Skandali i ministres së Ramës, VOA: Shenjat e goditjes me thikë u provuan nga mjekësia ligjore

Në Tiranë, Andri Brahimaj, bashkëshorti i ministres së Sipërmarrjes, Delina Brahimaj, mësohet se është përfshirë në një sulm me armë të ftohta 5 muaj më parë ndaj drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Kredive, Eri Koshaj.

Koshaj kallzoi në polici se më 20 nëntorin e kaluar Andri Brahimaj e kërcënoi dhe goditi me një mjet të mprehtë në brinjë dhe në fund të shpinës për shkak të detyrës, duke i kërkuar të jepte dorëheqjen si drejtor i Agjencisë së Trajtimit të Kredive, një institucion në varësi të ministrisë së Financave.

Shenjat e këtyre goditjeve nga një mjet i mprehtë u provuan edhe nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, policia dërgoi materialet në organet hetimore, sipas mediave vendore, por prokuroria e kryeqytetit pushoi hetimet ndaj bashkëshortit te ministres.

Ministrja Brahimaj konfirmoi sot ngjarjen, duke e quajtur një “konflikt të padëshiruar, i cili ka marrë përgjigje në rrugën e drejtësisë”.

Përmes një deklarimi publik, ministrja Brahimaj theksoi se konflikti është hetuar nga organet e drejtësisë dhe është pushuar për mungesë provash, ndërsa bashkëshorti, sipas saj, u kallëzua padrejtësisht “për diçka që nuk e ka bërë, gjë që u konfirmua edhe nga vendimi i organeve të akuzës”.

Zonja Brahimaj pohoi se nuk e ka lejuar bashkëshortin të bënte kallzim, sepse Eri Koshaj ishte drejtues i një institucioni në varësi të ministrisë së Financave, post që e mbajti edhe pas largimit të saj nga detyra e ministres së Financave dhe Ekonomisë.

Eri Koshaj është shkarkuar tashmë nga detyra e drejtorit të përgjithshëm në Agjencisë e Trajtimit të Kredive, ndërsa denoncimi i tij, i cituar në raportet policore me iniciale emërore, mbeti jashtë vëmendjes së publikut dhe larg hetimeve të hollësishme./VOA

About Redaksia

Check Also

Berisha: Veliaj si pengmarrës, ka nisur të thotë se vëllai i tij ka paguar ekspozitat e Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ndal edhe te protesta e opozitës që do …