Noka: Skandali te Magjistratura, krim shtetëror i sigurimsit Arben Rakipi!

Deputeti i PD, Flamur Noka, duke folur në foltoren e Kuvendit me bluzën “Lironi Berishën” u shpreh se, skandali te Magjistratura është një krim shtetëror i sigurimsit Arben Rakipi. Noka tha se, është praktikisht shkatërrim i sistemit të drejtësisë ,është praktikisht kapje e sistemit të drejtësisë.

“Të flasësh për këtë qeveri, çdo ditë është më e vështirë sepse kalojnë nga skandali në skandal.
Është e vështirë që të kalojë një ditë pa dëgjuar që u pëlcet një skandal.

Skandali i Shkollës së Magjistraturës, aty ku duhet të formohen gjyqtarët dhe prokurorët, është një nga skandalet më të rënda që mund të ndodhë.

Është praktikisht shkatërrim i sistemit të drejtësisë ,është praktikisht kapje e sistemit të drejtësisë. Sepse ata gjyqtarë dhe prokurorë që kalojnë te ajo shkollë, do jenë përjetë në ato karrige.

Çfarë ndodhi? Në një moment që janë ulur 411 konkurrentë, në një sallë ku nuk kishte asnjë përfaqësues ndërkombëtarë, nuk ishin as pedagogët, por vetëm disa punonjës administrate, edhe ata kundër rregullores me telefona në dorë, u shpërnda teza.

Në mënyrë të fshehtë dhe tinëzare, pa u njoftuar askush, spiuni i Sigurimit të Shtetit, Arben Rakipi, vendos që testet të korrigjohen manualisht. Sipas tij, pajisja ka korrigjuar vetëm 96 pyetje nga 100 të testit. Kush e solli këtë pajisje? A u testua ajo? Askush nuk jep përgjigje.

U shpallën nga 411, 79 fitues. Më pas, dy ditë mbrapa shtohet lista me 42 fitues të tjerë.
Edhe ditën e tretë duhet shtuar lista se nuk u kënaqën patronazhistët e rilindjes. U shtua lista edhe me 10 të tjerë.

Dhe çfarë ndodh? Për të fshehur këtë krim shtetëror, nuk e rendisin siç e kërkon rregullorja, mbi bazën e pikëve, por mbi bazën e rendit alfabetik që të ngatërrohen pikët.

Pse ndodhi kjo? Plasja e këtij skandali tregon qartë se synimi juaj nuk është të prodhoni brez të ri juristësh që do jenë nesër prokirorët apo gjyqtarët e nesërm.

Jo, kjo ka vetëm një synim që patronazhistët të mbushin sistemin e drejtësisë, që ju të vidhni dhe ata t’i mbrojnë se do jenë ushtarët tuaj.

Kjo, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për çdo ndërkombëtar që ka investuar për të famshmen drejtësi të re, është një kambanë alarmi.

Pas rrëzimit që i bënë vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ky është hapi i dytë që ju reformën në drejtësi po e ktheni në reformë të rilindjes, në reformë politike.

Ky hap tregon se u kanë zënë ethet nga vjedhja dhe babëzia dhe sistemi i drejtësisë është shpresa se duke e kapur, do shpëtoni.

Nuk shpjegohet ndryshe siguria që kishte spiuni i Sigurimit të Shtetit, Arben Rakipi, të thoshte që nuk më shqetëson pajisja.

A e di shumë mirë se pika e parë, duhej t’i drejtohej prokurorisë për të hetuar.

Duhej të njoftonte partnerët se u zhvillua testi pa qenë OSBE e pranishme.

Ky është një krim shtetëror dhe ky krim shtetëror ndodh se as Dumani dhe as Çela nuk i kanë këllqet të hetojnë këtë krim sepse Arben Rakipi është mentori i Dumanit dhe Olsi Çelës.

Unë e di se nuk ju bën përshtypje ju se ju thoni se me vjedhjet bëhen filma.

Burri i ministres ther me thikë dhe pritet që të dilni e të thoni se edhe këto bëhen filma me këto.

Vidhen 130 milionë euro, bëhen filma me këto euro se i vjedh Lali Eri.

Ju tundni kokën, por ne nuk ju shohim më si kolegë, por ju dukeni vetëm si kartona jeshilë.

Por po ju them një gjë, me këtë akt ekziston një rrezik që për 30 vitet e ardhshme, drejtësia që deshën shqiptarët të mos jetë ajo drejtësi që e pritën dhe ëndërruan.

Por me këtë akt, duke e mbushur me patronazhistë, drejtësia do jetë politike. Dhe kur drejtësia bëhet politike, drejtësia reale i ngel në dorë qytetarëve.

Ndaj të jeni të qetë se do vijë dita kur këta të babëziturit këtu, drejtësia reale do i kërrejë.

Por do ju kërrejë edhe ju që jeni kartona jeshilë për të noterizuar babëzinë dhe që as skuqeni dhe as zverdheni”, u shpreh Noka.

About Redaksia

Check Also

Meta: Dumani në shërbim skllavërues ndaj Ramës!

Presidenti i PL-së, Ilir Meta ka akuzuar drejtuesin e SPAK, Altin Dumani dhe prokurorët e …