Shqipëria e fundit në rajon për lirinë e medias/ Lela: Ka vetëm një përgjegjës që është qeveria!

DEKLARATA E DREJTORIT TË ZYRËS SË SHTYPIT DHE KOMUNIKIMIT NË PD, ALFRED LELA

Shqipëria ka zbritur tre pozicione në renditjen e lirisë së shtypit në botë duke mbetur e fundit në rajon dhe mes shteteve kandidate për në Bashkimin Europian.

Në Indeksin e Lirisë së Shtypit të ‘Reporterëve pa kufij’, ku përfshihen 180 vende, Shqipëria renditet e 99-ta. Kosova e 75-ta.

‘Reporterët Pa Kufij’ vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri ‘është i vështirë’.  Sipas organizatës ‘Në Shqipëri, pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullat me frymë partiake. Gazetarët bien viktima të krimit të organizuar dhe hera-herës të dhunës policore, e nxitur nga dështimi i qeverisë për mbrojtjen e tyre’.

Partia Demokratike, teksa falënderon ‘Reporterët’ për punën në mbrojtje të lirisë së shtypit, inkurajon gazetarët, ende të pa dorëzuar para trysninë së qeverisë, të rezistojnë.

Ky mjedis ka vetëm një përgjegjës dhe është qeveria me tentakulat e saj, me tenderat e joshjes dhe me kamzhikun e kërcënimeve.

Kërcënimi ndaj lirisë së shtypit është i përhershëm, siç e dëshmon edhe përpjekja e fundit, ende në përpunim, për të kontrolluar median e pavarur me pretekstin e parandalimit të ndikimit rus dhe kinez.

Në një vend qeveria e të cilit nuk sillet me shtypin ndryshe nga Moska dhe Pekini, ky është një absurd.

Edhe pse raporti veçantëson disa problematika si, konflikti i interesit, ndërhyrja e pronarëve të medias mbi pavarësinë editoriale, niveli i ulët i zhvillimit të qëndrueshëm afat-gjatë të medias, censura në median online dhe në rrjetet sociale, sulmet verbale politike kundër gazetarëve etj., problem i problemeve mbetet prirja e qeverisë dhe segmenteve të pushtetit për të kontrolluar hapësirën mediatike me para, joshje dhe kërcënime.

Të gjitha këto problematika, që theksohen me të drejtë në raport, burojnë nga kjo prirje.

Partia Demokratike u shpreh mbështetjen e pakufishme të gjithë gazetarëve që janë kërcënuar nga pushteti dhe nga bandat. Puna dhe guximi i tyre si rojtarë të demokracisë dhe lirisë së shprehjes, është shenje dinjiteti njerëzor dhe profesional.

Partia Demokratike i bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë të miratojë pa humbur kohë Rezolutën e paraqitur nga grupi parlamentar demokrat, për mbrojtjen e gazetarëve, ndëshkimin e sulmuesëve të tyre dhe njohjen e rolit të pazëvendësueshëm të lirisë së shtypit.

About Redaksia

Check Also

Argita Malltezi: Pas rikthimit të vulës, demokratët po rikthehen në PD

Argita Malltezi ka komentuar vendimin e Gjykatës së Apelit e cila riktheu vulën dhe logon …