Magjistratura/ Thellohet skandali, Arben Rakipi emëroi pedagogë të larguarit nga Vetingu

Nga Boldnews.al

Lehtësia me të cilën Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, ka emëruar si pedagogë të paktën dy magjistratë që iu shmangën Vetingut me dorëheqje, duket se ka krijuar shqetësimin e Delegacionit të Bashkimit Europian për një standart që duhet frenuar.

Në Komisionin Parlamentar të Ligjeve gjenden për shqyrtim propozimet për amendimin e disa ligjeve të paketës së Reformës në Drejtësi.

Në këtë kuadër, zyra e Bashkimit Europian ka bërë disa sugjerime të saj, mbi një draft paraprak që është hartuar nga juristët e Kuvendit.

Në një nga sugjerimet e ekspertëve të BE-së, thuhet: “Duhet të parashikohen ndryshime ligjore për të përforcuar integritetin e stafit pedagogjik në Shkollën e Magjistraturës, duke siguruar që ish-magjistratët e shkarkuar nëpërmjet vetingut ose që dhanë dorëheqjen para tij, nuk do të trajnojnë brezat e ardhshëm të magjistratëve”.

Në foto: Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi

Ky propozim vjen, pasi në Shkollën e Magjistraturës gjenden në pozicionin e pedagogut të brendshëm ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Henrik Ligori dhe ish-gjyqtari administrativ, Amarildo Laçi, të cilët iu shmangën procesit të Vetingut, duke dhënë dorëheqjen.

Ligji për Vetingun parashikonte si subjekte të tij të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që ishin në detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të tij, në janar 2017. Po ashtu, ligji parashikonte që, magjistratët të cilët jepnin dorëheqjen pas hyrjes së tij në fuqi, të humbisnin të drejtën për t’u emëruar në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.

Por, kuadri ligjor kishte një të çarë, pasi nuk kishte kufizim për emërimin e magjistratëve të dorëhequr në Shkollën e Magjistraturës.

Pikërisht, këtë të çarë ligjore ka shfrytëzuar Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, për emërimin e magjistratëve të dorëhequr, Ligori dhe Laçi, pavarësisht se kjo lëvizje nuk ishte aspak etike dhe morale.

Pasi, siç e përcakton edhe delegacioni i BE-së, “…ish-magjistratët e shkarkuar nëpërmjet vetingut ose që dhanë dorëheqjen para tij, nuk do të trajnojnë brezat e ardhshëm të magjistratëve”.

“Piruetat” e Henrik Ligorit

“Boldnews.al” ka raportuar më herët situatën e çuditshme me ish-prokurorin e Krimeve të Rënda, Henrik Ligori. Referuar dokumentave të vitit 2020, Ligori rezultonte njëkohësisht prokuror, avokat dhe pedagog në Shkollën e Magjistraturës.

Kjo situatë absurde ishte rrjedhojë e një kakofonie mes institucioneve të drejtësisë, të cilat duket se ishin shumë “dashamirëse” ndaj Ligorit.

Në verën e vitit 2018, Henrik Ligori dha dorëheqjen nga detyra e prokurorit, të cilën në atë kohë e ushtronte pranë Krimeve të Rënda (pararendëse e SPAK).

Në foto: Ish-prokurori, Henrik Ligori

Pasi dha dorëheqjen, në Shtator 2018, Ligori regjistrohet si “Avokat” në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB). Gjithashtu, ai emërohet edhe si Pedagog i Brendshëm në Shkollën e Magjistraturës.

Por, dorëheqja e tij si prokuror, nuk ishte formalizuar sipas ligjit. Kjo konstatohet në faktin që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) e ka përfshirë në shortin e Vetingut të datës 16 Qershor 2020, nën emërtesën “Henrik Ligori, prokuror i Prokurorisë për Krime të Rënda”.

Situata duket si “lapsus” mes institucioneve. Por, çështja është rezulton të jetë më e thellë se sa kaq.

Henrik Ligori dha dorëheqjen si prokuror pak pasi kishte nisur procesi i Vetingut, por ndërkohë ai gëzonte ende statusin magjistrat, të cilin, eventualisht, ai mund ta përdorte, përsa kohë e kishte ende në dispozicion.

Megjithatë, përtej piruetave ndërinstitucionale, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) vendosi të ndërpresë procesin e Vetingut për magjistratin Henrik Ligori për shkak të dorëheqjes së tij pas nisjes së zbatimit të ligjit dhe ndalimin e tij për të qenë pjesë e sistemit  të drejtësisë për 15 vitet e ardshme.

Para se të arrinte në këtë konkluzion, KPK kishte konstatuar problematika të shumta në pasurinë e Ligorit, të cilat, gjithësesi, nuk iu nënshtruan kontrollit përfundimtar, për shkak të ndërprerjes së procesit të rivlerësimit, si rrjedhojë e dorëheqjes.

Por, ai vijon të jetë pedagog në Shkollën e Magjistraturës dhe, prej disa vitesh, përgatit magjistratët e rinj.

Magjistratura, “streha e re” e Amarildo Laçit

“Boldnews.al” ka ngritur më herët shqetësimin e emërimit si pedagog në Magjistraturë të magjistratëve të larguar nga Vetingu.

Një ndër këta personazhe ishte Amarildo Laçi.

Në 26 maj 2020, Laçi ka paraqitur para Këshillit të Lartë Gjyqësor dorëheqjen nga detyra e gjyqtarit të Apelit Administrativ.

Me vendimin nr. 268, dt. 29.06.2020, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi: “Të deklarojë humbjen e së drejtës së këtij subjekti (Amarildo Laçi, shën.red) për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”.

Në foto: Ish-gjyqtari, Amarildo Laçi

Pas largimit nga gjyqësori, Laçi merr firmën e Arben Rakipit për t’u emëruar si pedagog i brendshëm në Shkollën e Magjistraturës.

Pra, edhe Laçi, ashtu si Ligori, përgatisin magjistratët e rinj, ndërkohë që vetë u larguan si “hileqarë” nga sistemi i drejtësisë, para se të përfshiheshin në procesin e Vetingut.

Pikërisht, emërimet “nga dritarja” e Henrik Ligorit dhe Amarildo Laçit, kanë nxitur delegacionin e Bashkimit Europian që t’i sugjerojë Parlamentit për të marrë masa ligjore që të ndalojë këto episode aspak normale.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …