Vehxhi Buharaja dhe vepra e tij e ndritur

Nga Agim Xh. Dëshnica

Tashmë emri dhe vepra e poetit e dijetarit të ndritur Vexhi Buharaja njihen e lexohen me ëndje kudo, ku flitet shqip.

Në qytetin me tërë ato vlera, Berat, ku jetuan e krijuan Nezim Frakulla, Sulejman Naibi, Hasan Zyko Kamberi dhe poeti mbëtar Naimi, në familjen e Ibrahim Buharasë më 12 maj 1920, lindi një fëmi, një djalë, që do të  mbante  emrin  e bukur Vexhi. Një djalë, i cili do të nderonte fisin e Buharasë. Një njeri, që do të shquhej për sjelljen fisnike. Dijetari i ardhshëm që do të ngrinte lart vlerat e atdheut dhe të Beratit. Një fetar i kulturuar i besimit ndaj Zotit. Një poet i dashurisë për njeriun e bukuritë e natyrës shqiptare. Bota letrare do ta njihte qysh në moshën 19 vjeç. me poezitë , “Përpara Tomorit”, fituese e çmimit të parë. “Poeti”, “Zemrës”, “Shiu”, “Çudit’ e fshatit tim”, “Dua të jem flutur”, “Manushaqja”, etj. me nivel artistik dhe frymëzim poetik, të cilat u sjellin ndër mend  lexuesve Lasgush Poradecin, të krijuara sipas traditës rilindase, me ndjenjat e pastra të një njeriu të mirë. Vargjet me gjuhë të kulluar shqipe, rrjedhin ëmbël e natyrshëm. Pseudonimet “Valater Çokdari” e “Lulëzari” në atë kohë u njohën kudo. Vlerësimet për Buharanë, u botuan  në shtypin e kohës, nga Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Ali Asllani, Nexhat Hakiu etj..

Drama e jetës së tij…

Vexhi Buharaja pas mësimeve të para në Berat, në vitin 1940 u vendos në Tiranë. Atje kreu me përfundime të shkëlqyera Medresenë e Lartë. Më pas dha mësim po në atë shkollë dhe drejtoi revistën “Kultura Islame”. Viteve 1940 -1944, u përkasin shkrimet e një krijimtarie të pasur me poezi  e prozë, studime  për ngjarje historike, përkthime e redaktime punimesh për revistën. Në këto vite bashkëpunoi edhe me organet e shtypit të kulturës si, “Njeriu”, “Tomori i Vogël” etj.

Ernest Koliqi miratoi për të  një bursë të veçantë për vijimin e studimeve më lartë, në orientalistikë. Por këtë fat të rrallë nuk mundi ta gëzonte, madje  për shkaqe familjare në fillim të vitit 1944, kthehet në Berat. Në ditët e premte, i ftuar në xhamitë kryesore të qytetit, tek jepte vas në shqip për çështje fetare e shoqërore, dëgjohej zëri i tij i ngrohtë me një oratori e filozofi të përkryer. Deri në vitin 1947 jep mësim në shkollat e qytetit. Në atë vit të zi për njerëzit e kulturës, Vexhi Buharaja si shumë të tjerë u arrestua!…Gjyqi komunist me akuzën për “agjitacion e propagandë”, e dënoi me 8 vjet burg. Biblioteka e vet e pasur u shtetëzua. Librat u mbartën me një kamion ndërtimi. Shkruesi i këtyre rradheve asokohe i ri, pa me dhimbje librat e dëmturar grumbull në karroceri.

Nga burgu e dërguan në kampin e Maliqit. Emrat: kënetë, kanal, Maliq, Roskoveç, Tërbuf, Çermë, na kujtojnë martirët  atdhetarë, dijetarët e shquar, profesorët, inxhinerët e aftë, shkrimtarë, njerëzit e shërbesave fetare etj. Pas burgut, Vexhi Buharaja për të siguruar jetesèn e familjes, iu nënshtrua një pune sfilitëse me duart e pafuqishme përdori sërish kazmën! Megjithatë penën dhe librat i mbajti pranë si mjetet e tij më të shtrenjta.

Frymëmarrje në krijimtari

Kur diktatura do të ndalte përkohësisht hovin  vrastar, lejohet të kthehet në arsim. Në shkollat e mesme jep lëndën e gjuhës ruse, të  mësuar në burg. E shohim të punojë për Muzeun e Beratit. Kur institucionet shkencore, patën mjaft nevojë për dijet e tij, në vitin 1965, pranohet të bshkëponojë me studime shkencore në Institutin e Historisë, Gjuhës e Letërsisë të UT, më vonë të Akademisë së Shkencave. Për Vexhi Buharanë nisi një punë e pashterur hulumtuese dhe krijuese. Shquhet për punë cilësore për historinë e Shqipërisë. Kjo u pa në shkrimet e shkëlqyera, ndërmjet tyre kumtesa për Gjergj Kastrotin- Skënderbe, me rastin e 500 vjetorit të lindjes,  mbajtur në një sesion shhkencor, në Berat. Të një rëndësie të veçantë janë përkthimet e tij.

