Bardhi publikon shkresën e SPAK: Vetëm 4 persona u liruan, të tjerët janë liruar nga GJKKO

Pas deklaratave të bëra nga Enkeled Alibeaj dhe Lulzim Basha gjatë ditës së sotme në Kuvend për lirimin nga burgu të dënuarve nga GJKKO, ka ardhur edhe reagimi i kreut të Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi ka publikuar shkresën e SPAK, ku thuhet se  nga amnistia penale kanë përfituar vetëm 4 qytetarë të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm, ndërsa të tjerët janë liruar nga gjykata.

Po ashtu ai nuk lë pa thumbuar Bashën dhe Alibejan, për të cilët shkruan se nuk po i qëndrojnë deri në fund tek politika e gënjeshtrës së ditës.

Postimi i Bardhit

I shqetësuar nga lajmet e keqinterpretuar në media, se nga amnistia përfituan lirinë nga burgu “100 zyrtarë të korruptuar”, me datë 25 Prill 2024, i jam drejtuar zyrtarisht SPAK me një kërkesë për informacion. Dje jam informuar zyrtarisht nga drejtuesi i SPAK, të cilin dua ta falenderoj për korrektesën, nga ku më rezulton se e gjitha çka u pretendua edhe sot në mëngjes në këtë sallë është një gënjeshtër e madhe.

SPAK ka detajuar, shpjeguar dhe sqaruar, historinë e rreme se nga amnistia u liruan nga burgu apo përfituan ulje të kohës së qëndrimit në burg “100 zyrtarë të korruptuar”, një e pavërtetë e madhe, që fryhet/sajohet nga ata që as nuk kuptojnë çfarë lexojnë dhe as nuk duan të kuptojnë, por kanë vendosur të qëndrojnë deri në fund tek politika e gënjeshtrës së ditës: “bëjmë sikur themi diçka të pavërtetë, pa thënë asgjë në interes të qytetarëve” që të bëhemi lajm i ditës. Kush nuk prodhon dot politikë, e ka të vetmen rrugë gënjeshtrën për t’u bërë lajm. Kush nuk bën dot opozitë reale me qeverinë e Edi Ramës, e ka të vetmen rrugë sajimin e kauzave të rreme për t’u bërë lajm.

Nga sqarimi i SPAK rezulton e qartë se:

1- Asnjë subjekt i posaçëm i SPAK nuk ka përfituar nga Amnistia.

2- Asnjë procedim penal nën hetim nga SPAK apo proces gjyqësor i pa përfunduar me vendim të formës së prerë nuk ka përfituar nga Aministia.

3- Asnjë gjyqtar apo prokuror nuk ka qenë në burg në kohën e hyrjes në fuqi të Amnistisë dhe për pasojë nuk kishte sesi të përfitonte lirimin nga burgu.

4- Nga 18 vepra penale që janë në kompetencë të SPAK (nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 257, 258, 259, 259/a, 260, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh dhe 319/e) vetëm 1 vepër penale, pra personat e dënuar për veprën penale të parashikuar në nenin 245/1 “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publik”, kanë përfituar nga amnistia.

5- Statistikat e dhënë nga SPAK i referohen këtyre subjekteve, pra qytetarë që kanë qenë të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

6- Nga e gjitha shifra e referuar nga SPAK lirimin nga burgu kanë përfituar vetëm 4 qytetarë, ndërkohë që pjesa tjetër nuk kanë qenë në burg, sepse janë liruar nga vetë GJKKO.

 

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …