Qeveria jep qindra mijë metra tokë dhe godina të institucioneve shtetërore për ndërtim kullash tek privatët

Klodian Tomorri

Në rrugën Dora d’Istria, në afërsi të hyrjes së Parkut të Liqenit, aty ku sot gjendet godina e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës shumë shpejt do të hedhë shtat një kullë e lartë shumëkatëshe. Godina dhe toka përreth saj janë pronë shtetërore, por kulla do të ndërtohet nga privatët. Mekanizmi se si është gjetur nga ministria e Ekonomisë me bekimin e qeverisë.

Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim të propozuar nga Blendi Gonxhja, i cili i hap rrugë tjetërsimit në seri të tokave shtetërore dhe betonizimit masiv të Tiranës duke futur dhe qeverinë direkt në sektorin e ndërtimit. Ajo e Kadastrës është vetëm njëra nga pronat. Vendimi me numër 328 transferon rreth 200 mijë metër katrorë tokë shtetërore tek Korporata e Investimeve Shqiptare dhe autorizon këtë të fundit që të hyjë në marrëveshje zhvillimi me ndërtuesit privatë.

“Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare, apo subjekte të krijuara prej saj, për hapjen e procedurave konkurruese përzgjedhëse dhe negocimin me subjekte private apo publike për lidhjen e marrëveshjes/kontratës për zhvillimin e pronave të transferuara në pronësi apo për të cilat ka autorizim zhvillimi, në funksion të realizimit të projekteve të investimit,” shkruhet në vendim.

Ashtu si pronarët privatë të tokave edhe Korporata e Investimeve do të hyjë në marrëveshje me ndërtuesit për të zhvilluar këto prona. Pjesa që do të përfitojë shteti në sipërfaqe ndërtimi ose vlerë monetare, në varësi të procedurës së zhvillimit, do të përcaktohet përmes konkurrimit. Por cila prona transferohen me vendimin e qeverisë?

Bëhet fjalë për godinat dhe tokat e një sërë institucioneve shtetërore nga zona e Liqenit, Zogu i Zi, Komuna e Parisit dhe periferia e lakmuar e Tiranës. Sipas vendimit, Korporata do të marrë pronat Institutit të Studimeve Teknologjike në Ndërtim, ato të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës tek Liqeni, drejtorisë së Tatimeve, Autoritetit të Aviacionit Civil dhe një sërë institucioneve të tjera.

“Në funksion të zhvillimit të pronave të përcaktuara në këtë vendim, në përputhje me parashikimet ligjore përkatëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për të proceduar me prishjen e objekteve, pjesë e pronave,” thuhet në vendimin e qeverisë. Tre muaj më parë, qeveria miratoi një vendim të posaçëm, që i hapte rrugë kësaj skemë, ndërkohë pak javë më parë miratoi edhe mekanizmin ligjor për prishjen e objekteve shtetërore.

Megjithatë ky është vetëm transhi i parë i transferimit të tokave shtetërore tek privatët për ndërtim pallatesh dhe përfshin 200 mijë metra katrorë. Por skema është shumë më e madhe se kaq.

Korporata e Investimeve Shqiptare ka nisur një projekt të posaçëm, që quhet Projekti i Zhvillimit të Pronave Qeveritare. Detajet e projektit mbahen të fshehta, por ai parashikon ngritjen e kullave shumëkatëshe kudo në godinat e institucioneve shtetërore të Tiranës. Tanimë as godina e qeverisë nuk është më e sigurtë.

About Krye Redaktor

Check Also

Skandali/Rama rishpall koncesionin 437 milionë euro për 17 kilometra rrugë, ose 26 milione euro/kilometri

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur tenderin për të dhënë me koncesion ndërtimin e …