Siç dihet në vitet e diktaturës shumë poetë e shkrimtarë të paraluftës, u burgosën ose u lanë mënjanë. Mundësia e vetme për të mbijetuar e për të shprehur aftësitë e tyre, ishin përkthimet e shkrimeve politike, e poezive dhe romaneve të letërsisë së huaj. Të tillë qenë, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli. Vedat Kokona, Sotir Caci etj.  Këtë fat pati dhe Vexhi Buharaja. Në Instituni e Historisë, përktheu qindra dokumente arkivore turke që hedhin dritë mbi kohën e pushtimit osman. Me vlera kombëtare janë përkthimet e Defterëve (regjistrave) të administratës turke.

Përkthimi i shkrimeve dhe letrave nga turqishtja në shqip e rilindësve tanë, si Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Dervish Hima etj. Ndihmesa e tij, shkëlqeu sidomos në studimet shkencore, për  toponimet, transkriptimin e përkthimin e mbishkrimeve në gjuhën osmanisht, në shkrimeve në shumë rrethe të vendit, në ndërtesat fetare, në kështjella, në kulla sahatesh, në ura, në shtëpitë e lashta etj. Një nga veprat e tij me titullin, “Monumente të kulturës turko-arabe“ përmban rreth 300 mbishkrime, e një kohe që nis nga shekulli XV deri në shekullin XX. Shumë studjues për temat e tyre përdornin punimet e tij. Kur përmendnin burimin e lëndës, shënonin shkurt formulën, sipas arkivit të Institutit të historisë. Pra, e gjithë kjo veprimtari e Vexhi Buharasë, kaloi në heshtje. Shpesh në konferenca kombëtare këto arritje, i  përfaqësuan  të tjerët, të cilët ishin nën nivelin e tij kulturor. Megjithatë ato u vlerësuan nga dijetarët vendas e të huaj si, gjuhëtari i madh Prof. Eqrem Çabej, orientalisti Myqerem Janina, orientalisti gjerman Prof. Franc Babinger etj.

Në lëmin e letërsisë, përveç poezive e shkrimeve  të Vexhi Buharasë, njihen përkthimet në shqip, si drama „Besa“ e Sami Frashërit, krijimet e poetëve persë e turq. Me një interes të veçantë u prit nga lexuesit, botimi  në shqip i veprës së Saadiut  “Gjylistanit dhe Bostani“, perlë e poezisë botërore. Po nga kjo gjuhë ai shqipëron dhe një kryevepër tjetër, „Shahname-në“ e Firdusiut. Përgatiti dhe një antologji me poezi  të zgjedhura të poetëve persianë.

Për letërsinë tonë e një rëndësie të veçantë, është dhe përkthimi shkëlqyeshëm në shqip nga Vexhi Buharaja i dy vëllimeve me poezi në gjuhën persishte të Naimit, “Endërrimet“ (Tahajjulat) dhe „Katër Stinët.“ Sipas një letre të publçistit N. Jorgaqi, i njohur si hartues antologjish me shkrime autorësh shqiptarë, kërkoi prej tij ndihmë për një kumtesë rreth këtyre dy librave.  Lasgush Poradeci për ato punë arti,  shkruante:“ Për mua dy janë të mëdhenj në fushën e përkthimeve nga gjuha perse, i madhi Noli në Amerikë dhe i madhi Buharaja këtu.“ Prof. Eqrem Çabej pas leximit të “Gjylistanit“ u shpreh:Mjaftonte vetëm studimi hyrës, shënimet sqaruese dhe fjalori enciklopedik, që Vexhi Buharaja të meritonte gradë shkencore”.

Siç del nga letrat, i dashur dhe bujar shpesh punimet e veta të pabotuara ua jepte të tjerëve si burim për temat që kishin në program. Si shpërblim pas kërkesash të lodhëshme, disa ktheheshin e disa humbisnin. 

Largimi nga puna shkencore

Kur diktatura me luftën e klasave u zgjua më e tërbuar në vitin 1975, Vexhi Buharaja, u pushua nga puna. Ky veprim i mbrapsht u prit me pakënqësi të thellë nga intelektualët e ndershëm. Në letrën e dijetarit të njohur Samim Visoka, dërguar Institutit të Historisë dhe Akademisë së Shkencave, ku sekretari shkencor L. Omari mbulonte kuadrin, midis të tjerave lexojmë: „S’ka dyshim se elementë si Vexhi Buharaja nuk duhen pushuar nga puna, po duhet të ruhen e të mbrohen si diçka shumë e vlefshme, sepse siç e dini ju vetë, jeta, mosha, po i rrallon këta specialistë me vlera të mëdha në fushën e orientalistikës. Elementë të tillë si Vexhi Buharaja janë perlë…”.

