Rai 3/ A është nderi i Ramës, nderi i shqiptarit?

Nga Armand Shkullaku 

Në një përpjekje të dëshpëruar, plot mllef, sharje e mallkime, Edi Rama tentoi të lajë me një monolog jashtënxjerrjet që i ranë mbi kokë nga një dialog me gazetarin italian të Rai 3. I penduar ndoshta për atë paraqitje të dobët, si në argumenta ashtu edhe në vokabularin e varfër e të sforcuar (ka disa vjet që përsërit shprehjen bajate se “italianët janë shqiptarë të veshur me versaçe” duke shpresuar të mahnisë Italinë) kryeministri shqiptar vendosi, pas dy ditësh, të riparojë sa të mundet imazhin e rrënuar nga një intervistë me një gazetar të pakontrolluar.

Teza kryesore e Ramës, e sendërzuar edhe në takimet e fundit me emigrantët, është ajo se të huajt, kryesisht fqinjët, nuk e kapërdijnë faktin se shërbëtorët e djeshëm sot janë zotër me të drejta të barabarta në vendet ku jetojnë dhe se nuk e falin dot suksesin e hatashëm të Shqipërisë kryelartë nën drejtimin e tij. Sipas kësaj teze, të ngritur mbi një nacionalizëm naiv, çdo kritikë apo sulm që vjen nga ata që na paskan halë në sy, nuk ka të bëjë me keqqeverisjen e tij, por me inatin, racizmin e paragjykimet ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Por një mendësi e tillë, që buron nga nevoja për t’i ikur realitetit këtu, realitet që dominohet nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, sipas ideologjisë nacional- komuniste “në gojë të ujkut hedhim valle”, është lehtësisht e çmontueshme. Pse kur mediat e huaja, madje dhe ato më periferike, reklamojnë Shqipërinë turistike, kryeministri nuk le rast e vend pa i përmendur si shembull i rritjes së imazhit të vendit në perëndim? Pse ato e paskan me Shqipërinë e me flamurin tonë kur nxjerrin në pah kriminalizimin e Rilindjes që po e shndërron vendin në një narko- shtet? Rai 3 nuk prodhoi propagandë anti shqiptare, por një emision investigativ, me emra e akuza konkrete, madje nga vetë eksponentë të deridjeshëm të qeverisë, për të treguar pikërisht rrezikun që i kanoset Shqipërisë nga krimi i veshur me pushtet.

“Cënimi i Shqipërisë…, sidomos nga vendet fqinje… është një sulm mbi emrin, mbi nderin, mbi flamurin tonë kombëtar, mbi çdo shqiptar”, thotë Rama. Njehsimin e nderit të shqiptarit me nderin e Ramës, vështirë ta lidhi edhe nacionalizmi naiv i kryeministrit. E aq më pak të mendohet se ky nder na u paska cënuar nga investigimi i Rai 3. Sepse nuk ka qenë Rai 3 e as Rai 1 e Rai 2, që ia kanë caktuar Edi Ramës ministrat e tij të Brendshëm. Madje as Mediaset nuk ia ka përzgjedhur banditët e trafikantët e dënuar në Itali, për t’i bërë deputetë e kryetarë bashkish në Shqipëri. E po kështu as personazhi kontravers i Sinaloas, nuk shkoi në zyrën e kryeministrit shqiptar për licensë kazinoje si kushëri i gazetarit Xhorxhio Motola. Këtu nuk po cënohet Shqipëria si haraç për suksesin e saj, por Edi Rama që, me bëmat e tij, po i cënon si mos më keq shqiptarët.

Një tezë tjetër e Ramës, për t’u shpëlarë nga llumi që ka mbledhur mbi dhe rreth vetës, është ajo se akuzat ndaj qeverisë së tij kanë burim ato që ai i quajti “një grusht shqiptarësh që ju i njihni shumë mirë, s’kanë atdhe, s’kanë fe, s’kanë din e as iman, jashtënxjerrjeve të ujërave të zeza të politikës Non Grata e të kanaleve mediatike këtu në Shqipëri”. Edhe sikur kjo të jetë e vërtetë, çfarë duhet të bëjnë opozita dhe mediat përballë kriminalizimit të pushtetit, dhunimit të zgjedhjeve, vjedhjeve masive të parave publike dhe kufizimit të lirive kushtetuese. Të mbyllin gojën se preket nderi i Ramës që na qenka i njëjtë me nderin e Shqipërisë? Të qurravitesh e ankohesh për atë që të akuzon dhe jo të marrësh përgjegjësi për çka të takon, Edi Rama e ka kthyer në një të drejtë të tij që askush nuk duhet të guxojë t’ia cënojë.

Prandaj ata që e kanë votuar dhe ata që qeverisen prej tij, nuk kanë për të dëgjuar kurrë ndonjë përgjigje për akuzat konkrete, por vetëm monologje të një patriotizmi idiot që veten e barazon me flamurin dhe nderin e hajdutëve e banditëve me nderin e shqiptarëve. Dhe kulmi, kur i kryeakuzuari thotë “se koha kur shteti shqiptar, qeveria, kryeministri i Shqipërisë, rrinin si skutha që bënin te fortin me të dobëtit këtu brenda dhe te menderosurin para të huajve, ka vdekur”. Domethënë tani vendi paska Atë, që na del për zot kudo në botë, ndërkohë që bota merret me të si e keqja që ka kapur vendin.

Dhe për të kuptuar se sa “trim e krenar” është Rama para të huajve, mjafton përsëri intervista me gazetarin e Rai 3. Pasi i ofroi kafe, me një servilizëm tamam prej “të menderosuri para të huajve”, akuzat e tij i quajti mjaltë para llumit të mediave të vendit ku është kryeministër dhe, gazetarët italianë, i cilësoi pasardhës të Montanelit ndërsa ata shqiptarë kategori e krijuar nga Enver Hoxha. Dhe këtë e bën pikërisht ai që thotë se i neverit ata që shajnë Shqipërinë dhe shqiptarët në gjuhë të huaj.

Edi Rama nuk e ka problemin me gjuhën e huaj, por me të vërtetat që thuhen në gjuhë të huaj. Sepse ato as i kontrollon dhe as i manipulon dot. Mjaftoi një orë në Rai 3 për t’ia thyer pasqyrën e propagandës me reflektimin e realitetit. Dhe sado monologje të çartura të prodhojë, llumin ku është zhytur nuk e pastron dot me flamurin kombëtar e nderin shqiptar.

About Redaksia

Check Also

Kur mediat nuk kanë interesin publik primar, por pagesat nga inceneratorët…

Nga Adriana KALAJA Sot gjithë mediat që paguhen nga inceneratorët, dhanë lajmin e dosjes së …