CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

AMT: Policia e Shtetit tregoi edhe një herë se është e zhytur në llumin e krimit!

Deklaratë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit

Të nderuar qytetarë!

Edhe një herë, Policia e Shtetit me aktin e saj të radhës, si vasale e pushtetit mafioz, tregoi se është e zhytur në llumin e krimit, kur loja luhet për interesat më fitimprurëse të njerëzve me pushtet, në kurrizin tuaj.

Qëndrestarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit shprehin indinjatën dhe revoltën e thellë kundër procedimit të sotëm penal nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ndaj aktivistes dhe mikes sonë, avokates Adriana Kalaja, e cila ka qenë dhe mbetet një nga zërat më të guximshëm kundër çdo akti mafioz në dëm të demokracisë në Shqipëri dhe në dëm të çdo qytetari shqiptar.

Nëse Adriana Kalaja akuzohet për nxitje dhune, verbale, i kujtojmë Policisë së Shtetit, se ka qenë ajo së pari, që ka ndaluar sistematikisht në çdo protestë hyrjen e këshilltarëve bashkiakë në bashki, për të ushtruar detyrën e tyre.

Kanë qenë së pari efektivët e saj të rreshtuar kërcënueshëm, që kanë uzurpuar hyrjet në ndërtesën, që i përket zgjidhjes së halleve të popullit, duke e fortifikuar kështu bashkinë e Tiranës si kështjellë të hajdutërisë, të ndëshkimit të qytetarëve dhe të vrasjes së kujtesës historike të qytetit.

Përpara se këta me demek ligjzbatues të procedojnë penalisht qytetarë të thjeshtë, qytetarë me ndërgjegje të lartë shoqërore, që luftojnë për të mirën e përbashkët, le të gjejnë personat në radhët e tyre pa numër identifikimi, që ua lëshojnë me zell qytetarëve të pambrojtur, sa herë bëhet fjalë për të mbrojtur krimet më të rënda të pushtetit ndaj popullit. Për tri ditë mbërrin përvjetori i katërt i kobshëm i shkatërrimit të Teatrit Kombëtar dhe policia ende nuk ka gjetur efektivët e saj pa numër identifikimi, që mësynë si hordhi brumbujsh mbi mbrojtësit e pambrojtur të Teatrit dhe i nxorën barbarisht, duke u drejtuar armët.

I kujtojmë gjithashtu Policisë së Shtetit individët civilë pa dokument, që rrëmbejnë protestuesit, ndaj të cilëve nuk merret asnjë masë.

Vetë avokatja Adriana Kalaja ka kaluar një situatë të tillë në vitin 2019, kur një grup policësh civilë u përpoqën ta rrëmbenin si banditë. Vetëm falë reagimit të menjëhershëm të pjesëtarëve të tjerë të AMT, gjesti banditesk dështoi.

Mbi ç’baza ligjore Policia e Shtetit i kryen këto veprime e shumë të tjera të ngjashme, çdo ditë të vitit?

Mos ndoshta këto akte i duken fisnike? I duken, se po lartësojnë dinjitetin e saj?

Po kryen detyrën?

Duke mbrojtur të pambrojtshmen: hajdutërinë, maskarallëkun, çnjerëzoren, që klika e Rilindjes Mavi e ka ngritur atje, ku s’e kishim parë as në ëndërr?

Nëse efektivët e policisë nuk do të vinin të armatosur, sikur po luftojnë armiqtë e kombit, edhe qytetarët padyshim do të ishin më paqësorë.

Rrethimi me gardhe e mburoja nuk është gjë tjetër, veç provokim ndaj atyre, që kërkojnë të drejtat e tyre të ligjshme dhe tregon pozicionimin e policisë në krah të së keqes, në krah të mafies, që po e zbraz vendin.

I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të dekriminalizojë ndërgjegjen e saj dhe t’i japë fund sa më parë kësaj mbrojtjeje të shëmtuar, që po u bën krimeve kaq mizore mbi jetët e qytetarëve shqiptarë.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …