Agaçi në SPAK për inceneratorin e Tiranës, “roli” i tij në aferën qindra miliona euro

Engjëll Agaçi është paraqitur mëngjesin e sotëm në Ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Ende nuk dihet arsyeja e thirrjes së Engjëll Agaçit në Prokurorinë e Posaçme, por dyshohet se do të dëshmojë për aferën e inceneratorit të Tiranës.

Kujtojmë që ditët e fundit, Prokuroria e Posaçme ka shtuar në mënyrë intensive hetimet për aferën e inceneratorit të Tiranës, ku kryebashkiaku Erion Veliaj dhe zv/kryeministrja Belinda balluku kanë dhënë “llogari” përballë prokurorëve për atë që quhet si “vjedhja e shekullit”.

Kujtojmë që kjo nuk është hera e para që Engjëll Agaçi futet në ambientet e Prokurorisë së Posaçme pasi më herët ai është pyetur edhe për inceneratorin e Fierit dhe të Elbasanit.

Gjithashtu emri i Engjëll Agaçit  u përmend gjatë investigimit në dokumentarin e transmetuar në “Rai 3” ku ai shihet si negociator mes qeverisë Rama dhe Meloni për marrëveshjen e refugjatëve.

Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi ka një “rol” kryesor në afera qindra-milionë euro e inceneratorëve e cila mbërrin deri në majën e kupolës shtetërore.

Gjeneza e aferës nisi me procedurat për impiantin e përpunimit të mbetjeve në Elbasan, të cilat u pasuan me sipërmarrjet e ngjashme në Fier dhe Tiranë.

Dokumentat dëshmojnë për rolin thelbësor të zëvendës-kryeministri aktual, Arben Ahmetaj dhe ish-Ministri i Infrastrukturës dhe aktualisht Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri.

Por, mbi ta qëndron emri i Ëngjëll Agaçit, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe i konsideruar edhe si “eminenca gri” e kryeministrit Edi Rama.

Ai është zyrtari që mban përgjegjësinë për verifikim e dokumentacionit, procedurave, draft kontratave, përpara se ato të kalojnë për miratim në Këshillin e Ministrave.

Në kuadër të hetimeve të zgjeruara, figura të rëndësishme të pushtetit qendror (Balluku) dhe lokal (Veliaj) janë thirrur për të dëshmuar në SPAK për afera qindra miliona euro që u janë vjedhur taksapaguesve shqiptarë përmes inceneratorëve.

Zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht ministrja e Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku pasditen e 15 majit për mbi 3 orë u “mbyll” në Prokurorinë e Posa¢me duke u pyetur nga prokurorët për rolin e saj në këtë aferë.

Në një prononcim të shkurtër për mediat, Balluku bëri dije se është marrë në pyetje nga oficerët e BKH-së në lidhje me inceneratorin e Tiranës, si person në dijeni të hetimit.

Balluku deklaroi se drejtësia ka punën e saj dhe se e mbështet. Sipas saj, kjo dosje ka bërë pis të madh e të vogël dhe ka ardhur koha të zbardhet, për të ndarë të mirën nga e keqja dhe punën e ndershme nga abuzimi i pafalshëm.

“Ishte një thirrje për dosjen 255, që është dosja e inceneratorit të Tiranës. Duhet të jepja disa sqarime që besoj të kenë shërbyer në zbardhjen e kësaj dosje. Kjo është ndarja e vërtetët e pushteteve. Qeveria ka punën e saj, parlamenti ka punën e tij dhe drejtësia ka punën e saj dhe ne jemi këtu për ta mbështetur. Kjo është një dosje që ka bërë pis të madh e të vogël dhe ka ardhur koha të zbardhet, për të ndarë njëherë e mire të mirën nga e keqja, punën e ndershme nga abuzimi i pafalshëm.” – tha Balluku për mediat.

Me anë të kësaj deklarate, Balluku pranon indirekt se inceneratori i Tiranës, për të cilin janë paguar miliona euro dhe nuk ekziston, është një abuzim i pafalshëm.

Fletë-thirrja ndaj Belinda Ballukut vjen pak kohë pas asaj ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili dëshmoi para oficerëve të BKH-së në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës.

Vlen të theksohet fakti se në lidhje me inceneratorin e Tiranës, Belinda Balluku përmes një shkrese me datë 10 korrik 2023, iu drejtua kryebashkiakut Erion Veliaj ku i thotë shprehimisht se dy anëtarët e Bashkisë Tiranë në Njësinë e Zbatimit të Projektit (NJZP), kanë bllokuar prej më shumë se dy vitesh punën e kësaj strukture.

Si drejtuese e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës, pasardhëse e Gjiknurit, Belinda Balluku mban përgjegjësi edhe për pagesat ndaj inceneratorit të Fierit dhe Elbasanit.

About Redaksia

Check Also

Proçedohet penalisht Tom Doshi