Agjentët britanikë bllokojnë makinën me para që do pastroheshin në Shqipëri

4 anëtarë të dyshuar të një grupi të organizuar kriminal, të specializuar në trafikun e parave që burojnë nga aktiviteti kriminal nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë u arrestuan pas një hetimi të Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit (NCA).

Të dyshuarit u arrestuan më datë 13 prill pas një serie bastisjesh të koordinuara që nisën me arrestimin e një 48-vjeçari shqiptar në Dover. Rreth 200 mijë paund kesh u sekuestrua nga makina që dyshohet se ishte nisur për në Shqipëri.

Sipas njoftimit të NCA, 2 persona të tjerë të moshës 34 dhe 22 vjeç, ashtu sikurse edhe një 17-vjeçar u arrestuan në adresa të ndryshme në Tottenham Hale dhe Londër. Rreth 150 mijë paund të tjera, po kesh, u sekuestruan në një tjetër makinë.

NCA së bashku me Forcat Kufitare po e hetonin grupin prej 2 vitesh. Oficerët besojnë se grupi i organizuar kriminal, operon nën petkun e një kompanie transporti të ligjshme, por është e specializuar në transferimin e parave tek një grup tjetër kriminal që merret me transportimin e parave kriminale në Shqipëri.

Hetimi nisi në Shkurt të 2022-t, pasi Forcat Kufitare ndaluan 48-vjeçarin në pikën e kontrollit, në dalje të tunelit të Kanalit Britanik në Folkestone, Kent.

Në atë rast, brenda furgonit të tij Mercedes Sprinter, që ishte nisur drejt Tiranës, oficerët gjetën një total prej 390 mijë paundësh të paketuara në mënyra të ndryshme dhe të mbështjella me letër alumin. Oficerët britanikë ushtruan kontroll në shtëpinë e të dyshuarit në Haringey të Londrës ku zbuluan një edhe 150 mijë paundë të tjera kesh.

34-vjeçari ishte arrestuar më herët në Shtator të 2022-t, kur oficerët zbuluan rreth 20 mijë paund në makinën e tij. Në gusht të 2023-t, u sekuestruan rreth 44 mijë paund të tjera, që besohej se do të transportoheshin nga grupi.

Të dy personat në fjalë mbetën nën hetim derisa u arrestuan sërish të shtunën. Aktualisht janë lënë në liri me kusht. Edhe dy të tjerët, 22-vjeçari dhe 17-vjeçari u lanë të lirë, ndërkohë që hetimet vijojnë./tvklan.al

About Krye Redaktor

Check Also

Begaj dhe Balla sajojnë vizita shtetërore në Gjermani, dy bileta për Hamburg

Golat e kombëtares këtë europian në Gjermani janë nga ato ngjarje që kur të kujtohen …