Nga Rezenbrik Serjani
Vitin e tij të parë, në krye të Bashkisë, Dredha i Ri, e mbyll me turpin e lënies së qytetit për disa ditë pa ujë.
Herën e parë, të ndërprerjes së furnizimit me ujë, për 4 ditë, jo vetëm që nuk denjoi të bënte një status a deklaratë ndjese publike, por ai vazhdon të guxoj ri-lënien e Vlorës përsëri pa ujë !
Është hera e dytë, brenda pak javësh, që qyteti kalon në “black out”, si pasojë e ndërprerjes së furnizimit me ujë për disa ditë, për çdo familje, në cdo lagjje, qofshin ato në qendër apo në periferi.
Abuzimet që po bëhen mbi rrjetin e ujësjellësit, e udhëhequr nga paaftësia, keqmenaxhimi dhe korrupsioni, kanë bërë që një “black out” i dytë të kaplojë qytetin e Vlorës, këto ditë të nxehta vere, në mesin e sezonit turistik.
Sezoni turistik 2024, më i keqi në historinë turistike të këtij qyteti mijëra vjeçar, do hyjë në librin e zi të thyerjes së rekordeve, për keqmenaxhimin dhe abuzimin institucional.
Bashkia Vlorë, në bashkëpunim dashakeqës me Ujësjellës Kanalizime Vlorë po kryejnë masakrën e dytë në kurriz të Vlorës dhe vlonjatëve, duke i ri-lënë përsëri pa ujë, në një bllok prej 4 ditësh.
Vlora po shndërrohet në një laborator eksperimental, ku sjelljet ç’njerëzore të institucioneve lokale, masin sasinë e durimit që ky qytet ka, duke i lënë e ri-lënë herë pas here, për më shume se 2-3 ditë, pa asnjë minutë furnizim me ujë.
Dëshpëruese, tragjike e dashakeqëse nga ana e institucioneve, është situata e Vlorës “turistike” sot, ku mungesa e furnizimit me ujë, kthehet në “lojën” e një grupi abuzuesish drejtuesish institucionesh, duke nisur nga i ashtuquajturi “qytetari i parë”, Dredha I Ri, i cili po i thellon çdo ditë e më shumë “avarirat e vjetra”.
Vitin e tij të parë, perveç se është kthyer në qytetarin e fundit të Vlorës; viti i tij i parë është shndërruar në “Vitin e Turpit” ne krye të Bashkisë Vlorë !