Veliaj reagon për thirrjen në SPAK të martën

Erion Veliaj  ka “sajuar” një intervistë, ku e shpjegon thirrjen në SPAK nga prokurorët, më shumë si një vajtje vullnetare, ku do të paraqitet me dosje.

Është një rast shumë i rrallë, kur një person i thirrur me ngulm nga prokuroria, bën sikur po paraqitet vetë me dëshirë, për t’ju dhënë prokurorëve informacion për aferën ku janë përfshirë vartësit dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt.

“Unë e kam marrë seriozisht këtë propozim dhe dua jo vetëm të vazhdojmë bashkëpunimin, por dua të jap më shumë informacione, edhe për të sqaruar çështjen e inceneratorëve, edhe për të shpjeguar pse disa media dhe disa gazetarë të influencuar nga politika ngatërrojnë letrën e Bankës Botërore me propozimin e pakërkuar. Kështu që, sa të pres që SPAK-u dhe institucionet e tjera, le të themi, me procedurat dhe vonesat e postës, ta bëjnë gjithë këtë komunikim, më mirë shkoj vetë, bëj një kronologji të gjithë këtyre situatave dhe mendoj se qasja proaktive na ndihmon të dyja palëve. Palën e bashkisë për aq sa ka, si një nga 5-6 klientët e inceneratorëve dhe për gjithë dijeninë që ka, edhe palës së SPAK-ut për të mos u vonuar me “erdhi posta, u vonua posta”, por për të pasur të gjithë informacionin e nevojshëm.

Ndaj, besoj, në ditët e ardhshme do të kemi një dakordësi për orarin, unë i kam bërë gati dosjet, gjithë kronologjinë, edhe të mënyrës sesi ne, si një nga 5 (fillimisht) dhe tani 6 bashkitë, jemi klientë të inceneratorit, por edhe ku është diferenca mes letrës së Bankës Botërore dhe asaj që është një ofertë e pa kërkuar, dhe sesi disa personazhe mundohen t’i ngatërrojnë të dyja, por është e pa ngatërrueshme, është shumë e qartë”, tha Veliaj për Report Tv.

About Krye Redaktor

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …