Gjekmarkaj: Ramës i kërkohet vetëm një sakrificë, të ikë dhe t’i hapë rrugën qeverisë teknike

Nënkryetari i PD, Agron Gjekmarkaj në fjalën e tij në seancën plenare është shprehur se sot populli është në një dyzim të madh për socialistët, ‘pasi nuk e dinë se cila parti jeni, jeni partia e inceneratorëve, e krimit, e vjedhjeve apo partia që qeveris vendin’.

“Unë kam besuar dhe ende besoj që PS është një aset kombëtar, edhe pse jeni kundërshtarët e mi. Unë jam vetëm një individ përballë zërave të shumtë publik që kërkojnë që e gjithë trupa politike në qendër dhe bazë të hetohet për lidhje me krimin e organizuar. Ata pyesin se kush jeni ju, Partia Socialiste që duhet të ishte sociale me shqiptarët apo një organizatë partnere me krimin e cituar nga ish zv.kryeministri?

Kush jeni ju, partia që matet elektoralisht me kundërshtarët apo ajo që pret agimin e fitoreve pas natës së errët të kërcënimit të tyre me thika të gjata?

Kush jeni ju, lokomotiva apo vagonët? Kush jeni ju, partia e gjuhës politike apo ajo e miqve të Encrochat-it? Kush jeni ju, padronët apo hyzmeqarët lepe-peqe, administratorët e asaj që konsiderohet respublica apo grabitësit e saj?

Kush jeni ju, ata që marrin urdhra natën për t’u dridhur ditën apo ata që dridhen ditën për të fletur natën?

Kush jeni ju, partia që djeg plehrat në inceneratorë apo inceneratori që djeg paratë dhe le plehrat?

Duket sikur jetojmë në një moment ku gjithsecili bën një sakrificë ku dikush ikën, dikush përshtatet, dikush hesht, dikush thyhet, ndonjë tjetër bindet, disa dorëzohen, të tjerë pranojnë kërcënimin dhe paguajnë, por dikush që qëndron si shembull emancipues mbetet gjithmonë. Ata sot janë jashtë përballë këtij parlamentit, një ditë tjetër do të jenë më shumë, sot është dita e ftesës, ajo tjetra do të jetë e pendesës, e vetmja që sot ka hequr dorë nga sakrifica është vetëm qeveria.

Asaj i kërkohet vetëm një, më modestja dhe e lehta e sakrificave, të ikë dhe t’i hapë rrugën qeverisë teknike”, tha Gjekmarkaj.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …