Nëpër ambasada mund të ketë edhe McGonigalë, megjithatë problemi janë Veliajt

Problemi janë Veliajt e jo ambasadorët

“Genc POLLO

Një mobilizim i madh në Tiranë e përtej do të duhet për këtë skandal të madh (5D i Veliajt). Pa persona të dhunshëm (si në 21 janarin e Ramës) por me vullnet e vendosmëri!” Me këto fjali e mbyllja shënimin im para një jave. Dje isha isha në mitingun e protestës para bashkisë, dëgjova nga distanca plasjet e shashkave e molotovëve e mbas pak tubimi përfundoi e turma u shpërnda. Sot po shoh se mediat e reagimet po fokusohen tek deklaratat e disa ambasadave të cilat apeluan kundër dhunës.

Protesta para bashkisë Tiranë është një kauzë jo thjesht e drejtë por edhe moralisht e pashmangshme. Nuk është një protestë antikorrupsion si të tjerat në kontekstin e banalizimit të megakorrupsionit nën pushtetin rilindist. Jo vetëm që kemi kryebashkiakun Veliaj nën hetim me urdhër gjykate për vepra penale të cilat janë direkt nën përgjegjësinë e tij; jo vetëm kemi të provuar gjyqësisht një shkallëzim fundor të korrupsionit ku ofiqari nuk kënaqet me rryshfet por merr 100% të fondit për vete duke kontraktuar kompaninë e tij.

Por 1: Kompanitë private të bashkisë kanë treguar një çnjerëzi ngjethëse: kanë zbuar dhjetëra familje nga banesat me sebepin se janë të dëmtuara nga tërmeti e duhet të shemben edhe kur teknikisht nuk ishte rasti. Kur familjarët kundërshtonin bashkia u priste ujin e dritat dhe i mësynte në banesë në orën tre të mëngjesit e i nxirrte përdhunshëm jashtë; madje edhe kur ishin me foshnje në krah. Shkaku ishte se tenderin e rindërtimit e kishte marrë kompania 5D. Policia bashkiake ka ushtruar rregullisht dhunë të tepruar fizike kundër fshatarëve që shesin fruta-perime. Motivi nuk qenka trotuarët e pastër por “eliminimi i konkurrencës” mbasi shefat e policisë bashkiake kanë regjistruar një kompani fruta-perimesh dhe duan monopolin e tregut.

Por 2: Kryebashkiaku Veliaj nuk ka dhënë sqarime për këto por ka mbajtur monologje boshe para dy-tre “gazetarëve” që e dëgjojnë duke tundur kokën me aprovim. Veliaj bllokon në shkelje të ligjit një mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak të kërkuar zyrtarisht nga këshilltarët e opozitës. Kur rilindistët në Kuvendin e Republikës i mohuan opozitës të drejtat ligjore kjo e fundit protestoi duke ndezur flakadanë e duke përmbysur karriget. Nuk ishte pamje estetike po kauza ishte e drejtë. Dhe vendosmëria e vullneti i opozitës parlamentare fituan dhe korrigjuan në tërësi padrejtësinë. Ky vullnet e kjo vendosmëri duhen edhe sot e në vijim derisa të korrigjohen padrejtësitë e Veliajt.

Vetëm se në Kuvend nuk u rrezikua jeta e shëndeti i askujt; po kështu duhet të veprohet edhe në sheshin para Bashkisë. Në video duken se dje molotovët shpërthyen në flakë të mëdha që mund të kishin djegur policët e rreshtuar. Kjo është në parim e papranueshme. Aq më tepër kur oratorët theksojnë se “policia është me ne” dhe se e “vuan përbrenda hajdutërinë e bandës Veliaj”.

Ambasadat reaguan se duan stabilitetin e jo dhunën që sipas tyre mund të çojë në destabilizim. Mbase duan edhe demokracinë e shtetin ligjor në Shqipëri. Për këtë kanë investuar qindra milionë euro e dollarë me rezultat të diskutueshëm. Sidoqoftë zbulimi i korrupsionit të bandës 5D nuk do të ishte i lehtë pa kapacitetet e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Por ambasadat përfaqësojnë edhe interesa që nuk është e thënë që të jenë gjithmonë e plotësisht interesat e Shqipërisë. Mes tyre mund të ketë edhe McGonigalë ose cinikë.
Ndër deklaratat e djeshme spikaste njëra që i quante “vitale për demokracinë tubimet e protestat paqësore që kërkojnë veprim kundër korrupsionit” (ishte e ambasadës nga ku nuk priteshin këto fjalë).

Gjithësesi reagimi ndaj ambasadave ishte me tepri. Uroj të vijë ajo ditë kur të kuptojmë e pranojmë se të huajt mund të jenë dashamirës por nuk mund t’a duan Shqipërinë më shumë se shqiptarët.Dhe të shohim përgjegjësitë tona pa u marrë me të tjerët. Euforia ksenofile e vitit 90 që vazhdon ende në fakt ka prodhuar një infantilizim psikologjik të shoqërisë dhe ka zbehur sensin e përgjegjësisë për vendimmarrjet e vështira por pozitive.
Prandaj në shënjestër të protestës e veprimit politik lipset të jenë keqbërës si Veliaj and co dhe më pak ose aspak burokratët vizitorë.

Ish ministër e deputet
20 prill 2024

About Krye Redaktor

Check Also

Proçedohet penalisht Tom Doshi