Sondazhi amerikan tek shqiptarët: Rama, më i korruptuari, ekonomia shumë keq…

Instituti Ndërkombëtar Republikan publikoi sot rezultatet e një sondazhi të zhvilluar gjatë shkurtit në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku shtrenjtimi i jetesës, papunësia dhe korrupsioni renditen në të gjithë rajonin si tre problemet kryesore më shqetësuese. Një pjesë e madhe e të anketuarve në Mal të Zi (38%), në Maqedoninë e Veriut (31%), në Bosnje e Hercegovinë (29%), në Serbi (28%), në Kosovë (28%) dhe në Shqipëri (22%) mendojnë se kostot e jetesës dhe çmimet e larta janë problemi më i rëndësishëm, me të cilin përballet vendi i tyre. Për Malin e Zi shqetësimi për kostot e jetesës është më shumë se dyfishuar nga viti 2022 (18%), ndërsa shqetësimi për papunësinë (15%) është ulur dy herë.

Papunësia, sipas anketës, është problemi tjetër kryesor me të cilën përballen vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosova (29%) e rendit si shqetësim të parë, ndonëse me një përmirësim të dukshëm nga viti 2022 (46%). Në Shqipëri, ku anketa është realizuar për herë të parë, Bosnje e Hercegovinë, në Mal të Zi e renditin papunësinë si shqetësimin e dytë më të madh, ndërsa në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut, papunësia renditet si shqetësimi i tretë më i madh.

Korrupsioni në Maqedoninë e Veriut, renditet si problemi i dytë më i madh, i përkeqësuar me tre herë në krahasim me vitin 2022. Edhe në Serbi korrupsioni është po ashtu shqetësimi i dytë më i madh. Ndërsa në Shqipëri, Mal të Zi, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë korrupsioni renditet si problemi i tretë më shqetësues nga të anketuarit.

Pjesa dërrmuese, në të 6 vendet pohojnë se korrupsioni është një problem serioz për vendet e tyre: 97% në Shqipëri, 90% në Maqedoninë e Veriut, 89% në Malin e Zi, 88% në Kosovë, 86% në Bosnje e Hercegovinë dhe 83% në Serbi. Të anketuarit në Shqipëri perceptojnë si ndër më të korruptuarit, kryeministrin dhe qeverinë, shërbimet publike, drejtësinë, partitë politike dhe oligarkët, ndërsa në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi më shumë të korruptuar perceptohen partitë politike, shërbimet publike, drejtësia dhe oligarkët.

Qytetarët e anketuar, vlerësojnë se shqetësime kryesore si çmimet, papunësia dhe korrupsioni, duhet të trajtohen me përparësi të lartë nga qeveritë e vendeve të tyre.

Në Serbi vetëm 6 për qind e të anketuarve e cilësojnë temën e Kosovës si një problem të rëndësishëm, me të cilin po përballet vendi i tyre, ndërsa vetëm 4 për qind e tyre mendojnë se Kosova duhet të jetë një përparësi kryesore për t’u trajtuar nga qeveria. Ata kanë renditur para saj, shumë shqetësime të tjera si ekonomia, korrupsioni, varfëria, papunësia, shëndetësia dhe kriminaliteti.

Sipas këtij sondazhi rajonal, në Maqedoninë e Veriut janë shtuar skeptikët lidhur me drejtimin nga po shkon vendi. Dy vjet më parë 75% e të anketuarve mendonin se Shkupi po ecte në drejtimin e gabuar, ndërsa tani ata që kanë këtë mendim janë shtuar në 78 për qind.

Tre të katërtat e të anketuarve në Bosnjë dhe Hercegovinë, mendojnë se vendi i tyre po shkon në rrugën e gabuar. Në Shqipëri pak më shumë se gjysma e të anketuarve (52%) mendojnë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar, ndërsa 42% pohuan se vendi është në rrugën e duhur.

Kosova shënon sivjet një përmirësim optimist të situatës. Dy vjet më parë 55 për qind mendonin se Prishtina po shkonte në drejtimin e gabuar, ndërsa sot 65 për qind e të anketuarve mendojnë se Kosova është në rrugën e duhur. Në Malin e Zi më shumë se gjysma e të anketuarve (52%) mendojnë se vendi po shkon në drejtimin e duhur, përkundër pjesës tjetër (41%) e cila mendon të kundërtën.

Në Serbi më shumë se gjysma e të anketuarve (56%) janë të kënaqur me rrugën që po ndjek vendi i tyre, afërsisht i njëjti rezultat me dy vjet më parë. Në mënyrë të përsëritur, nga viti 2020, 2022, 2024, më shumë se gjysma e të anketuarve në Serbi (57%) mendojnë se ajo për të cilën Serbia ka më shumë nevojë aktualisht është qëndrueshmëria dhe vazhdimësia, kundrejt pjesës tjetër (40%) që thotë se duhet ndryshimi, i cili sipas tyre duhet të përfshijë politikanët kryesorë dhe partitë në pushtet, situatën ekonomike, standartet kulturore dhe administrative.

