Ujësjellësi i Tiranës i pagoi 72 mijë euro qira Qefalisë për 400 metër tokë në Surrel!

Sistemi i ngritur në Bashkinë e Tiranës dhe ndërmarrjet në varësi të saj duket se nuk lejon asnjë qindarkë të dalë jashtë oborrit. Shoqëria e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë i ka paguar më shumë se 72 mijë euro qira administratorit të njësisë Dajt, Kujtim Qefalia për 400 metër katrorë tokë në Surrel, në të cilën është ndërtuar një depo uji për Ujësjellësin.

Skandali është zbardhur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit pas një auditimi në shoqërinë e Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës.

“Shoqëria “UKT” Tiranë” Sh.a ka lidhur kontratë date 12.06.2019 me subjektin K.Q me objekt “Marrja me qira e tokës mbi të cilën është ndërtuar depo uji me vendodhje në Fshatin Surel, njësia administrative Dajt” me sipërfaqe 511.65 m2 për përdorim toke. Kohëzgjatja e kontratës 1 vjeçare, është me të drejt rinovimi, me vlerë qiraje 173.9 mijë lekë në muaj,” thuhet në raportin e KLSH.

Image

Kujtim Qefalia është vëllai i deputetit socialist Xhemal Qefaliaj dhe një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderave nga Bashkia e Tiranës. Por veç milionave të tenderave, zoti Qefaliaj ka marrë edhe kontratën e qira, e cila i garanton atij 1700 euro në muaj para taksave, një fat që nuk e kanë patur bashkëfsharët e tij të tjerë në Surrel.

Parregullsi

Por sipas KLSH-së edhe kjo kontratë ka parregullsi, pasi sipërfaqja e tokës për të cilën paguhet qira është më e madhe se sa sipërfaqja fizike që ka zënë depo.

“Rrethimi i depos ujit të ujësjellësit (Depo uji, pusetë dhe objekt të Shërbimit (sistem kamera, manovrator etj) është 401.5 m2. Ndërkohë sipërfaqe sipas planimetrisë së kontratës është 511 m2, diferenca =109.5 m2 x 340 lekë m2/muaj =37,230 lekë në muaj x 41.5 muaj (12.06.19 data e lidhjes kontratës deri më 30.11.22 që përfundon auditimi = 1,545,045 lekë përfituar tepër,” thuhet në auditimin e KLSH.

Sipas audituesve të KLSH, për shkak të diferencës së sipërfaqes Ujësjellësi i ka paguar mbi 15 mijë euro më tepër si qira zotit Qefaliaj dhe kjo përbën dëm ekonomik.

“Vlera 1,545,045 lekë përbënë dëm ekonomik për Shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” Sha dhe Buxhetin e Shtetit dhe duhet të dëmshpërblehet nga përfituesi,” rekomandon KLSH

Pas këtij rekomandimi, Ujësjellësi i Tiranës njofton KLSH-në se ka ndërprerë pagesat e qirasë për disa muaj deri në rekuerimin e dëmit. Por kontrata me qefaliajn është rinovuar sërish.

“Eshtë njoftuar Z.Kujtim Qefalia për përmbushjen vullnetare të detyrimit të përcaktuar në Rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kontrata e qirasë nuk është rinovuar nga data 12.06.2023 dhe nga kjo datë (për shtatë muaj) nuk është kryer asnjë pagesë qiraje për përdorimin e truallit të Z.K.Q dhe në vazhdim. Pasi të rikuperohet vlera e lënë për tu arkëtuar do të bëhet kontrata e re,” njofton Ujësjellësi i Tiranës për Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Mbi 72 mijë euro të paguara deri më tani për 400 metër tokë në Surrel, vlera e së cilës po të blihej do të ishte shumë më pak. Por pagesat do të vazhdojnë për shumë vite, pasi depo do të jetë aty. Mesatarisht 20 mijë euro çdo vit, një kontratë përmes të cilës Ujësjellësi i Tiranës praktikisht i ka lidhur një pension të majmë socialistit Qefalia./ Kapitali.al/

About Redaksia

Check Also

Veliaj pranoi se ka aksesuar regjistrin civil, kjo mjafton për ngritur një akuzë për abuzim me detyrën

Gazetari Gjergj Erebara ka ndarë një postim në Facebook, ku e ka kritikuar ashpër veprimin …