Çfarë po ndodh me shifrat e censit në zyrat e INSTAT?

Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli, ka zgjatur me 9 ditë të tjera vonesën për shpalljen e rezultateve të censit të vitit të kaluar duke shtuar amullinë dhe spekullimet për vërtetësinë e procesit. Dhuli kishte dhënë datën 19 qershor për shpalljen e rezultateve, por gjatë një raportimi në Komisionin e Ekonomisë ajo tha se rezultatet do të dalin në 28 qershor. Disa muaj pas, në tetor, INSTAT do të publikojë një platformë me të gjitha të dhënat e detajuara në nivel bashkie.

Vonesa e publikimit të rezultateve për një ngjarje kaq të rëndësishme arrin thuajse një vit, pasi procesi nisi në shtator të vitit të kaluar dhe do të duhet të zgjaste rreth 6 javë. E pyetur nga deputetët e opozitës se pse po e vononte kaq shumë nxjerrjen e rezultatit, drejtoresha e INSTAT nuk dha një arsye të besueshme, por tha vetëm se në proces kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të shteteve europiane.

“Unë e kam përmendur dhe jo vetëm unë, por i gjithë stafi për angazhimin e këtij institucioni, në këtë proces kemi qenë në bashkëveprim dhe krah me përfaqësues të shteteve europiane të zgjedhur dhe të përcaktuar nga Komisioni Europian. Asistenca teknike e cila nuk mund te anashkalohet por përkundrazi duhet të vlerësohet se i ka qëndruar dhe e ka monitoruar këtë institucion jo vetëm gjatë përgatitjes, por edhe gjatë terrenit, tani po bashkëpunojmë për nxjerrjen e rezultateve sa më transparente dhe sa më të besueshme. Në lidhje me vlerësimin e cilësisë së këtij procesi pikërisht për këtë arsye unë e përmenda dhe e theksova anketën e vlerësimit të cilësisë, i cili do na japë një informacion më të plotë. Dhe data 28 qershor tashmë do të njoftohen të gjithë përdoruesit dhe ata që janë të ftuar në këtë proces për të bërë publike rezultatet kryesore të censit”, u shpreh Dhuli.

Por në kontrast me atë që thotë Dhuli vjen shembulli i Kosovës.

Rezultatin, për të cilin në Shqipëri u duhet një vit kohë, në Kosovë e publikojnë për rreth një muaj. Një detaj tjetër që vë në dyshim besueshmërinë e procesit është edhe publikimi i një numri të përafërt të të anketuarve që konsiderohen edhe banorë që jetojnë brenda territorit të një vendi.

Në Shqipëri ende nuk është e qartë se cila është shifra e gjetur nga INSTAT për numrin e banorëve të anketuar, ndërsa në Kosovë, Agjencia e Statistikave (ASK) njoftoi se vendi ka rreth 1.6 milionë banorë sapo mbaroi procesi.

Drejtorit ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati u shpreh se: “Të dhënat publikohen në pjesën e parë të muajit korrik, por në bazë të ditëve të fundit të mbarimit të procesit, edhe shtesa që ka qenë, pritjet janë që Kosova t’i ketë rreth 1.6 milionë banorë”.

Mungesa e kësaj shifre të përafërt të të anketuarve në Shqipëri është bërë objekt debati politik. Kreu i opozitës, Sali Berisha pretendon se arsyeja e fshehjes së rezultatit të censit është manipulimi që është bërë në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Ai publikoi një mesazh anonim nga një person, për të cilin pretendon se është specialist i INSTAT dhe që thotë se shifra e të regjistruarve ishte më pak se 1.5 milion banorë.

Surprizë ka qenë një reagim i Ramës për këtë çështje nga fjalimi në Itali. “Shqipëria e katandisur në 1.5 milionë banorë, e narkoshtetit, e mbytur në korrupsion, ku s’ka as punë as shpresë, ekziston vetëm në humnerën e atyre gojëve që përndjekin tokën e fëmijëve të Shqipërisë që kur Shqipëria shpalli pavarësinë”, u shpreh ai.

Aludimet për manipulimin e shifrave të Censit prekin edhe fshehjen e të vërtetës për shqiptarët që janë larguar nga vendi në 10 vitet e fundit. Një skenar të tillë e ka përforcuar edhe analisti Artan Hoxha që ka bërë një parashikim për shifrën që do të shpallë INSTAT në fund të qershorit.

“Nga burime të pakonfirmuara thuhet se INSTAT, pra Qeveria, përgatitet të deklarojë se CENSUS-i 2023 ka regjistruar një shifër prej rreth 2.65 milionë vetë (ndërsa pëshpëritet gjithashtu se në regjistrim kanë rezultuar më pak se 2 milionë vete e se ka pasur mendime për ta shpallur të dështuar këtë census, të paktën për sa i përket popullsisë). Edhe kjo shifër, ndonëse më e ulët se projeksioni aktual i INSTAT me 2.76 milionë banorë, duket e pabesueshme dhe ajo në fakt nuk është gjë tjetër veçse një korrigjim i lehtë i projeksioneve të sipërcituara e të deritanishme të INSTAT duke mbajtur thuajse të pandryshuar hipotezën emigratore të deritanishme”, shkruan analisti.

Pavarësisht shifrave, largimi i shqiptarëve jashtë vendit është një fenomen që ende vazhdon në 2024. Zëri i Amerikës njoftoi se shtetasit nga Shqipëria dhe Kosova kryesojnë listën e aplikuesve nga Ballkani Perëndimor për azil në një vend të Bashkimit Evropian edhe për tre muajt e parë të këtij viti.

Në anketimin e censit, qytetarët janë pyetur në lidhje me familjen, punën, arsimin si dhe për fenë, gjuhën dhe etninë. Për të bërë regjistrimin u angazhuan më shumë se 5200 anketuesë. Censi kryhet një herë në 10 vjet./Lapsi.al

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …