Vota e diasporës, Celibashi: Kuvendi të plotësojë kërkesat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot se, nëse Kuvendi nuk bën plotësimet, të cilat vendimi i Gjykatës Kushtetuese i kërkon, nuk do të jetë e mundur që të zhvillohet votimi nga jashtë në zgjedhjet e ardhshme.

I pyetur gjatë raportimit për veprimtarinë e KQZ-së në vitin 2023 në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, lidhur me mundësinë e votimit të diasporës në zgjedhjet e ardhshme, Celibashi tha se, “nëse Kuvendi nuk do të bëjë plotësimin e boshllëqeve ligjore në atë masë që Kuvendi vlerëson se do të duhet ta bëjë, pra do të duhet të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, KQZ nuk ka përse të angazhohet në këtë proces”.

“Duke qenë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e thotë qartë që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, votimi nga jashtë nuk u realizua për shkak të boshllëqeve ligjore, logjikisht kjo do të thotë që do të duhet të plotësohen këto boshllëqe, aq sa Kuvendi e kupton këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim që t’i hapet rruga KQZ-së për të miratuar pastaj akte nënligjore dhe për të ndërtuar të gjithë infrastrukturën tjetër teknike apo rregullatore për zhvillimin e votimit nga jashtë”, u shpreh Celibashi.

“Edhe unë kam menduar që për aq sa ka parashikuar Kodi Zgjedhor votimi nga jashtë mund të realizohej dhe KQZ i ka pasur kompetencat për të përgatitur këtë proces, por, – shtoi ai, – tanimë kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese i cili na thotë ne si institucion përgjegjës për administrimin e procesit zgjedhor, dhe Kuvendit si institucioni ligjbërës, që ju nuk e bëtë dot dhe nuk do ta bëni dot votimin nga jashtë, sepse ka boshllëk ligjor.”

“Ne i kemi disa propozime, ia kemi paraqitur Grupi të Dialogut. Për çfarë ata kanë pasur interes iu jemi përgjigjur interesit të tyre. Në momentin kur kjo çështje do të bëhet konkrete, në diskutim konkret për drafte konkrete, nëse do të ftohemi për të dhënë kontributet tona, do të japim kontributet tona.

Por, mendoj që duhet të jetë e qartë, të paktën sipas vlerësimit tim, që nëse Kuvendi nuk bën ato plotësime të cilat vendimi i Gjykatës Kushtetuese i kërkon, më vjen keq ta them, por nuk do të jetë e mundur që të zhvillohet votimi nga jashtë në zgjedhjet e vitit 2025 dhe KQZ të ketë një rol në këtë proces”, tha Celibashi.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …