Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ditën e djeshme inspektoi së bashku me kreun e ARRSH-së, Evis Berberi punimet në kantierin e aksit të ri rrugor Thumanë-Kashar. Ndërtimi i këtij aksi ka sjell edhe protesta të shumta nga banorë të Bërxullës, të cilët kanë hedhur akuza në drejtim të qeverisë, se ky projekt është bërë pa i pyetur dhe në fshehtësi, madje edhe është devijuar, duke çuar në shembjen e banesave të tyre. Por pavarësisht këtyre protestave, punimet kanë vijuar pa problem.
Për ministren Balluku, ky aks rrugor, 21 km i gjatë, do të lehtësojë trafikun e rënduar nga Rinasi, e sidomos gjatë periudhës së verës.
Kompanitë “G2 INFRA” dhe “Gener 2” kanë fituar koncesionin “Për Projektimin, Ndërtimin, Operimin, Mirëmbajtjen dhe Transferimin e Aksit Rrugor “Thumanë – Vorë – Kashar” me një vendim të qeverisë në maj 2022.
Ndaj dy kompanive pati akuza të shumta nga banorët, kjo për shkak se projekti kalon nëpër zonat e banuara por mbi të gjitha ata kërkuan edhe shpronësim me vlerën e tregut. Megjithatë kërkesat e tyre kanë shkuar në vesh të shurdhët.
Por le të ndalemi te kontrata koncesionare.
Një plan të ardhurash bazë për gjithë periudhën e koncesionit të rrugës Thumanë -Vorë-Kashar parashikon mbi 1.3 miliardë euro (pa TVSH) dhe 1.56 miliardë euro me TVSH, që do të shkojnë për përfituesit e kontratës tashmë të bërë publike.
Kontrata e lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanive” Gener 2 sh.p.k” dhe “G2 Infra sh.p.k” ka ndryshuar dhe parashikon një koncesion 35 vjeçar, ku dy vitet e para do të jetë ndërtim i këtij aksi dhe pjesa tjetër operim dhe mirëmbajtje.
Një element tjetër i kontratës është ai lidhur me garantimin e të ardhurave bazë që do të vijnë nga operimi i rrugës. Shteti merr përsipër që në 8 vitet e para të nisjes së operimit nëse nuk arrihet plani bazë të ofrojë mbështetje.
Për ta shpjeguar më qartë, në vitin e parë plani bazë i të ardhurave për operim dhe mirëmbajtje është 26.85 milionë euro ndërkohë që shteti do të garantojë 8 milionë euro, në vitin e dytë që përkon me vitin 2025 plani bazë i të ardhurave është 25.58 milionë euro dhe garancia e shtetit ulet në 5.6 milionë euro.
Në vitin e tretë të operimit plani i të ardhurave është 25.10 ndërkohë që nëse nuk arrihet ky plan garancia e shtetit është për 3.92 milionë euro. Vit pas viti plani i të ardhurave ndryshon duke kulmuar në 63.15 milionë euro në vitin 2055 teksa mbështetja e shtetit ndalet në vitin 2031 kur garancia e parashikuar është 360 mijë euro.
Tarifa që qytetarët do të paguajnë për këtë aks do të jetë 12 cent/km, më e larta në Europë, pasi qytetarët europianë paguajnë 7cent/km. Pra, një shqiptari të Kosovës do t’i duhet të paguajë 7.5 euro për të ardhur në Shqipëri, duke përfshirë edhe pagesën në Rrugën e Kombit.
Ajo çfarë duhet theksuar është se deri në katër herë më shumë se rrugët europiane do t’i kushtojë Shqipërisë koncesioni Thumanë-Kashar.
Një raport i Bankës Europiane të Investimeve tregon se në 2021, një kontratë koncesionare për ndërtimin e një autostrade në Çeki 32 km të gjatë, si dhe mirëmbajtje për 28 vite do të kushtojë 16.5 milionë euro/km.
Ndërkohë një koncesion tjetër, Kekava Bypass në Letoni, ndërtim dhe mirëmbajtje për 20 vjet do të kushtojë 14.2 milionë euro/km.
Në Shqipëri, “Gener 2” ka planifikuar një koncesion me vlerë 1.3 miliardë euro për 35 vite. Ndërtimi, mirëmbajtja dhe transferimi i saj do të kushtojë 61.9 milionë euro/km, vlerë 3 deri në 4 herë më e lartë se partneritetet europiane.
Projekti i partneritetit publik privat për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Thumanë- Kashar ishte pjesë e programit infrastrukturor “1 miliardë euro” të shpallur gjatë mandatit të dytë që qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Ai u fitua nga kompania “Gener 2” e biznesmenit Bashkim Ulaj, e cila mori paraprakisht një bonus nga qeveria për propozimin e saj të pakërkuar. Pas shpalljes fituese, “Gener 2” themeloi kompaninë bijë “G2 Infra” për zbatimin e koncesionit.
Rruga, sipas projektit, parashikohet të jetë 21 kilometra e gjatë dhe e kategorisë “A”. Gjurma e saj nis nga Thumana, 150 metra në brendësi të autostradës ekzistuese me 4 korsi, që lidh Milotin me Thumanën në drejtim të Fushë–Krujës.
Vijon me një djathtas dhe vazhdon e drejtë në fusha deri në afërsi të Fushë-Krujës. Më pas, me anë të një kthese të dyfishtë i afrohet Aeroportit të Rinasit. Gjurma e rrugës vazhdon në krahë të djathtë të rrugës automobilistike të Rinasit, deri në lidhjen e saj me Autostradën Tiranë-Durrës në Kashar (rreth km të 12 në drejtimin Tiranë – Durrës).
Shpejtësia e projektuar për këtë rrugë është 130 kilometra/orë, ndërkohë që pjesë përbërëse e saj janë 14 nënkalime, 12 ura me gjatësi totale 4 kilometra, 3 mbikalime korsi emergjencash në secilën anë me nga 3 metra. Gjerësia totale e rrugës parashikohet 28 metra.