Ila dhe Katani    

NGA LEGJENDAT E POPUJVE TË AZISË

Përkthim
Agim Xh. Dëshnica 

Magjistari Balkash na kishte një vajzë të bukur. E quanin Ila. Fama e saj ishte përhapur në tërë mbretëritë. Nga qytetet afër e larg e kërkonin për nuse bij mbretërish, djem të pasur, doktorë e tregtarë. Por, bukuroshja nuk pëlqente asnjë. Atëherë Balkashi vendosi. Ata që donin të  martoheshin me të bijën, më parë duhej  të tregonin  aftësitë e tyre, duke u ndeshur me njëri tjetrin.

– Kush do të dalë më i zgjuar, më i shkathët e më i fuqishëm, do të marrë Ilën për nuse! – njoftoi magjistari.

Dëgjoi të flitej për vajzën edhe Katani, djalosh nga një familje e padëgjuar. Katani na kishte një çift kuajsh të shpejtë e të bukur. Ai dallohej për mençuri, guxim, shkathtësi dhe fuqi. Ashtu  si gjithë  të tjerët,  djaloshi u nis për në pallatin e magjistarit të provonte fatin.

Balkashi nuk deshi aspak të bisedonte me të. Por, Ila sa e pa, ra në dhashuri me Katanin.  Iu lut të atit, që edhe Katani të merrte pjesë në ndeshjet. I ati pranoi. Ai doli i pari në të gjitha garat, në gjë e gjëza, në mundje, në vrapimin në këmbë e me kuaj. Megjithatë, Balkashi nuk e mbajti fjalën. Si mund të pranonte ai për bijën e vet një dhëndër nga shtresë e ulët!

Vajza u dëshpërua aq shumë, sa gjithë ditën derdhi lot. Natën,  fshehtas, e takoi Katani dhe i tha:

– Nëse  ti më dashuron, hajt të arratisemi!

Ajo u hodh përpjetë nga gëzimi. Po atë natë ata të dy u larguan me kuajt e djalit të dashuruar.

Balkashi, me të marrë vesh  arratisjen e tyre, u egërsua. Zëri i tij jehoi si bubullimë nëpër fusha e lart në male. U thirri  të ikurve të ndalonin, por ata vraponin si era. Atëherë, magjistari u hodh me tërbim nëpër fushë. Tek po u afrohej, befas nën këmbët e kuajve të shpejtë u bë liqen. I gjerë e i thellë është liqeni edhe sot. Në sipërfaqen e tij pasqyrohen malet hijerëndë mbuluar me re e borë.

Qysh prej asaj kohe, liqeni mban emrin Balkash. Ilën  e Katanin, me anën e magjisë, Balkashi i fuqishëm i ktheu në lumenj. Ditë e natë nga drejtime të ndryshme, ata të dy rrjedhin me rrëmbim në liqenin e madh. Shekuj me radhë ushtojnë së bashku pa pushim me valë të shkumëzuara. Përpiqen më kot të shkrihen në një lumë të vetëm.

About Redaksia

Check Also

Bedri Myftari, shkrimtari rebel me shpirt të dlirë

Rexhep POLISI Bedri Myftari është një nga ata shkrimtarë që ka lënë gjurmë në letërsinë …