Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi shprehet se e ardhmja politike e deputetëve Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj, tani, pas rikthimit të vulës dhe logos zyrtare tek Partia Demokratike, është problemi më periferik i kësaj partie. Në mënyrë figurative, ai tha se nëse figurat politike do të vendoseshin sipas atyre të shahut politik, Lulzim Basha do të renditej pas Selami Jenisherit, kryetarit të Bashkimit Popullor të Pensionistëve Shqiptarë. Boçi ishte i ftuar sot në studion e Kafe Shqeto ku ndër të tjera u pyet edhe për këtë çështje.
“Çfarë do të ndodhë me pjesën e Bashës dhe të Alibeajt?! Unë konsideroj se sot ky është problemi më periferik i PD-së, kurse problemi më themelor, kryesor, është bashkimi, ai apeli i vazhdueshëm që ne duhet të drejtojmë ndaj demokratëve, ndaj deputetëve të PD (sepse janë mbështetur nga votat e Partisë Demokratike) dhe ndaj atyre që kanë qenë kontributorë dhe pse jo drejtues të strukturave tona të PD-së.
Pra, organizimi ynë duhet të jetë një kontakt i drejtpërdrejtë, jo thjesht një thirrje mediatike, televizive, po bashkim i realizuar në mënyrë reale në këtë komunikim, i cili është komunikimi më i thjeshtë, por më i domosdoshmi politik.
Kjo është pjesa e domosdoshme për mua, në konceptim tim, për të realizuar pjesën e bashkimit.
Jo më kot, e përsëris, kryetari i partisë i mëshoi fort kësaj fjale dhe kërkon një angazhim tërësor nga të gjithë ne të hyjmë në kontakt të menjëhershëm me të gjithë këta njerëz dhe t’i ftojmë brenda Shtëpisë së tyre, të rikthehen në Shtëpinë e tyre sepse PD-ja është ajo Shtëpia e Madhe ku secili prej kontributorëve ka aksionet e veta dhe duhet t’i japë vlerë atyre aksioneve.
Basha i shkeli me këmbë edhe aksionet veta personale, por edhe aksionet e demokratëve. Pse thashë që është problemi më periferik, se nuk do të merrem dhe me media periferike.
Është problemi më periferik sepse në konceptin tim sot, Basha, në atë shahun politik të renditjes së rëndësisë së figurave politike, besoj se vjen pas Jenisherit.
Nuk e di është fundi ky apo mund të ketë fund tjetër dhe mendoj se nuk e kanë fajin në këtë rast as amerikanët dhe askush tjetër përpos vetë Bashës, i cili tanimë mendoj është i lirshëm që të gëlltisë të gjithë atë çorbën që ka ngrënë gjoja një lugë nga ajo që i gatoi Rama, po në fakt që e gatoi dhe vetë.
Ekzistencën e vet politike tashmë ta zgjidhë në mënyrë personale, jo në mënyrë politike.Unë mendoj se dyert e PD-së, Bashës nuk ia mbyllëm ne, nuk ia mbylla unë, as Editi, as Rigelsi dhe as të tjerët. Ai ia mbylli vetë dyert e PD-së, bashkë me Enkelejd Alibeajn, në atë çka i kanë bërë Partisë Demokratike, madje duke e marrë zvarrë përgjatë këtyre viteve duke goditur çdo demokrat në shpirtin dhe zemrën e tyre”, tha Boçi.