Nga Gent STRAZIMIRI
Pa i hequr asnjë gramë konsideratës për integritetin e trupës së gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, çështja e rikthimit të ligjshmërisë dhe vullnetit të demokratëve shkon përtej.
Të mendosh se shorti i parë nxorri tre gjyqtarë pa integritet ndërsa i dyti tre gjyqtarë pa integritet, është naive.
Të argumentosh se meqë pas 3 vitesh sakrifica, demokratët morën më në fund edhe me shkrim thjesht ç’u takonte, sistemi i drejtësisë së “Partisë” funksionon, është mjerane.
Ajo që ka ndryshuar nga vendimi i parë i Apelit, në atë të Gjykatës së Lartë e deri tek i sotmi përsëri në Gjykatën e Apelit, është fakti se regjimi është zbythur!!
E provoi me të gjitha format, duke nisur nga “proçedura” e deri tek prangat ndaj liderit të opozitës, por në fakt kuptoi se po mbante gjallë, madje po i hidhte benzinë një zjarri që nuk kishte ndërmend të fikej.
Qëndresa e demokratëve dhe e qytetarëve të lirë, tregoi në disa votime rrjesht se “mjaft është mjaft”, dhe se alarmi i pasigurisë juridike, kërcënimi i padrejtësisë si standard dhe drejtësisë si lëmoshë e qeverisë, ka zgjuar sensorët e reagimit tek shoqëria shqiptare.
Ashtu, “pak e pak”, nën zë, me një vështrim a me një meme në rrjetet sociale, Edi Rama kuptoi se është kthyer në një “Tao-Tao” i ditëve tona.
Nga mbrëmja e 9 shtatorit 2021 deri në këto momente që po e lexoni, demokratët kanë qëndruar në këmbë pa pushim, mdaje edhe më tështuar në numër dhe vendosmëri, në raport të drejtë me rritjen e arbitraritetit dhe padrejtësisë.
Dhe regjimi u zbyth, sepse nuk ka gjë më frikacake se një regjim që ndjen se njerëzit po reagojnë.
Vendimi i sotëm u mor nga gjyqtarë të çliruar prej presioneve të regjimit edhe nga beteja e demokratëve.
Ajo që ndodhi sot ishte një “mjaft është mjaft” edhe në drejtësi, por i dedikohet secilit prej atyre çlirimtarëve që nuk u dorëzuan edhe pse gjithçka dukej e kotë.
Ata kanë detyrën historike ta vazhdojnë deri në çlirimin e të gjithë shoqërisë, pa u lodhur e pa u lëkundur, sidomos tani që prova u dha: regjimet zbythen!
Çohu se nuk ka rehati nën padrejtësi!
Çohu se bashkë i zbythim më shpejt!