Sali BERISHA
Pas atentatit për eliminimin fizik publik të avokatit të mirënjohur, personalitetit të shquar të botës akademike universitare, ish-dekanit të Fakultetit Juridik Prof. Sokol Mëngjesit makineria propagandistike e Edi Ramës bëri gjithçka që të paraqiste si një akt të lidhur me një problem të avokatit me klientin e tij ish-policin Dritan Nano.
Në fakt, Prof. Mëngjesi kishte përfaqësuar në dy shkallët e gjykimit në një çështje prone Dritan Nanon dhe tre të tjerë dhe çështja ishte fituar dhe në përputhje me kontratën e firmosur prej tyre Prof. Mëngjesi kërkonte prej 6 vitesh detyrimin që kishte ndaj tij ish-polici Dritan Nano.
Por vetiu lind pyetja: A mund të ishte ky motiv që Dritan Nano të vendoste eliminimin fizik publik të avokatit me të cilin fitoi gjyqin për të mos i dhëne atë që i takonte? Jashtëzakonisht e vështirë që ky variant të pranohet.
Sot janë mijëra çështje pronësie midis pronarëve dhe mijëra kundërshti midis avokatëve dhe klientëve, por nuk është dëgjuar kurrë që klienti të vrasë avokatin me të cilin fiton gjyqin e pronësisë për të mos i dhënë shpërblimin në përputhje me kontratën.
Një akt i tillë do ishte i ngjashëm sikur të vrasësh në gjumë në shtëpinë dhe bukën tënde bamirësin tënde.
Përveç kësaj, sado kafshë që të ishte Dritan Nano, ai e dinte se ish-avokati i tij ishte profesor i njohur universiteti, ish-dekan i Fakultetit Juridik dhe prej 8 muajve avokat i Kryetarit të PD, Sali Berisha. Pra e dinte se pasojat e sulmit ndaj avokatit të tij do të ishin të rënda dhe të paparashikueshme dhe se jehona e krimit të shëmtuar brenda dhe jashtë vendit do ishte e madhe dhe se ai pas këtij akti nuk do mund të gëzonte pasuritë e fituara me gjyq me ndihmën juridike të Prof. Mëngjesit.
Nuk po ndalem këtu në një seri pikëpyetjesh të tjera që bëjnë të papranueshëm atentatin si vepër e Dritan Nanos.
Megjithë këtë, Dritan Nano ka rolin e tij në këtë akt kriminal të shëmtuar. Asgjë nuk përjashton mundësinë që ky borxh me kontratë iu ble kriminelit Dritan Nano nga askush tjetër veçse nga shteti që i duhej, i përshtatej për të organizuar skenarin e eliminimit publik të Prof. Mëngjesit dhe në vendin më të populluar, më të filmuar, më të kontrolluar të kryeqytetit.
Është shumë normale që lexuesi i këtyre radhëve të shtrojë pyetjen – çfarë faktesh, dokumentesh ke për këtë transaksion të krimit?
Në raste të tilla si rregull nuk gjenden kurrë dokumente e madje as dëshmitarë. Por gjithçka tjetër flet për një skenar të organizuar nga shteti duke shfrytëzuar për këtë qëllim kundërshtinë midis Dritan Nanos dhe avokatit, Prof. Sokol Mëngjesi.
Për të argumentuar këtë ftoj të shtrojmë disa pyetje.
Së pari, a nuk ishte Prof. Mëngjesi me kolegë të tij, avokat i çështjes gjyqësore politike me kryesore të kohës? Dhe, lidhur me këtë, a nuk janë të urdhëruara nga Edi Rama kallëzimi i rremë ndaj Sali Berishës, hetimi, kufizimi i lirisë, arresti në shtëpi në kundërshtim me ligjin, Kushtetutën e vendit?
Së dyti, a nuk ishte Prof. Mëngjesi që së bashku me kolegët e tij faktoi para shqiptarëve dhe botës se dosja e ‘Klubit Partizani’ bazuar në kallëzimin e rremë të Taulant Ballës ishte fund e krye një piramidë mashtrimi dhe se Berisha dhe dhëndri i tij ishin mirëfilltas të arrestuar politik pa kryer asnjë vepër penale, por vetëm si kundërshtar politik të Edi Ramës?
Së treti, a nuk e damkosi ai me këtë, para shqiptarëve dhe botës Edi Ramën, si pasardhës i denjë i babait të tij xhelat që riktheu në Shqipëri burgosjet politike?
Së katërti, me të vërtetat që mbrojti Prof. Mëngjesi, a nuk iu provoi shqiptarëve kontrollin e plotë dhe total të drejtësisë së re socialiste nga Edi Rama?
Së pesti, a nuk mjaftojnë të gjitha këto që Sokol Mëngjesi të konsiderohet nga Edi Rama një armik me të cilin do merret personalisht për t’i mbyllur atij gojën apo ndryshe kush ishte i interesuar më shumë se Edi Rama dhe pushteti të mbyllte gojën e tij brenda dhe jashtë vendit?
Së gjashti, a përfaqëson sulmi ndaj Prof. Mëngjesit një leksion terrorizues për të gjithë zërat që ngrihen kundër Edi Ramës dhe pushtetit të tij?
