pas vitit 2013.

Miqtë e mi!

Për të gjobitur qytetarët shqiptarë dhe për t’i vjedhur në këtë mënyrë, ata këto mostra të pangopur, çfarë bënë? Kanë dy taktika. Së pari përjashtuan totalisht ndërtuesit e mëdhenj të rrugëve në Europë.

Ne me firmat më të mëdha Europiane, nga Hani i Hotit në Gjirokastër dhe kudo, ndërtuam rrugët me çmime 5-8 herë më lirë me firmat më të mira evropiane.

Shikoni se çfarë bëjnë hajdutët tuaj dhe të shqiptarëve, qeveritarët hajdutë.

Kanë krijuar rregulla të cilat me të famshëm e-Albania, i përjashtojnë të huajt nga pjesëmarrja. Shpallin tenderin për 30 ditë ndërkohë që afati për të përkthyer dokumentet për kompanitë e huaja nga momenti i shpalljes së tenderit në e-Albania, është 38 ditë. Prandaj dhe rrugët shemben, qytetarët vidhen. Prandaj dhe nuk ka rrugë të përfunduara.

Por si mund të bësh këtë, si mund të pengosh kompanitë që ndërtuan Europën të ndërtojnë në vendin tënd?

A është kjo një shkelje flagrante e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, dhe pse? Për të vjedhur, për të vjedhur.

Të dashur miq!

Vjedhjet dhe gjobat ndaj qytetarëve shqiptarë janë më të mëdhatë në Europë dhe botë. Ndaj dhe fondet publike ose vidhen 100% si në Bashkinë e Tiranës, ose vidhen 100% si në djegësin e Tiranës, ose vidhen 80 për qind të tyre në të gjitha punët publike të Shqipërisë.

A do të qëndrojmë ne njerëzit më të vjedhur?

A do të qëndrojmë ne njerëzit më të gjobitur?

Jo kurrë, jo kurrë!

Sot shpresa e vetme jemi ne!

Zemërimi qytetar, revolta qytetarë, mosbindja qeveritare janë armët tona në betejën e fitores.

Mos harroni miq!

E theksoj edhe njëherë se në Shqipëri narkodrejtësia po zbaton pikë për pikë, modelin e narkodrejtësisë së Kolumbisë. Në Kolumbi, që sot Shqipëria rëndom quhet Kolumbi e Europës, arrestoheshin ushtarë, operativë të trafiqeve, por nuk prekej kurrë Escobari, nuk prekej kurrë kupola e kartelit. E njëjta gjë ndodh edhe në Shqipëri.

Fajin nuk e ka Edi Rama që nxit vjedhjen, që mbush baulet me paratë e vjedhura. Fajin e kanë ata që Edi Rama i rekruton  si bashkëvjedhës dhe i flak. Dëshpëruese është situata, ndaj dhe vetëm zemërimi juaj është shpresa, zgjidhja, fitorja.

Sot Mali i Zi arrestoi Dumanin e tij, prokurorin special, sepse e gjeti njëlloj si Dumanin e Tiranës.

Miqtë e mi!

Dumani i Tiranës është një nga kriminelët më të shpifur në historinë e shtetit shqiptar, sepse ai është bërë mburojë e atyre që vendosën modelin e vjedhjeve 100%. Dumani i Tiranës është bërë mburojë i atij që firmosi për firmën e tij 8 për qind, një vit para se ajo të krijohej.

Dumani i Tiranës meriton me kohë të ishte në burg sepse fle mbi dosjet monstruoze të krimit elektoral. Dumani është garanti kryesor i krimit monstruoz elektoral të qeveritarëve. Dumani që qëndron në karrige në mënyrë anti-kushtetuese, në vitin 2016 kishte të deklaruar 3 apartamente. Ndaj dhe njëherë i them atij gazetari që duhet të skuqesh nga shqiptarët, që u fshihje edhe ato që kishte deklaruar vetë Dumani.

Pra, kur drejtësia qëndron në anën e krimit, kur drejtësia bëhet mburojë e krimit qeveritar, çfarë pritet më? Pritet vetëm zemërimi popullor, zemërimi qytetar, zemërimi opozitar, fjala e opozitës.

Ftoj shqiptarët të marrin në dorë fatin e tyre.

Kur qeveria të vjedh dhe gjobit nga mëngjesi në darkë, kur drejtësia shndërrohet në mburojë të shpifur të saj, çfarë mbetet për çdo qytetarët të ndershëm? Mbetet vetëm vendimi, vetëm guximi për të marrë në dorë fatin e tij.

E premtja po afron, e premtja është dita e kryeqytetit, dita e ngritjes si vigan e qytetarëve të Tiranës për të përzënë për zverku, një qenie që nuk meriton kurrë të quhet njeri.

Për të përzënë për zverku një hajdut të shpërfytyruar që u thotë qytetarëve se kam mbjellur 1 milionë pemë, mbasi ka vjedhur pagesën e 1 milionë fidanëve.

Që u thotë qytetarëve se qyteti po pastrohet, paçka se nuk digjet asnjë kilogram mbetje dhe qytetarët kanë paguar për djegësin 130 mln euro.

Fjala juaj, vendimi juaj, veprimi juaj mosbindja juaj civile janë kryefjala e ditës, janë shpëtimi i Tiranës, janë shpëtimi i Shqipërisë.

Rrofshi ju, rroftë Tirana!

Fitore, fitore, fitore!

Fitorja nga pret.

Fitore, fitore, fitore!

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …