Policia e Kosovës sekuestron një sasi të madhe armësh në Veri

Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një operacion të madh në veri të vendit, ku ka gjetur dhe konfiskuar një sasi të madhe armatimesh. Gjatë një konference të jashtëzakonshme për mediat, zyrtarët e lartë të policisë kanë bërë të ditur se këto janë planet ogurzeza të Serbisë.

Në këtë konferencë ishte i pranishëm, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha.

“Stacioni policor i Zveçanit, nga informacionet e pranuara dhe nga AKI ka kryer një bastisje në rrethinën e Zveçanit në afërsi të Urës së Hekurt. Aty është gjetur armatim, pajisje ushtarake, eksploziv, shok-bomba, të cilat dyshohet se janë lënë atje me qëllim të sulmit ndaj inistitucioneve të sigurisë së Kosovës dhe krijimit të pasigurisë dhe krijimit të një situatë të pazakontë të sigurisë në këtë pjesë”, tha Hoxha në konferencë për media.

Sipas tij, policia ka arritur me sukses ta kryejë operacionin, teksa tregoi sasinë e armatimit të sekuestruar. “1 mijë e 588 municione apo fishekë, 10 armë të gjata, 6AK 47, mitrolozë, 62 shok-bomba, eksploziv, dylbi, radiolidhje, shurdhues, karikatorë të mbushur e të zbrazët, maska, antiplumb, unifromë e ushtrisë serbe dhe 10 uniforma të Policisë së Kosovës, pajisje për dronë, etj”, tha ai.

Sveçla tha se ky arsenal është mbetje e armatimit të grupeve terroriste nga Radoiçiç të dirigjuara nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.

“Është depoja e pestë që brenda vitit që ne kemi zbuluar dhe është edhe një dëshmi e përfshirjes direkte e shtetit të Serbisë në tendencën për të destabilizuar Kosovën me qëllim okupimin e saj, ose pjesë të saj”.

Sipas tij “ka të dyshuar të tjerë për të cilët drejtori do t’ju flasë. Këto janë planet ogurzeza të Serbisë. Ne nuk do të ndalemi për të ofruar siguri qetësi dhe stabilitet qoftë për qytetaret tanë dhe sovranitet dhe integritet territorial për Kosovën. Patjetër të gjithë ata që janë përfshirë në akte dhune, akte terorrizmi ata të cilët cenojnë rendin kushtetues dhe integritetin territorial shkelin ligjin të gjithë do të vihen para drejtësisë dhe do të dënohen bazuar në veprat që i kanë shkaktuar sigurisë së Kosovë”.

About Redaksia

Check Also

Drejtori i FBI mashtron Amerikën dhe botën për atentatin ndaj Trump

Donald Trump u godit në veshin e djathtë nga një prej plumbave të atentatorit Thomas …