“Martesa” e Lalit dhe agjendat e globalistëve okultë

Nga Erion DASHO

Ka një javë që shoqëria shqiptare zien nga protestat kundër të ashtuquajturës “martesë” të organizuar nga Erioni i bashkisë. Një ceremoni kallpe, e organizuar nga një prift kallp dhe pa asnjë vlerë ligjore.

Sigurisht që edhe në një shoqëri të traumatizuar dhe çorientuar, e cila prej 11 vitesh drejtohet nga një sharlatan pa asnjë vlerë personale, familjare, madje edhe njerëzore, reagimi ndaj një provokimi të tillë është i pritshëm.

Por përse iu duhej kjo “martesë” sot, Boratit dhe Lalit të vet?!

Në radhë të parë për të tërhequr vëmendjen nga mali me probleme ku maja e ajsbergut janë 5D-të, ministrat dhe drejtorët në SPAK, politikanët dhe policët e përgjuar nga aplikacioni Sky, emisioni i RAI3 dhe, mbi të gjitha, opinioni publik që përfundimisht po bindet se çfarë hajdutësh dhe kriminelësh drejtojnë në këtë vend.

Në radhë të dytë, për të forcuar marrëdhëniet me eminencat e agjendave globaliste. Nuk është sekret se sot ka një sulm të koordinuar kundër vlerave konservatore si familja, kombi, besimi, sovraniteti, liria ekonomike, mirëqenia e qëndrueshme, etj. Promovuesit e këtyre agjendave kanë penetruar kupolën vendimmarrëse të SHBA-ve dhe janë duke përdorur prestigjin si edhe fuqinë ekonomike, politike dhe ushtarake të superfuqisë për t’i nxitur ato.

Borati nuk ka nevojë të rishpikë rrotën, atij i mjafton të mësojë nga fqinjët. Një kryeministre pjesëtare e komunitetit LQBTQ, i mjaftoi Vuçiçit të mbretërojë i pashqetësuar, me gjithë qëndrimet dhe retorikën qartazi pro-Putin. Edhe grekët që janë po aq, në mos më shumë fetarë dhe konservatorë në krahasim me serbët, së fundi miratuan martesat brenda të njëjtës gjini, madje edhe adoptimin e fëmijëve nga këto çifte. Kërcënimi nga Turqia me sa duket është shumë më i fortë se vlerat ortodokse të shoqërisë greke.

Mesazhi është i qartë. Nëse sot kërkon mbrojtjen e SHBA-ve, duhet të ndjekësh agjendën globaliste të eminencave gri të demokracisë më të fuqishme të botës.

Së treti, këto javë do të hapet për diskutim mandati i Dr. Berishës. Doktori po i afrohet gjashtë mujorit në arrest shtëpie dhe sipas një interpretimi të rregullores së Kuvendit (sigurisht i nxitur nga boratët), atij mund t’i hiqet mandati i deputetit.

Kjo goditje për opozitën është e shumta në radhën e goditjeve të njëpasnjëshme të dhëna në muajt e fundit. Sigurisht opozitarët të cilët në një masë dërrmuese e identifikojnë PD-në e Doktorit si opozitën e vërtetë, janë të gatshëm të protestojnë fuqishëm ndaj një shkeljeje të tillë. Duke e orientuar zemërimin e tyre drejt martesave LGBTQ, shpërqendrohet vëmendja dhe, si rrjedhojë, edhe rrezikshmëria e tyre për establishmentin dhe Boratët.

Por, në radhë të parë, Lali i Boratit po tërheq vëmendjen nga thirrja e tij në SPAK, nga vendosja në mbikqyrje e llogarive bankare dhe nga shkarkimi apo burgosja e pritshme.

Këto e tmerrojnë Lalin dhe për të larguar sadopak vëmendjen publike (në pritje ndoshta të mbylljes së tratativave që janë duke u zhvilluar pas kuintave), ai është i gatshëm të martojë krejt komunitetin LGBTQ, pavarësisht se Bashkia e Tiranës duhet të jetë vendi ku zbatohen ligjet e shtetit shqiptar dhe vetëm ato.

* * *

Për sqarim, unë personalisht kam qenë dhe do të jem gjithmonë mbështetës i të drejtës që ka çdo grupim, përfshi pjesëtarët e komunitetit LGBTQ, për të jetuar të lirë dhe larg çdo diskriminimi.

Duke qenë mjek dhe drejtues për shumë vjet i Programit të Luftës Kundër AIDS, pjesëtarët e komunitetit LGBTQ kanë gjetur tek unë dhe ekipi im gjithmonë një mbështetje në luftën e tyre kundër diskriminimit dhe stigmatizimit.

Qëndrimi i pjesës më të madhe të anëtarëve të këtij komuniteti që kanë zgjedhur me vullnet të lirë një mënyrë të caktuar jetese, ka qenë gjithmonë sa më larg vëmendjes së panevojshme dhe agjendave okulte që duket sikur i mbështetin, por në fakt i dëmtojnë interesat e komunitetit të tyre.

Opinioni i shumë prej tyre (koincidentalisht edhe imi) për martesën e personave të të njëjtës gjini është kalimi i tij në një referendum popullor, kur çdo qytetar të shprehet dhe në fund të mbizotërojë përfundimi që përfaqëson shumatoren e vlerave të shoqërisë.

Besoj se kaq mjafton për këtë temë.

* * *

Konservatorët dhe opozitarët shqiptarë duhet të zgjedhin betejat e tyre. Sot është një kundërshtar i madh që duhet luftuar me çdo mjet, Borati, dhe një vlerë e madhe e konservatorizmit dhe opozitës, Berisha, që duhet mbrojtur po me çdo mjet. Të merresh me fustanet e dy vajzave dhe “martesën” e tyre kallp, do të kishte vlerë në rrethana të tjera, por jo sot.

Sot demokratët, opozitarët dhe konservatorët duhet të vazhdojnë të demaskojnë aferat e djegësve, koncesioneve të shëndetësisë, 5D-ve, rrugëve dhe shkollave të ndërtuara me çmime stratosferike, Portit të grabitur të Durrësit, etj. Demokratët duhet të bëhen bllok dhe, pse jo, të hapin forcërisht një korridor midis shtëpisë së Berishës dhe Kuvendit për ta çuar doktorin në Kuvend dhe shmangur djegien e mandatit të tij.

Ose, më mirë akoma, të bashkohen në protestat më të fuqishme që ka parë ndonjëherë Shqipëria për të larguar Boratin dhe boratët nga pushteti i uzurpuar dhe hapur rrugën për një qeveri teknike si e vetmja garanci për zgjedhje të lira dhe transparente.

Sot, para se të bëhet shumë vonë…

About Redaksia

Check Also

Idiotët e dobishëm të copëzimit tonë!

Nga Kim MEHMETI Trajneri i kombëtares sonë është duke zbatuar një strategji shumë të thjeshtë: …