Skandali/ Si Veliaj i dha inceneratorit mbi 6 mln euro për mbetjet e Bashkisë së Kamzës

Anëtari i Kryesisë së PD, Belind Këlliçi ka denoncuar ditës e sotme të tjera fakte që fundosin kryebashkiakun Erion Veliaj në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës.

Bëhet fjalë për mbetjet e Bashkisë së Kamzës, të cilat janë depozituar në landfillin e Sharrës, nga kompnia Alko Impeks, prej disa vitesh, ndërkohë që pagesa “Gate Fee” 29 euro për ton  është paguar nga Bashkia e Tiranës që drejtohet nga Veliaj.

Në një deklaratë nga selia blu, Këlliçi publikoi email-et, ku në mars të vitit 2019, Bashkia Tiranë vihet në dijeni se mjetet e kompanisë Alko Impex ishin kapur duke depozituar mbetjet e Bashkisë Kamëz në landfillin e Sharrës, duke i deklaruar këto si mbetje të zonës së Kombinatit në Tiranë. Mbetje të cilat faturoheshin dhe paguheshin nga Bashkia Tiranë, por Erion Veliaj nuk ka ndërmarrë asnjë masë.

Gjithashtu, Këlliçi tha se depozitimi i mbetjeve të Kamzës në landfillin e Sharrës është i faktuar me zë dhe me figurë edhe në 17 nëntor të vitit 2020 nga emisioni “Inside Story”.

Sipas ish-deputetit demokrat deri në prill të vitit 2024, inceneratori i Tiranës nuk ka humbur asnjë cent, pasi koston financiare të depozitimit të mbetjeve të Kamzës e ka mbuluar 100% Bashkia e Tiranës.

Sipas përllogaritjeve, minimalisht Bashkia Kamëz ka 39 mijë ton mbetje në vit, përllogaritur kjo në sasinë totale rreth 195.000 ton për periudhën 2019-2023, me një faturë financiare prej 5.6 milionë euro pa TVSH.

Këlliçi deklaroi se Erion Veliaj në dijeni të plotë, ka hequr nga buxheti i Bashkisë Tiranë mbi 6 milionë euro, për të paguar mbetjet e Kamzës, para të cilat do duhej t’i paguante konçensionari, teksa i bëri thirrje SPAK-ut për ta hetuar.

Deklarata e plotë e Belind Këlliçit

Bashkia Kamëz në vitin 2018 firmosi një kontratë konçensionare për pastrimin, grumbullimin, ndërtimin e një stacioni dhe impianti për trajtimin e mbetjeve dhe depozitimin në landfillin e Sharrës, ku kompania do të merte përsipër edhe pagesën Gate Fee 29 eur/ton. Ky konçension u fitua nga kompania Alko Impex.

Kjo kontratë konçensionare u pasua me shkelje të shumta që Bashkia Kamëz, nën drejtimin e Rakip Sulit nuk i pa asnjëherë. Me Rakipin nuk do të merremi sot, pasi ai siç e ka vetëdeklaruar e ka me shumë dëshirë paraqitjen në SPAK.

Deklarata e sotme do të fokusohet tek korrupsioni i Erion Veliajt me mbetjet e Bashkisë Kamëz. Siç tregohet edhe në këtë e-mail, në mars të vitit 2019, Bashkia Tiranë vihet në dijeni se mjetet e kompanisë Alko Impex ishin kapur duke depozituar mbetjet e Bashkisë Kamëz në landfillin e Sharrës, duke i deklaruar këto si mbetje të zonës së Kombinatit në Tiranë. Mbetje të cilat faturoheshin dhe paguheshin nga Bashkia Tiranë. Erion Veliaj sigurisht nuk ndërmori asnjë masë.

Në 17 nëntor të vitit 2020 publikohet emisioni ‘Inside Story’ në një media kombëtare, ku faktohej me zë dhe me figurë se mbetjet e Kamzës depozitoheshin si mbetje të Tiranës dhe paguheshin nga Erion Veliaj.

