Avokati Sokol Mëngjesi i cili u dhunua brutalisht nga tre persona, prej pesë ditësh është në intubim, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Sipas informacioneve nga spitali i Traumës, ku avokati ndodhet, bëhet me dije se po mbahet në monitorim intensiv dhe sot pritet për të parë reagimin e tij.
Pavarësisht se Prokuroria e ndryshoi akuzën për të prangosurit, duke hequr vrasjen e funksionarëve publikë, mbetur në tentative, duke e bërë plagosje me dashje e kryer në bashkëpunim, gjykata ka vendosur që Dritan Nano, i dyshuar si organizuesi i sulmit dhe dhëndri i tij Dorian Aliaj, një nga autorët të hetohen në burg. Ndërkohë tre personat e tjerë të përfshirë në sulm ende nuk janë kapur nga policia.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e 29 majit, ku pasi avokati ka lënë djalin e tij në kopësht, teksa po rrinte në këmbë jashtë rrethimit të institucionit është goditur me grusht nga një person dhe më pas është rrëzuar në tokë. Pas rënies koka i ka rënë në trotuar, ndërsa dy persona të tjerë kanë nisur ta godasin me shkelma. Si pasojë e goditjeve ka pësuar dy fraktura, dëmtime te zona e ballit dhe pas koke dhe nga këto goditje. Gjithashtu ka pësuar dëmtime në pjesën e trurit dhe hemorragji të vogël.
Autorët e sulmit u identifikuan si Dorian Alia, 32 vjeç (i arrestuar pas vetëdorëzimit); Drivald Alia, 21 vjeç (në kërkim); Elton Kasaj (në kërkim), 33 vjeç dhe Romario Tabaku, 26 vjeç (në kërkim), të gjithë banues në Tiranë. Romario Tabaku ishte personi që ka larguar me makinë autorët e sulmit nga vendngjarja. Policia ka vënë 20 mijë euro shpërblim për ato që japin informacion të vlefshëm që ndihmon në kapjen e tyre.