Noka-Dumanit: I keni hapur proces ligjor kryetarit të opozitës pa asnjë fakt dhe provë dhe e mbani të burgosur politik

FJALA E SEKRETARIT TE PERGJITHSHEM TE PD NE KOMISIONIN E LIGJEVE:

Është një seancë interesante.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit normalisht duhej të ishte dhe duhet të jetë prioritet i çdo institucioni ligjzbatues.

Në kushtet e Shqipërisë duhej të ishin në këmbë të gjitha institucionet.

PD është një parti e demonstruar qartësisht si parti e shtetit ligjor dhe e angazhuar që nga fillimi në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ky do jetë dhe do mbetet prioriteti i yni.

Në kundërshtim me atë që shohim te kolegët e Rilindjes. Rilindja sot është e zhytur e gjitha në batak. Të gjitha raportet ndërkombëtare e qartësojnë këtë.

E nisën pushtetin me një parlament të mbushur me kriminelë, po e mbyllin pushtetin me një parlament të mbushur me të korruptuar dhe individë që kanë pasur si synim vetëm zhvatjen e taksave të qytetarëve.

Normalisht kjo do kërkonte që një institucion zbatues si i juaji duhej të vinte këtu me shifra dhe të dhëna të tjera dhe të kishte në fokus këtë situatë.

Sondazhet më të fundit të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim tregojnë se 81 përqind e qytetarëve shqiptarë e vlerësojnë korrupsionin si masiv dhe shumë të përhapur në vend.

Për fat të keq, për vitin 2023 po flasim, për fat të keq në këto sondazhe citohet se ka një rritje të korrupsionit me 4.8 përqind nga viti 2022 në vitin 2023.

Kjo tregon që lufta kundër korrupsionit nuk po njeh trend rritës ose nuk ka impakt.

Gjatë vitit 2023 sipas raportit që keni dorëzuar ju në KLP, janë dërguar në gjykatë gjithsej 38 çështje për veprën e korrupsionit. Kur krahason shifrat, kjo shifër është niveli më i ulët absolutisht në 20 vitet e fundit.

Dhe të raportohet niveli më i ulët i çështjeve që kanë shkuar në gjykatë, ndërkohë që korrupsioni është më i larti që kur është themeluar shteti shqiptar, këtu ka një problematikë.

Sipas raportit të DASH, në vitin 2008, task-forca e krimit ekonomik dhe korrupsionit, ku keni qenë edhe ju vetë, ka dërguar në gjykatë 155 çështje, pra 4 herë më shumë çështje se tani.

Ju kujtoj se në qeverisjen 2005-2013 kishte një ligj ku ministrat e kishin të ndaluar të merreshin me tendera. Me tenderat merreshin Sekretarët e Përgjithshëm dhe zëvendësministrat.

Si shpjegohet kjo kontradiktë e madhe, edhe sipas të dhënave të DASH apo të KE, por edhe sipas sondazheve dhe asaj që dihet, korrupsioni është shumëfishuar, goditja ndaj tij është minimizuar.

Mos vallë i keni duart e lidhura?

Mos vallë keni një ngërç diku sepse Rama funksionon edhe me pengmarrje dhe ne e njohim se si funksionon Edi Rama.

Ju sot keni 18 prokurorë, janë edhe 60 hetues të BKH. Task-forca e luftës kundër krimit dhe korrupsionit në atë kohë nuk kishte as gjysmën e këtij stafi, keni qenë edhe ju.

Pra pyetja është se si e shpjegoni dhe mos vallë i keni duart e lidhura. E them këtë duke e ditur se si funksionon Rama.

Pyetja e dytë, ju i keni hapur proces ligjor kryetarit të PD dhe opozitës pa asnjë fakt dhe asnjë provë. Sot mbani të burgosur politik atë pa akuzë. Rast unik dhe i pabazuar në ligj.

Sigurisht nisët një proces ndaj tij në shkelje të Kushtetutës.

Gjithashtu keni hapur një proces ligjor ndaj Fatmir Mediut, një drejtues tjetër i opozitës, megjithëse çështja e tij është parashtruar.

Proces kundër Ilir Metës, drejtues i një tjetër force opozitare.