Sondazhi i IRI-t ka një kapitull për standartet demokratike dhe të drejtat e njeriut. Në Maqedoninë e Veriut të anketuarit vlerësojnë se po ecën “keq” dhe “shumë keq” demokracia (58%), të drejtat e njeriut (62%), ekonomia (86%), ndërsa po ecin “mirë” dhe “shumë mirë” liria e medias (54%) dhe sundimi i ligjit (78%). Në Shqipëri të anketuarit pohuan se janë “keq” dhe “shumë keq” demokracia (54%), të drejtat e njeriut (53%), ekonomia (74%), ndërsa po ecën “mirë” dhe “shumë mirë” liria e medias (51%). Lidhur me sundimin e ligjit, të anketuarit, janë të ndarë përgjysmë në vlerësim të mirë dhe të keq.

Të anketuarit në Kosovë vlerësojnë se po ecin “mirë” dhe “shumë mirë” demokracia (80%), të drejtat e njeriut (75%), liria e medias (83%), sundimi i ligjit (63%), ndërsa për ekonominë 71 për qind e tyre thonë se është “keq” dhe “shumë keq“. Në Malin e Zi pohuan se janë “mirë” dhe “shumë mirë” demokracia (59%), të drejtat e njeriut (54%), liria e medias (62%), ndërsa “keq” dhe “shumë keq” vlerësojnë ekonominë (74%) dhe sundimi e ligjit (58%).

Të anketuarit në Serbi vlerësojnë “mirë” dhe “shumë mirë” demokracinë (58%), të drejtat e njeriut (60%), lirinë e medias (59%), mbizotërimin e ligjit (53%), ndonëse ekonominë e cilësojnë (69%) “keq” dhe “shumë keq”. Në Bosnje dhe Hercegovinë pas një vlerësimi të “mirë” për demokracinë (53%) dhe lirinë e medias (62%), të tjerat, për të anketuarit shkojnë “keq” dhe “shumë keq”, të drejtat e njeriut (53%), ekonomia (74%), sundimi i ligjit (60%).

Liria e medias vlerësohet si një temë më vete në anketimin e IRI-t. 82% e të anketuarve në Kosovë mendojnë se media atje është e lirë për të mbuluar çështje në mënyrë të pavarur. Këtë mendim kanë 64% e të anketuarve në Mal të Zi, 61% në Bosnje e Hercegovinë, 60% në Serbi, 53% në Maqedoni të Veriut dhe 51% në Shqipëri.

Besimi tek politikanët dhe institucionet është në nivele të ulëta në të gjithë gjithë vendet e rajonit. Në Shqipëri, sipas anketës, mosbesimi më i lartë është ndaj parlamentit (77%) dhe ndaj partive politike (76%). Afro 60 për qind e të anketuarve pohojnë se nuk kanë besim tek asnjë politikan. Mosbesimi shprehet ndaj KQZ-së (59%), ndaj gjykatave (58%), ndaj presidentit (52%), ndaj kryeministrit (51%). Ata janë të ndarë, në mënyrë të barabartë (49%-49%) në besimin ndaj medias, ndërsa institucionet që besojnë më shumë janë ushtria (51%), institucionet fetare (59%) dhe policia (63%).

Edhe në Kosovë mosbesimi më i lartë shprehet ndaj partive politike (66%) dhe ndaj gjykatave (51%). Të anketuarit atje janë të ndarë (50%/48%) në besimin ndaj parlamentit, ndërsa ata shprehin besim të lartë ndaj medias (54%/44%), ndaj KQZ-së (60%), ndaj kryeministrit (63%), ndaj presidentit (66%), ndaj institucioneve fetare (85%), ndaj policisë (89%) dhe ndaj ushtrisë (91%).

Në Maqedoninë e Veriut të anketuarit shprehin shumë mosbesim ndaj gjykatave (81%), ndaj parlamentit (77%), ndaj kryeministrit (74%), ndaj partive politike (70%), ndaj presidentit (68%), ndaj KQZ-së (65%), si dhe ndaj policisë (51%). Megjithatë ata kanë besim tek media (50%/49%), tek ushtria (60%) dhe tek institucionet fetare (67%).

Të anketuarit në Malin e Zi shprehin mosbesim ndaj partive (69%), ndaj parlamentit (54%), ndaj mediave (55%). Ata pohuan se kanë besim ndaj KQZ-së (50%), ndaj kryeministrit (50%), ndaj gjykatave (52%), ndaj presidentit (59%, ndaj policisë (66%), ndaj besimeve fetare (71%), dhe ndaj ushtrisë (80%).

Në Serbi mosbesimi është po ashtu i konsiderueshëm ndaj partive (66%), ndaj gjykatave (60%), ndaj medias (54%), ndaj parlamentit (51%). Megjithatë të anketuarit shprehin besim tek policia (51%), te kryeministri (58%), te presidenti (62%), te ushtria (63%) si dhe te institucionet fetare (66%).

Në Bosnje dhe Hercegovinë mosbesimi më i lartë shprehet ndaj partive politike (78%), ndaj parlamentit (68%), ndaj kryeministrit (63%), ndaj KQZ-së (59%), ndaj Presidencës (59%), ndaj gjykatave (55%), ndërsa të anketuarit shprehin besim të lartë ndaj mediave (54%), ndaj ushtrisë (64%), ndaj institucioneve fetare 72%, dhe ndaj policisë 75%

About Krye Redaktor

Check Also

Kërcënimi mafioz i Ramës për Ahmetajn: Po fole…

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj do të flasë sërish nga arratia. Gazetari Çim Peka ka publikuar disa …