Thirrja e drejtuesit të Ambasadës së SHBA: Njerëzit duhet të ngrihen kundër keqqeverisjes dhe korrupsionit

Zëri i Amerikës:  Zoti Wisner, drejtësia duket se mbetet një prioritet për diplomacinë amerikane në Tiranë. 8 vjet pas nisjes së reformës së këtij sistemi, vlerësimet janë nga më të ndryshmet e ka mes tyre dhe ide se do të ishte e nevojshme që të bëhet një analizë e asaj çfarë është bërë dhe çfarë nuk ka ecur siç duhet. A do të ishte gjëja e duhur?

Wisner: Gjithmonë kemi thënë se reforma në drejtësi, ndërtimi i institucioneve të pavarura në këtë vend, nuk do të ishte asnjëherë e shpejtë, e lehtë, apo e përsosur. Dhe mendoj që kjo vazhdon të jetë e vërtetë sot. Por mendoj edhe që shqiptarët duhet të ndihen me të drejtë krenarë për faktin që institucionet e pavarura të drejtësisë sot kanë ndërmarrë veprime kundër politikanëve të lartë të dyshuar për korrupsion, kanë ndërmarrë veprime kundër figurave të krimit të organizuar. Ky lloj përparimi nuk është pak dhe është me rëndësi kyçe që të vazhdojë angazhimi i të gjithë shoqërisë shqiptare për t’i luftuar ato sepse këtë duan vërtet shqiptarët. Dhe ne jemi shumë krenarë që qëndrojmë në krah të shqiptarëve teksa ndërtojnë një të ardhme më të mirë.

Zëri i Amerikës: Raporti i fundit i Freedom House ngre shqetësimin se “përpjekjet e shtuara të SPAK-ut për të hetuar korrupsionin dhe krimin e organizuar të nivelit të lartë, kanë nxitur sulme ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të tij nga të gjitha partitë politike, të cilat vazhdojnë të mos distancohen nga zyrtarët e akuzuar mes radhëve të tyre”. Si e vlerësoni një konstatim të tillë? Këto ditë kemi parë, për shembull, sulme të ashpra publike ndaj Z. Dumani nga ish-Presidenti Ilir Meta.

Wisner: Nëse kam parë një gjë në tetë muajt e kaluar, qoftë në veri të Shqipërisë, në jug të Shqipërisë, lindje, perëndim, ajo që vërtet i bashkon shqiptarët është se duan të shohin drejtësi. Duan të shohin nëpunës publikë që janë të përkushtuar ndaj asaj që duan shqiptarët dhe jo ndaj interesave private të veta. Kjo është boll e qartë për këdo, për shqiptarët e të gjitha krahëve, dhe mendoj se do të jetë shumë e rëndësishme që të gjithë zyrtarët publikë të Shqipërisë ta mbajnë mirë parasysh këtë.

Është shqetësuese të shohësh ato lloj sulmesh që kemi parë. Nuk kanë vend këtu dhe, ç’është më e rëndësishme, shqiptarët nuk duan këtë. Shqiptarët duan që udhëheqësit e tyre publikë të punojnë për interesat e tyre për ta bërë të nesërmen më të mirë. Dhe mund t’ju them që pikërisht këtë synon të bëjë ambasada e SHBA dhe Qeveria e SHBA përkrah tyre.

Zëri i Amerikës:  Zoti Wisner, korrupsioni mbetet një problem madhor në Shqipëri. Një deklaratë e kreut të Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, nxori në pah një fakt shqetësues sipas tij, që vitin e kaluar, institucionet publike kishin bërë vetëm 12 referime për raste korrupsioni. Një problematikë të tillë e ngre dhe Prokuroria e Përgjithshme. A nuk ngre kjo pikëpyetje serioze për angazhimin e institucioneve kundër korrupsionit?

Wisner: Kam menduar shumë se pse Z. Dumani e tha këtë, pse Prokurori i  Përgjithshëm tha diçka të ngjashme. Është një sfidë e vërtetë dhe mendoj se një shqetësim është që shumë njerëz nuk ndjejnë se mund të ngrihen dhe të ngrenë zërin për atë që duan kur shohin keqqeverisje apo korrupsion apo shkelje nga çdo krah, por mendoj se ajo që është vërtet e rëndësishme është që të vazhdojmë të këmbëngulim për t’i bërë gjërat në mënyrën e duhur, për t’i ndërtuar këto institucione, për t’u afruar me aspiratat e popullit shqiptar. Dhe ne jemi shumë të emocionuar të vazhdojmë në këtë rrugë.

Zëri i Amerikës:  Zoti Wisner, si asnjëherë me parë, një forcë politikë drejton vendin prej tre mandatesh, ka kontrollin e pjesës dërrmuese të bashkive të vendit. Nga ana tjetër prej dy vitesh kemi një opozitë të copëzuar. A është një situatë e tillë, e shëndetshme për një vend demokratik?