Mos vallë po përdoreni politikisht për ët luftuar opozitën ose keni një mision të detyruar nga kreu i këtij regjimi?

E gjitha kjo perceptohet si luftë ndaj opozitës, ndërkohë që korrupsioni, vjedhja dhe krimi bëhen tjetër kund.

Pyetje tjetër, kryetari i opozitës mbahet sot i burgosur dhe ju i keni ndaluar të drejtën e komunikimit. A mund të thoni ku e bazoni në cilin ligj të shtetit shqiptar bazoheni ju pasi ligji që i referoheni është abroguar në vitin 2017?

Ku e bazoni ju ligjërisht pengimin e kryetarit të PD për të marrë pjesë në funksionin e tij kushtetues të deputetit në parlament sepse në bazë të ligjeve të këtij vendi, një vendim i tillë bëhet kur ka vendim të formës së prerë të gjykatës?

Hetimi i inceneratorëve, a mund t’i thoni publikut cili është qëllimi dhe pse janë copëzuar hetimet për inceneratorët dhe 5D-në e Bashkisë së Tiranës? Sepse janë vendime që janë marrë nga grup personash. Janë cenuar dhe abuzuar taksat e qytetarëve shqiptarë. Pse i keni copëzuar hetimet edhe për koncesionet?

Kush është përgjegjësi për 130 milionë euro të inceneratorit të Tiranës dhe 430 milionë eurot e inceneratorët në tërësi? Një invidid apo një grup individësh që nuk e quani grup kriminal?

E njëjta gjë edhe për 5D, nga ju ka hezitim për t’i cilësuar si grup kriminal.

Tjetër, dhënia bonus 8 përqind e një kompanie të pakrijuar në rastin e inceneratorit, a përbën vepër penale se është rast unik, i padëgjuar ndonjëherë? Është rast për librat Gines.

Për dosjen Metamorfoza, keni njoftuar që dosja janë firmosur 51 urdhër-arreste në mos gaboj, të arrestuar janë 6 në mos gaboj dhe asnjë nuk është arrestuar tani, të gjithë janë arrestuar për çështje të tjerë. Kush e dekonspiroi këtë operacion, ju apo Policia e Shtetit? Ata e kanë mohuar duke thënë se vetëm shoqërojnë hetuesit e BKH-së.

Kemi të drejtën të dyshojmë se ky operacion njësoj si Forca e Ligjit përdoret si presion ndaj grupeve elektorale për t’i shndërruar në shtabe elektorale për Rilindjen!

Te Metamorfoza sheh një ish-deputet të PS, që ka qenë edhe te dosja 339 që është dosje e krimit elektoral, që organizon grup killerash për të vrarë një tjetër deputet të PS. Ky tjetri organizon grup vrasësish për ta vrarë atë. Kush i ligj gjithë këta? Mos vallë i lidh kryeministri dhe pushteti?

Për çështjen tjetër, një nga shtyllat kryesore për të cilën SPAK është ngritur është edhe krimi zgjedhor. Krimi i organizuar, korrupsioni dhe krimi zgjedhor. A keni dijeni për fatin e dosjes 339 dhe fatin e dosjes 184 si të vetmet dosje të kopsitura të krimit zgjedhor në Shqipëri? Të vetmet dosje ku janë të zhytur që nga kryeministri, ministra dhe politikanë të mazhorancës.

A mendoni se me varrosjen e këtyre dosjeve, të bëra publike ndërkombëtarisht, institucioni që drejtoni ju ka amnistuar praktikisht krimin elektoral?

Për krimet zgjedhore, a është e vërtetë që policia ka referuar vetëm persona pranë opozitës për zgjedhjet e 14 majit 2023? Sa hetime proaktive keni zhvilluar ju për krimet zgjedhore të 14 majit 2023?

Një pyetje tjetër, si i konsideroni prokurimet me negociata të mbyllura? Të ligjshme apo antiligjore?

About Redaksia

Check Also

Turizmi është kthyer në mallkim për qytetarët! Rama shpenzon 400 milionë euro në vit për strategjikët e tij

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka akuzuar Edi Ramën se e ka kthyer turizmin në …