Së shtati, kush do të mund të porosiste për këtë qëllim vendin më publik, më të filmuar dhe më të populluar për atentatin ndaj Profesor Mëngjesit përveç shtetit?
Së teti, kush ishte më i interesuar për të bërë në këtë rast një rrugë e dy punë: hakmarrjen primitive dhe terrorizimin e opozitarëve, qytetit dhe të vendit më shumë se sa Edi Rama?
Së nënti, a është absurde të mendosh se Dritan Nano për të mos i dhënë detyrimin që i kishte Prof. Mëngjesit, të porosiste eliminimin e tij fizik në qendër të qytetit dhe në vendin më publik, më të filmuar dhe të mos zgjidhte një qoshe, një goditje në moh, në errësirë ose gjysmë errësirë, të Prof. Mëngjesit?
Së dhjeti, pse grupi i strukturuar kriminal kreu atentatin ndaj Sokol Mëngjesit pa maska tre prej tyre me uniformë të njëjtë? A nuk e dinin ata se fytyrat e tyre kriminale po filmoheshin në të katër anët? Çfarë garancish kishin vrasësit që të ekspozonin veten plotësisht si autor të krimit të shëmtuar dhe kush mund t’jua jepte ato?
Së njëmbëdhjeti, a do ta bënin vrasësit këtë sakrificë për Dritan Nanon? Mendoj se përgjigja është jo, kurrë, sado mik që ta kishin atë dhe sado që ai t’i kishte paguar.
A nuk është e drejtë të mendojnë se sulmi më kriminal pa maska i Prof. Mëngjesit ishte pjesë e skenarit, pjesë e pazarit me shtetin? Por jo vetëm krimi, por edhe pas krimi akuzojnë rëndë shtetin.
Qëndrimi i Policisë ndryshoi disa herë gjatë ditës së parë, fillimisht me mediat që kontrollon ajo hapi “fake neps” se ishte një zënkë e rastit.
Më vonë me dërgimin në spital të Prof. Mëngjesit njoftoi se sulmi ndaj tij kishte lidhje me çështje prone për të krijuar përshtypjen se ishte sherr i rëndomtë midis pronarëve. Në një komunikate tjetër shprehej se gjendja ishte e stabilizuar ndërkohë që gjendja po rëndohej me shpejtësi.
Më pas sikur t’i kishte në xhep, publikoi emrat e autorëve të krimit dhe e mbylli me njoftimin e dorëzimit të Dorian Aliaj që mori përsipër autorësinë e krimit dhe njoftoi arrestimin e Dritan Nanos si porositës i krimit, gjë të cilën në përputhje me pazarin Nano e mohoi menjëherë.
Tani përsëri të shtrojmë pyetjet:
A nuk dëshmon përsëri për pazar fakti që fill pas krimit u arrestua dyshja, shitësi i sherrit Dritan Nano i cili në akt akuzë duhet të shpallej porositësi dhe Dorian Aliaj, vetëm njëri nga dorësit që mori përsipër krimin?
Me sa duket këta ishin parashikuar dhe paguar jo vetëm për krimin e shëmtuar, por edhe për kohën e burgut që do të bënin pas krimit, praktikë kjo e njohur në botën e krimit ordiner dhe shtetëror në Shqipëri.
Së fundmi, pse heshtën dhe nuk dënuan krimin e shëmtuar, por zbatuan omertan, krerët e organeve të drejtësisë së re?
Këto organe reaguan në kor ndaj denoncimit të krimit të delikuentes, gjykatëses me tri mbiemra Irena Gjoka, e cila qëndron kundër çdo norme apo ligji në detyrë. Por ata nuk thanë një fjalë të vetme për atentatin për eliminimin fizik të një anëtari të komunitetit të sistemit të drejtësisë, i cili me demaskimin ligjor që i bëri vendimeve të këtij sistemi nxori cullak para shqiptarëve dhe botës, kontrollin e plotë të drejtësisë së re nga Edi Rama.
Si përfundim, cili mund të urdhërojë përveç Edi Ramës, ndryshimin nga policia në mënyrë absurde të akuzës ndaj Dritan Nanos dhe Dorian Aliajt, nga tentativë vrasje në tentative plagosje?
Cilido që ka njohuritë më elementare kur shikon skenën e atentatit ka të qartë se grupi i strukturuar kriminal nuk synonte plagosjen, por eliminimin fizik publik të Prof. Mëngjesit, i cili para syve të publikut u godit me objekte hekuri dhe ra pa frymë për tokë me kokë në çimento, rrëzim i mjaftueshëm ky për traumë të trurit fatale. Por jo vetëm kaq; kriminelët në përputhje me zotimin që kishin u rikthyen dhe e goditën me forcë me shkelma në kokë, pra i dhanë Profesorit të shtrirë edhe goditjen e mëshirë të cilën vrasësit për t’u siguruar, u japin viktimave të tyre.
Për të gjitha këto mund të konkludohet se atentati ndaj Prof. Mëngjesit është një krim i mirëfilltë shtetëror i porositur nga Edi Rama, njeriu më i interesuar në Shqipëri për likuidimin publik të tij.