Pas vendimit të Strasburgut, KPA rikthen në detyrë prokuroren Antoneta Sevdari

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur të rikthejë në detyrë prokuroren Antoneta Sevdari, të shkarkuar nga procesi i vetingut.

Ky vendim vjen, pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës në rastin e shkarkimit të ish-prokurores Antoneta Sevdari nga KPA në vitin 2019, ndërsa hodhi poshtë pretendimet e tjera. “Strasburgu” vuri në dukje se vendimi i shkarkimit ishte “disproporcional” me problemet e vërejtura në pasurinë e vënë nga bashkëshorti para martese.

Ky është rasti i parë që një magjistrat i shkarkuar nga vetingu në Shqipëri, rikthehet në detyrë, pasi fitoi të drejtën në  Gjykatën Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Edhe pse vendimet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit janë të formës së prerë dhe të paankimueshme, në rastin prokurores Antoneta Sevdari, rishikimi i vendimit ishte një detyrë e caktuar shtetit shqiptar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Vendimi i Strasburgut, që i hapi rrugë rigjykimi të çështjes “Sevdari” në KPA, u shpall më dhjetor 2022.

Në të njëjtin vendim, Strasburgu detyroi shtetin shqiptar të dëmshpërblejë Sevdarin dhe kompensojë shpenzimet gjyqësore në një total prej 24 600 euro.

Më konkretisht, Gjykata e Strazburgut i akordoi Sevdarit 13,600 euro dëmshpërblim për humbjet financiare të pësuara nga shkarkimi si prokurore ndërsa i akordoi edhe 6 mijë euro të tjera dëmshpërblim për dëme jopasurore. Sevdarit iu caktuan edhe 5 mijë euro kompensim për kostot e procesit.

Vlen të theksohet fakti se prokurorja Antoneta Sevdari kaloi pa probleme në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por Komisioneri Publik deklaroi se vendimi i Shkallës së Parë është marrë pa u bërë fillimisht një hetim i thelluar të paktën në dy kritere.

Pasuria e bashkëshortit të saj solli edhe verdiktin final. Kolegji i Posaçëm i Apelimit deklaroi si të pamjaftueshëm justifikimin e pasurisë së saj dhe të bashkëshortit, i cili ka jetuar në Arabinë Saudite, burime që për një pjesë kanë shmangur tatimet.

Për sa i përket aftësive profesionale, Kolegji vendosi të mos nisë hetime për 10 denoncimet e ardhura ndaj saj, sepse nuk përmbajnë fakte dhe rrethana të mjaftueshme. Kolegji vendosi se Sevdari “ka cenuar besimin e sistemit të drejtësisë”, duke ndryshuar në këtë mënyrë vendimin e një viti më parë të KPK-së.

Por, tashmë ky vendim i KPA-së i vitit 2019 u rrëzua po nga KPA ditën e sotme, pas kërkesës për rishqyrtim nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …