Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut – Kur dordoleci liberal tremb sorrat konservatore!

Nga Enver BYTYÇI

Interesi i shqiptarëve në Maqedoni është që të fitojnë forcat liberale”! Këtë e thotë Edi Rama dhe ky mit ka ndikuar jo pak konservatorë. Ka prej tyre që thonë se “Unë jam komnservator, por kam përparësi interesin e shqiptarëve! Prandaj mbështes fitoren e liberalëve në Maqedoninë e Veriut”! Por fituan konservatorët! E tash?

A funksionon kjo formulë shpifëse për shqiptarët e Maqedonisë?! Le të arsyetojmë me fakte e prova:

Prej gati dhjetë vitesh në Maqedoninë e Veriut kanë qeverisur liberalët socialdemokratë. Zaevi ishte njeriu që i çoi ata në fitore dhe pas tij drejtoi Kovaçevski. Të dy këta nuk ndoqën në asnjë rast interesat e shqiptarëve në Maqedoni, por zbatuan me përpikmëri rekomandimet dhe politikat e Geroge Soros dhe pasuesit të tij, Aleksit. Iu bashkëngjitën planeve të Serbisë dhe të kryeministrit të Shqipërisë.

Nëse Sorosi është burim vitaliteti për shqiptarët në Ballkan, atëherë duhet ta pranojmë se “liberalët qenkan e mira e shqiptarëve”! Këta konservatorët liberalë edhe të Partisë Demokratike, ndërsa shprehen se “liberalët janë e mira e shqiptarëve në Maqedoni”, besojnë gjithashtu se “liberali” Albin Kurti i përçau ata në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe presidenciale në këtë vend. Nuk ngurrojnë të thonë se “Kurti ishte faktor përçarës”! Kurti është i majtë. Por ruan disa kufij njerëzorë, kombëtarë e moralë në aplikimin e teorisë liberale që predikon Sorosi. Ndërkohë, “konservatorët” demokratë po harrojnë gradualisht faktin se përçarësi më i madh dhe më i rrezikshëm i të gjitha kohërave në historinë e shqiptarëve prej Skënderbeut e deri më sot, është vetëm Edi Rama!

Teoria e liberales u përdor dhe keqpërdor në shumë raste dekadën e fundit. Liberalizmi shkoi aq larg sa të predikojë si “të paarsyeshme mos-cenimin e territorit”! Më pas në emër të liberales dhe integrimit shqiptaro-serbo-maqedonas u shpik iniciativa e Minishengenit. Dhe më vonë, për t’i dhënë kuptim të plotë liberal kësaj iniciative, ajo mori emrin Open Balkan. Open (i, e hapur) është thelbi i liberales, sidomos të asaj që ka aplikuar manjati i parasë, George Soros. Nëse për liberalët dhe të ashtuquajturit kondervatorë shqiptarë Open Balkan ishte dhe mbetet të jetë e mira e shqiptarëve, përfshirë dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, atëherë, këta “liberalë” dhe pseudo-konservatorë duhet të shkojnë për vizitë të psikiatri!

E gjithë kjo storie me “liberalë” u ngjiz nga e majta në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri! Gati u kthye në mit. Historikisht që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë e majta ka qenë aktive për t’i përvetësuar rrugës të gjitha lëvizjet patriotike të të djathtëve. U desh që një Avni Rustem t’i bëjë atentat Esat Pashës dhe më pas të thuhet se ‘Patrioti vrau tradhtarin’! Balli Kombëtar, Legaliteti i Zogut etj. luftuan për bashkimin e Kombit, ndërsa komunistët për vëllazërim-bashkimin me serbët e megjithatë për një ditë “patriotizëm” komunistët u shitën si atdhetarë. U desh që të djathtët ta drejtojnë lëvizjen për shembjen e komunizmit dhe aleancën me Perëndimin, dhe ngrihet një ditë një kryeministër i majtë, i blen ca liberalë perëndimorë dhe hiqet më perëndimor sesa ata që e rrëzuan diktaturën e izolimit të shqiptarëve. Luftoi me të gjitha forcat Ibrahim Rugova për lirinë, pavarësinë e shtetësinë e Kosovës dhe paf një ditë dalin disa enveritsë në krye të UÇK-së dhe marrin në dorë flamurin e patriotizmit. Më pas shqiptarët nuk dinë të shohin se si këta flamurtarë të patriotizmit e shesin tokën dhe detin e atdheut tonë!

E njëjta strukturë mendore funksionon edhe në raportet me konservatorët e Maqedonisë së Veriut. Steriotipi që krijojnë liberalët lidhen me akuzën absurde se “ata janë anti-shqiptarët”! Sigurisht që ka anti-shqiptarë te konservatorët maqedonas, derisa ka anti-shqiptarë te shqiptarët tanë. Por etiketimi i konservatorizmit maqedonas si anti-shqiptar, është si të nxjerrësh një dordolec që tremb sorra. Dordoleci i propagandës liberale po tremb edhe sorrat konservatore.

About Redaksia

Check Also

Politikat Rama anti-bujqësi si bilanc lufte!

Nga Dorjan TELITI Politikat Rama anti-bujqësi si bilanc “lufte”, humbet blegtori vendas, fitojnë vetëm miqtë …