60 milion euro për të paguar mediat dhe analistët për Durrës Yaht Marina

DEKLARATA E KRYETARES SË KOMISIONIT TË APELIMIT NË PD, ADRIANA KALAJA

Të dashur qytetarë,

Shumë prej jush i ndeshni në televizione, portale apo në city lights, reklama për shitje apartamentesh dhe dyqanesh në Durrës Yaht Marina. Nëse jeni kureshtarë për të ditur se kush paguan për këtë reklamë, ka vetëm një përgjigje: JU!

Nga taksat tuaja, këto reklama luksoze për një megaresort superluksoz, dalin jo pak, por 60 milion euro.

Ju të dashur shqiptarë paguani 60 milion euro për biznesin e përbashkët të Edi Ramës dhe Al Alabarit, i cili do të ndërtohet në një pronë publike të përbashkët.

Mos harroni se brenda këtyre 60 milion eurove është edhe pagesa nën dorë për analistët dhe moderatorët televizivë, që do ta ngrenë në qiell investimin qeveritar, siç bënë edhe me inceneratorët!

Duhet ta dini se, pas ndërtimit, të tjerë do ta gëzojnë resortin bregdetar, kurse shqiptarët e thjeshtë dhe fëmijët e tyre do të mund të kalojën aty vetëm për një kaush akullore dhe për të parë vitrinat e markave të shtrenjta.

Mendojeni pak se sa shkolla, çerdhe, rrugë apo kanalizime, për të shpëtuar Durrësin nga përmbytjet, do të ishin bërë me 60 milion euro!

Përveç kostove të deritanishme që shkojnë deri në 4 miliard Euro, fondet e anuluara nga BE dhe ato që nuk i dimë për shkak të proceseve të filluara nga kompani të ndryshme në Arbitrazh, në zërin e kostove të planifikuara nga “investitori strategjik” dhe armiku strategjik i shqiptarëve Edi Rama, kostot e marketingut shkojnë pra në 60 milionë Euro.

Thënë ndryshe 60 milion euro për trushpëlarje, për ta shitur sapunin për djathë!

Partia Demokratike do të bëjë një kallëzim penal shtesë për këtë vjedhje ekstra që u bëhet taksave të qytetarëve për pasurimin e qeveritarëve dhe oligarkëve të tyre.

Ne e kemi denoncuar në vijimësi megaaferën e Portit të Durrësit, dhe i jemi drejtuar, si Gjykatës Kushtetuese ashtu edhe SPAK, për të cilat me keqardhje konstatojmë se janë kthyer në mburoja të korrupsionit galopant.

Kështu, përveçse u rrëzua kërkesa nga Kushtetuesja lidhur me Marrëveshjen e Parë, ose Ligjin Nr.145/2020, edhe kallëzimi i bërë lidhur me këtë aferë antishqiptare, nga SPAK u bë me “mosfillim”, çështje e cila tashmë ndodhet në Gjykatën e Lartë, ndryshe në Gjykatën e Sokolëve të partisë.

Ajo që e bën të veçantë Marrëveshjen e Dytë nga e para, dhe ndaj të cilës ne po njësoj i jemi drejtuar si Kushtetueses ashtu edhe SPAK është se përveç se:

• Ka filluar shitja pa dalë leja e ndërtimit;

• Dukshëm jemi përpara pastrimit të produktit të veprave penale;

Gjejmë rastin edhe njëherë t’i bëjmë thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe SPAK që të ngrihen në lartësinë e detyrës e të veprojnë me urgjencë për shpalljen antikushtetues të këtij ligji antishqiptar, si dhe çuarjen para drejtësisë ligjore, se nuk ka të re apo të vjetër, të personave përgjegjës.

Ne jemi të vendosur për ta çuar deri në fund luftën me korrupsionin dhe shpëtimin e Shqipërisë nga mafia.

About Redaksia

Check Also

Proçedohet penalisht Tom Doshi