Skandali te Magjistratura/ KLP merr në mbrojtje Arben Rakipin!

Mbledhja e parë e KLP-së nën drejtimin e kryetares së re Mirela Bogdani ka nisur me debate të forta duke nxjerrë edhe njëherë në pah përçarjen që ekziston brenda anëtarëve.

Gjithçka nisi pasi Bogdani lexoi rendin e ditës, ku përfshihej verifikimi i pasurisë së disa kandidatëve të dalë fitues nga provimi i fundit i Magjistraturës, gati për t’u emëruar prokurorë.

Zv.kryetari i KLP-së, Bazaj tha se procedura e verifikimit duhet të shtyhet për shkak se në SPAK ka një kallëzim penal ndaj Shkollës së Magjistraturës dhe BKH-ja ka nisur hetimet. Por kundër kërkesës së tij doli fillimisht Arta Mandro e më pas shumica e anëtarëve të KLP-së, duke e rrëzuar kërkesën e tij.

Tartar Bazaj: “Do përqendrohem te pika 21 e rendit të ditës ku bëhet fjalë për diskutimin e projektit për fillimin e procedurave të verifikimit të pasurive të disa kandidatëve për tu pranuar në programin e formimit fillestar të shkollës së magjistraturës të vitit akademik 2024-2025. Është një patate e nxehtë pasi këto ditë është thirrur drejtori i shkollës së Magjistraturës. Në dijeninë time është bërë një kallëzim penal në SPAK dhe di që BKH-ja ka nisur të bëjë verifikimet. Kjo nuk është pjesa jonë, por është një çështje që flitet për një skandal. Unë nuk do ta dëshiroja kurrë të ishte e tillë, por është anatemuar drejtori i shkollës së magjistraturës, pa diskutuar personalitetin e tij sepse nuk dua të them që ai ka qenë prokuror i përgjithshëm i shkarkuar nga Parlamenti, por diskutohet një çështje shumë e nxehtë. Edhe kjo çështje duhet të kalonte të paktën në një mbledhje informale ku duhej të diskutoheshin disa gjëra që nuk duhet të ishin pjesë e kësaj mbledhje plenare sepse ne na ka zënë ‘krashti’, nuk kemi çfarë të bëjmë. Ne si komision jemi të detyruar të pranojmë kështu siç është atë listë që na ka sjellë, po se çfarë është bërë, se si u shpall lista e parë, se si pas disa ditësh u shpall lista e dytë, se si pas disa ditësh u shpall lista e tretë dhe nga 79 shkuan 131. Pra pa diskutuar një listë me emra të cilët gojët e liga thoshin “lista me kaq emra ka fituar” dhe ashtu doli në të vërtetë, ka shumë koincidenca. Do të ishte në nderin e këtij këshilli të tregonte atë që i takon sepse në fund të ditës ne na paguajnë taksat e këtij vendi. Në fund të ditës janë qindra milionë dollarë dhe euro të hedhura për këtë investim. Ne nuk duhet t’ua punojmë pas shpine këtyre shteteve mike që kanë investuar dhe kanë marrë nga taksat e shteteve të tyre për këtë reformë. Unë mendoj që kjo pikë të paktën të hiqet”

Në krah të drejtorit të kësaj shkolle, Arben Rakipi, ka dalë anëtarja e KLP-së, Arta Madro, sipas të cilës Shkolla e Magjistraturës po funksionon shumë mirë dhe problemi i provimit ishte vetëm për shkak të pajisjes elektronike.

“Fakti që Shkolla gjendet në këtë situatë, nuk është për shkak të Shkollës, por është për shkak të Scantron-it dhe ne këtë e kemi shumë të qartë. As drejtori i Shkollës së Magjistraturës, as unë dhe askush tjetër nuk kanë mbetur që të mbeten me Scantron-ët për të rregulluar ndonjë interes të vogël të vetin në qoftë se ky do ishte problemi. Garantoj me bindjen time të plotë që gjëra të tilla nuk ndodhin kurrë në shkollën e Magjistraturës dhe unë jam dëshmitare e gjithë seriozitetit të atij institucioni duke filluar edhe me njerëzit tanë të afërt dhe lus që kjo kakofoni të mos bëhet objekt abuzimi”, tha Mandro.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …