Shpëtbythja për një koromane…

Nga Edmond BUDINA
Qendrestari i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe artisti shumë dimensional 

Kur një shoqëri e ka të lidhur ekzistencën e vet me koromanen e bukës, që i hedh i forti a pushtetari i radhës, ajo është o e shpërbërë ose në rrugën e shpërbërjes përfundimtare.

Takimi i një kryetari partie me militantët e vet është diçka normale e po ashtu edhe takimi me emigrantët, që jetojnë në diasporë, por është sa e pakuptimtë, po aq edhe qesharake të nisesh nga Shqipëria me flamurë e taborë dhe të hiqesh se po u flet emigrantëve.

Të gjithë taboristët u nisnë pikërisht për koromanen, të detyruar dhe me frikën se mos i heqin nga puna.

Në ç’kohëra jetojmë!

Dhe për dikë, koromania u pre. Nuk do të merrem me fjalimin e djersitur të KryeK-së, KryeKreut tonë farfuritës, po me rastin më tipik.

Atë të një drejtori teatri. Personazh tipik, në rrethana tipike, si në artin e realizmit socialist, shembulli i “intelektualit” të sotëm koromanist.

Shumë flasin për hakmarrjen primitive të KryeK-së, i cili detyroi të dorëhiqej drejtorin e teatrit, që dikush e quan njeri të mirë, dikush një nga intelektualët më të mirë, apo njeri vërtet i respektuar.

Nuk di si mund të jetë i respektuar një dikush, që nuk ka respekt për veten, e shpërbyth atë.

Për mua, vetëm duke parë qendrimin e tij, është një njeri pa pikën e dinjitetit, që e bën veten qesharak, si i thonë “po leckë fare”.

E bën leckë i detyruar a me dëshirën e tij, kjo nuk ka pikë rëndësie.

Kur tha në videon e Piranjave se e kishin detyruar dhe se në Fier “s’ka mbetur njeri”, ai ishte plotësisht i vërtetë dhe nuk e tha për të treguar se ishte një kundërshtar, po thjesht për t’u zbavitur e mburrur përpara një të ngjashmi me veten.

Nëse do ta dinte se tjetri nuk ishte i sojit të tij, as që do ta hapte grykën ose do t’i thurrte lavde KryeK-së.

Shumë më e shëmtuar ishte deklarata e tij për dorëheqjen, kur thotë edhe se “ishte nxjerrë nga konteksti dhe ishte një shaka”.

Ku qendron morali këtu?

Nëse ishte burrë dhe do të kishte sado pak moral, ai duhej të pranonte se ato që kish thënë në video ishin të vërteta, ose së paku të heshtte dhe nuk kishte pse të paraqiste dorëheqjen, sepse kishte dhënë thjesht opinionin e tij. Nuk kish kryer as krim, as gabim, as ish treguar i paaftë. Nuk dorëhiqet një titullar për opinion, qoftë ky edhe i kundërt me atë të udhëheqësit. Dorëheqja dhe sidomos deklarata e bëjnë dyfish të padinjitetshëm.

Një njeri që lëpin atë që ka pështyrë dhe thotë: “Jam krenar që mora pjesë në atë takim historik!”

Gjithë Shqipëria pa se sa autobuzë shkuan në Athinë dhe se si pozonin në “takimin historik” punonjësit e administratës publike.

E patë Raqkën e Korçës? Mbase edhe ai do të dalë të na thotë se ishte me teatrin Çajupi në festivalin “Kokorakakara fest” të Allasonja-s dhe, ishte që ishte, u duk edhe nga “manifestimi patriotik” ku KryeK-ja i madh ua përplasi në fytyrë “monarkofashistëve” grekë çështjen e gjenocidit çam, për të cilin ka folur gojëkyçur për dekada të tëra. Njëjtë si shoku Enver, që e bëri “copë” revizionizmin modern në mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë.

Mbase edhe Roskovecarja e parë ka shkuar me “palikarët” e vet në festivalin e ” bibave” në Kallabaka ose Leshjansi i parë, në festivalin e “shtojzovalleve të zhvirgjëruara” në malin Athos, apo ai tjetri në festivalin e “Portokallive” andej nga Tërhalla e kështu me radhë në festivalet e vajgurseve, tërmeteve me ministraqirjatë. Gjithë taborët e bashkive, me kuç e me maç, kishin marrë udhën për të festivaluar në atë qerrata festival të KryeK-së. Dhe më e turpshmja është kur sheh masturbimin e intelektualëve të “shquar”, që e quajnë takimin historik dhe pjesëmarrësit heronj. Këta “heronjtë” që shkuan nga Shqipëria për të siguruar vazhdimësinë e koromanes. Po edhe intelektualët, me sa duket, ia shesin shpirtin djallit, për të siguruar koromanen e tyre.

A thua kjo është elita jonë kombëtare, që për ca privilegje e pagesa e bën faqen rrogoz? Kur edhe intelektualët lëpijnë karkalecat e pushtetarëve, kur e pranojnë korrupsionin si normalitet, vendi ka marrë të tatëpjetën dhe është buzë greminës.

Mbase edhe për këtë, Shqipëria është vendi më i korruptuar dhe më i prapambetur i Europës, por me një nga mafiet më të rrezikshme.

About Redaksia

Check Also

Kur mediat nuk kanë interesin publik primar, por pagesat nga inceneratorët…

Nga Adriana KALAJA Sot gjithë mediat që paguhen nga inceneratorët, dhanë lajmin e dosjes së …