Veliaj i jep një OJF-je menaxhimin e Piramidës pa garë dhe pa transparencë!

Bashkia e Tiranës e ka kaluar Piramidën nën administrimin e një organizata jo fitimprurëse. Në mungesë të garës dhe transparencës, bashkia i ka dhënë administrimin e objektit dhe territorit rreth Piramidës një organi që nuk është subjekt i ligjit për të drejtën e informimit.

Krijimin e Qendrës “Tech Piramida”, si person juridik që bashkëthemelohet me Fondacionin Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim dhe Bashkisë Tiranë” si dhe “dhënien në përdorim pa kundërshpërblim në favor të Qendrës “Piramida”, të pronës me me sipërfaqe trualli dhe ndërtese 4294 m²”.

Bëhet fjalë për vendimin e Këshillit Bashkiak të datës 07.06.2019 për miratimin e memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe fondacionit Shqiptaro-Amerikan për zhvillim për projektin e restaurimit dhe rijetëzimin e piramidës, krijimin dhe pjesëmarrjen e Bashkisë Tiranë në organizatën jo-fitimiprurëse qendra “Tech Piramida”.

“Ngarkohet kryetari i bashkisë për caktimin e përfaqësuesve të bashkisë Tiranë në bordin drejtues të qendrës “Tech Piramida”- citohet në vendim.

Ndërsa tre muaj më vonë, më datë 25.10.2019 Këshillit Bashkiak publikoi vendimin për miratimin e marrëveshjeve së bashkëpunimit “Për themelimin dhe funksionimin e Qendrës “Piramida”, është themeluar Qendra “Piramida”, një organizatë jo-fitimprurëse, pa anëtarësi në formën e një Qendre, e regjistruar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

“Kryetari i Bashkisë të ngrejë grupin e punës për dorëzimin e pasurisë dhe transferimin kapital të aktiveve në regjistrat kontabël të Qendrës “Piramida” – citohet në vendim.

Bashkia Tiranë nuk specifikoi në përgjigjen e dhënë për Citizens.al nëse aktualisht objekti i Piramidës po administrohet nga qendra “Tech Piramida” apo qendra “Piramida”. Citizens.al është në pritje të një përgjigje nga institucioni në fjalë për ta vërtetuar se cilës organizatë jo fitimprurëse i është deleguar menaxhimi.

Në një konferencë për mediat, në 15 vjetorin e AADF – së (Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ) në Shqipëri, kryetari i bordit i këtij fondacioni Michael Granoff i tha Citizens.al se kjo organizatë jo fitimprurëse shërben si mjet për të menaxhuar në formë sa më eficente paratë që qarkullon ky objekt.

Sipas Granoff, fakti që kjo organizatë është jo fitimprurëse, tregon se nuk ka qëllim tjetër përveçse sigurimin që “paratë të kalojnë nga dera e përparme dhe jo e pasme”.

“Organizata sapo ka nisur punën dhe sigurisht si çdo projekt tjetër që AADF mbështet në fund të vitit do bëhet auditimi, është një nga rregullat kryesore që ne përdorim në bashkëpunim, publik apo privat dhe çdo veprim do jetë transparent në fund të vitit” – tha për Citizens Martin Mata, bashkëdrejtori dhe përfaqësuesi i këtij fondacioni në Shqipëri.

Ai shton se AADF e konsideron veten si partner momental dhe se nuk duan që të japim para përgjithmonë nëse projekti nuk e siguron dot qëndrueshmërinë vetë.

Gjatë konferencës Granoff analizoi se lëshimi i hapësirave me qira te Piramida është i nevojshëm si burim të ardhurash për të sponsorizuar financimin e edukimit teknologjik të mbi dy mijë të rinjve çdo javë në qendrën Tumo.

Në lidhje me transparencën e kostove të këtyre bizneseve me qira dhe fitimeve Granoff tha se duhet t’i drejtohemi Bashkisë Tiranë, pasi ai është institucioni përgjegjës për transparencën.

Mirëpo kur Citizens ju drejtua Bashkisë Tiranë për tu njohur me ofertat dhe shërbimet e biznesit që operojnë aktualisht te Piramida, Bashkia na u përgjigj se duhet ti delegojmë pyetjet te Piramida.

“Qendra “Piramida”, nuk është një autoritet publik, për këtë arsye çdo subjekt i interesuar duhet t’i drejtohet drejtpërdrejti qendrës për t’u informuar në detaje mbi çështje, që është i interesuar në lidhje me të” – theksohet në përgjigje.

Kujtojmë se AADF ka pasur kritika të vazhdueshme për menaxhimin në bashkëpunim edhe për Parkun e Butrintit, çështje e cila u mbyll përpara ca ditësh nga Gjykata Kushtetuese, e cila i hapi rrugë zbatimit të këtij bashkëpunimi, pavarësisht kritikave nga raporti i Unescos./Citizens

About Redaksia

Check Also

Argita Malltezi: Pas rikthimit të vulës, demokratët po rikthehen në PD

Argita Malltezi ka komentuar vendimin e Gjykatës së Apelit e cila riktheu vulën dhe logon …