Wisner: Si parim i përgjithshëm, debati i hapur, i gjallë, është i rëndësishëm për çdo demokraci. Në të njëjtën mënyrë, mendoj se është fantastike të shohim që opozita është kthyer në Parlament dhe ka rimarrë funksionet në atë mënyrë që presin qytetarët shqiptarë. Do të thoja që mendoj se të gjithë presim me kënaqësi zgjedhjet vitin e ardhshëm. Është një mundësi vërtet e rëndësishme që politikanët shqiptarë të paraqesin idetë e tyre përpara qytetarëve shqiptarë, për ta shfrytëzuar mundësinë për të zhvilluar një debat të gjallë, dhe mendoj se do të jetë një çast i shkëlqyer për Shqipërinë.

Zëri i Amerikës:  Ju e përshëndetët dakortësinë mes shumicës dhe opozitës që riktheu normalitetin në jetën parlamentare. Megjithatë, në sallën e parlamentit kemi një rikonfigurim në krahun e opozitës, ku shumica dërrmuese e deputetëve demokratë, njohin si kryetar të tyre ish kryeministrin Sali Berisha. Para disa muajsh në një deklaratë të saj ambasada amerikane përsërti qëndrimin e saj lidhur me persona të shpallur non grata duke nxitur të gjithë aktorët që të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla. Cili do të jetë raporti juaj me këta aktorë, ose më saktë me grupin parlamentar demokrat të rikompozuar?

Wisner: Armand, qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Ne vazhdojmë të mos angazhohemi me personat e shpallur non-grata sipas sanksioneve tona për korrupsionin. Dhe do të vëreja se ato sanksione kanë përfshirë të gjithë spektrin politik, pavarësisht asaj çka u pëlqen disa njerëzve të thonë këtu. Pra, ajo çka ne po bëjmë këtu është që ne po punojmë me parti politike, me shoqërinë civile, me njerëz në të gjithë spektrin për t’u munduar ta bëjmë Shqipërinë një vend më të mirë, natyrisht. Por në të njëjtin aspekt, siç e thashë më parë, ajo që shqiptarët duan vërtet janë njerëz që punojnë për interesat e popullit shqiptar dhe jo për interesat e tyre personale. Dhe mendoj se e ardhmja e këtij vendi nuk qëndron tek njerëzit e përfshirë në korrupsion. Dhe partitë politike duhet të prezantojnë ide të rëndësishme, duhet të paraqesin alternativa reale qeverisëse. Dhe, natyrisht, duhet të prezantojnë kandidatë të cilët njerëzit duan t’i votojnë. Kam shumë besim kur dëgjoj shqiptarët të më thonë se duan të kthejnë faqe, dhe duan të kenë opsione reale që funksionojnë në interes të tyre.

Zëri i Amerikës:  Shumica socialiste miratoi komisionin për disinformimin për të luftuar ndikimin dashakeqës në proceset demokratike. Shumica tha se komisioni është rezultat edhe i memorandumit të mirëkuptimit që Sekretari Blinken nënshkroi gjatë vizitës së tij në muajin shkurt. A është e vërtetë kjo dhe çfarë iu thoni atyre që ngrenë shqetësime për kërcënime të mundshme ndaj lirisë së medias?

Wisner: Ju përmendët udhëtimin e Sekretarit, i cili ishte një moment i rëndësishëm, jo vetëm për këtë ambasadë, por për marrëdhëniet Shqipëri-SHBA. Dhe gjatë atij udhëtimi, Sekretari dhe Ministri i Jashtëm Hasani nënshkruan një memorandum, të cilin nxis ndjekësit tuaj, nëse do të donit, mund të shkoni online dhe mund të gjeni detaje mbi marrëveshjen. Nëse vizitoni faqen e Qendrës për Angazhimin Global në Departamentin e Shtetit, mund të lexoni gjithçka rreth saj. Është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme. Dezinformimi dhe keqinformimi po shkaktojnë sfidë të vërtetë për Shtetet e Bashkuara, partnerët dhe aleatët tanë në NATO, dhe është diçka mbi të cilën duhet të punojmë së bashku. Mendoj se në të njëjtin kuptim, duhet të jemi shumë të qartë se çdo përpjekje për të trajtuar dezinformimin dhe keqinformimin, duhet të marrë parasysh dhe të respektojë normat e lirisë së fjalës, lirisë së medias, të cilat janë thelbësore për ata çka jemi si anëtarë të NATO-s, si partnerë në dy anët e Atlantikut, dhe kam shumë besim se kjo do të jetë mënyra se si ne do të ecim përpara në bashkëpunimin tonë.

About Krye Redaktor

Check Also

Afera e inceneratorëve/ Gjiknuri “spiunon” Ahmetajn në SPAK për të shpëtuar veten

Nga Boldnews.al Nëse ndokush do të provojë shoqërinë që kanë politikanët me njëri-tjetrin, ka një metodë …