Vexhi Buharaja, i prekur, por aspak i thyer, sado i larguar nga punët shkencore të  Institutit, vijoi të merrej me letërsi e shkencë. Pushtetarët pa shkollën e duhur  në Berat për ta fyer më tej këtë njeri të madh, e caktojnë arkëtar. Megjithatë populli i Beratit si përherë e nderonte  dhe mburrej me të, ashtu si më parë. Të gjithë ata që patën fatin të takonin Vexhi Buharanë, njohën njeriun idealist e gojëmbël, poetin e hijshëm të lirisë, dijetarin serioz e bujar, profesorin e vërtetë shqiptar. Kuptimplotë ishte sjellja fisnike e kryetari të Akademisë së Shkencave prof. Aleks Budës, i cili sa herë vinte në Berat takonte poetin e dijetarin Buharaja dhe duke biseduar, ecte tok me të, në shetitoren e qytetit. Megjithatë penën dhe librat nuk i la kurrë pas dore.

I dashur me të gjitha moshat, miq apo shokë takohej me mesuesit e rinj si  Muhamer Telegrafciu apo Ramiz Haznedari. Herë pas here atdhetarë të shquar në histori si Xhevdet Dëshnica, apo historiani Ahmet Kondo sapo ktheheshin  të përmalluar në qytetin e lindjes, Vexhiu  u shkonte në shtëpi dhe bisedonte gjatë me ta, për ngjarje historike e kulturore në Berat.

Aty nga vitet 70, shtëpia e Ibrahim Buharasë, Sulejman Deshnicës dhe atdhetarëve të tjerë, do të shembeshin barbarisht nga pushteti komunist.

U shkatërrua, zona  më e bukur  e më e lashtë e  lagjes Murat Çelepi. Ajo, dikur ishte me ndërtesa monumentale, rrugica të pastra, gjallëronte prane lumit Osum me blerimin e kopshteve me fryta e perime,  gjithfarësh.

Tashme Vexhi Buharaja, me  krijimtarinë  e pasur njihet kudo, si poet, publicist, fetar-filozof, orientalist, historian, përkthyes, njohës e zotërues i 10 gjuhëve, më s’pari, gjuhët klasike të Lindjes: persisht, arabisht, osmanisht turqishten e re e rusisht. Pas tyre, nga gjuhët e perëndimit: anglisht, gjermanisht, frengjisht dhe italisht.

Shuarja e kriimtarisë

Në prag te ndryshimeve të mëdha historike, pas një sëmundje të rëndë dhe në një gjendje ekonomike të vështirë, Vexhi Buharaja do të ndahej nga jeta, para kohe  më 6 korrik 1987. Erdhi pra në jetë në muajin maj të poetëve, dhe iku i pafat, kur po ndihej era e lirisë… Mykerem Janina, viktimë dhe ky i regjimit komunist, shkruante me dhimbje: “U mbulua me atë bashkë një thesar, një dritë dijesh…një burrë karakteri e virtutesh të rralla…”.

PËRPARA TOMORIT

nga Vexhi Buharaja

Bukuri këputur qiejsh mbi Tomorin sonte bie,
Më pushton që prej së largu dhe një shpirt prej lashtërie,
Si shkëndi, si rreze dielli, po afrohet valë -valë,
Ndënëqesh me mall të nxehur pastaj hapet me ngadalë,
Edhe zbret si yll i ndezur ku shkon jeta në mjerime:
Gjer në fund të natës sime.
Dhe kjo dritë dhe kjo flakë që po ndez një qiell floriri,
Që po qesh nga maj’ e malit si një diell ndaj të gdhirë,
Gaz’ i lar’ me drit’ thëngjilli që pikoi vetvetiu
Edhe gaz’ i Afërditës që së lartësh vetëtiu
Nga dy buz’ si trëndafili edhe ra në ëmbëlsime:
Gjer në fund të natës sime.
Zog’ i shpirtit tundi krahët mbi Tomorin fluturoi!
Shpuzë’ e mallit po valëvitet, trete helmin, ligjëro!
Thuaja si ia thot’ bariu kur dëgjon zën’ e gugashit
Shko si shkon syr’ i gjahtarit nëpër udhën e larashit,
Qesh si qesh një shtizë hëne përmbi faqen e dëborës,
Ndrin si ndrin një fije ari mu në buzën e kurorës
Dhe këndo posi bilbili me aq mall e drithërime
Gjer në fund të ditës sime.
Dhe pasi të kesh marrë, frym’ e shpirt nga bukuria
Dhe pasi të kesh parë, ca shkëndi nga dashuria,
Fute kokën ndënë krahë dhe dëgjo, o pendëshkruar,
Sesi nga Osum’ i jetës, buçet këng’ e amëshuar.
Si buçet nga goj’ e Zotit Fjal’ e ëmbël mençurie,
Si buçet nga buzë e Muzës fjal’ e ëmbël bukurie,
Si buçet nga gjit’ e vashës fjal’ e zjarrtë dashurie…
Del nga fund’ i fshehtësisë sipër valëve të lumit,
Dhe përhapet anembanë sa na zgjon nga nat’e gjumit
Pastaj ngjitet lartë -lartë ku ndez jeta në shkëlqime:
Gjer në fron të ditës sime.

 

About Redaksia

Check Also

Mesazhi prekës i vajzës së Vilson Blloshimit në 47-vjetorin e ekzekutimit të poetëve

Eni Blloshmi Përkujtojmë VILSONIN dhe GENCIN. Të dashur miq, si sot, 47 vjet më parë, …