Një javë më pas, Drejtori i Përgjithshëm i Punëve Publike në bashki Taulant Tusha, i dërgon një shkresë inceneratorit të Tiranës, për dijeni edhe kompanisë, ku i bënte me dije se nuk do të pranoheshin më depozitime për llogari të bashkisë, nëse kalohej sasia 165 ton mbetje në ditë.

Këtu është edhe komunikimi më flagrant i punonjësve të inceneratorit Tiranë, komunikim i cili fakton përtej çdo dyshimi se shkresa e Taulant Tushës ishte nul dhe se vendimet për zbatimin e ligjit, i merrte pronari faktik i inceneratorit Erion Veliaj.

Në një e-mail të datës 2 dhjetor 2020, shtetasja Esjana Çadri, punonjëse e Stela Gugalles, i shkruan eprorëve të saj se si duhej të vepronte për rakordimin e sasive të mbetjeve bazuar në shkresën e Taulant Tushës.

Këtij e-maili i përgjigjet famozi Elton Bualli, i cili përfitoi 300.000 euro nga AZHBR për ndërtimin e një sere në zemër të landfillit të Sharrës, i cili thotë shprehimisht se: ‘Sipas bisedës me Klodin rakordimi i javës së katërt mos të mbyllet ende derisa të mbyllen disa takime në nivele më të larta, që brenda dy ditësh të na jepet më shumë informacion’.

Këtu lind pyetja e thjeshtë. Kush është nivel më i lartë se Taulant Tusha në Bashkinë Tiranë?

Sipas vetë strukturës të publikuar në faqen online të Bashkisë Tiranë, Taulant Tusha ka varësi direkte vetëm nga Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj.

 

Pra është fare e thjeshtë të kuptohet fakti se Klodian Zoto duhej të merrte urdhër nga pronari faktik i inceneratorit Erion Veliaj, për të vepruar për depozitimin e mbetjeve të Kamzës.

Që të jemi të qartë, deri në prill të vitit 2024, inceneratori i Erionit nuk ka humbur asnjë cent, pasi koston financiare e ka mbuluar 100% Bashkia Tiranë. Për të kuptuar se sa është vlera jemi bazuar në deklarimet publike të Rakip Sulit dhe planit vendor të Bashkisë Kamëz, ku thuhet se minimalisht Bashkia Kamëz ka 39.000 ton mbetje në vit, përllogaritur kjo në sasinë totale rreth 195.000 ton për periudhën 2019-2023, me një faturë financiare prej 5.6 milionë euro pa TVSH.

Erion Veliaj në dijeni të plotë, ka hequr nga buxheti i Bashkisë Tiranë mbi 6 milionë euro, për të paguar mbetjet e Kamzës, para të cilat do duhej ti paguante konçensionari.

I takon tashmë SPAK të hetojë dhe faktojë nëse këto 6 milionë euro para korruptive, kanë përfunduar në llogaritë bankare të të afërmve të Erion Veliajt.

Të nderuar qytetarë,

Kjo është prova e rradhës që Erion Veliaj nuk ka dhënë urdhër vetëm për pagesat e depozitimit të dherave për kullat e Tiranës, nuk ka bllokuar vetëm NJZP, por ka urdhëruar dhe paguar edhe për mbetjet e Bashkisë Kamëz.

Çdo veprim dhe faturë financiare që lidhet me inceneratorin e Tiranës, bëhej me urdhër të Erion Veliajt.

Ditët në vijim të gjitha këto materiale do ti depozitohen zyrtarisht SPAK, i cili e ka të kotë zgjatjen e agonisë së pronarit faktik të inceneratorit Tiranë dhe bandës 5D, Erion Veliaj.

Partia Demokratike dhe unë personalisht, nuk do të ndalemi derisa të vendoset shiriti i skenës së krimit, godinës të Bashkisë Tiranë, e cila tashmë është kthyer në institucionin më të korruptuar në Europë.

About Redaksia

Check Also

Meta: Dumani në shërbim skllavërues ndaj Ramës!

Presidenti i PL-së, Ilir Meta ka akuzuar drejtuesin e SPAK, Altin Dumani dhe prokurorët e …