Niagara Folls dhe Varka e Noes

Agim Xh. Dëshnica

Madhështi blu e lumit pas shtegtimit
të gjatë rrjedh përmes ishujsh-shkrepa,
të vetmuar
qetë e lehtë si në va, afrohet buzë
honi e befas bie
me zhaurimë si det me dallgë shtrëngate.

Niagara Folls!
E ndiej me dridhmë
e buzëgas
furinë e lumit
shëmbien e potershme,
të rrymës ujore,
suvalat shkumbore
tek hidhen lart
e madhërisht shfrehin në liri.

Niagara Folls!
Ortek shungullues rrëkesh, larushi ngjyrash,
rrebeshe shiu
pas rroposjes bubulluese, rishmas buçet,
mjegulla e bardhë, del mbi valë e nget,
përfytyrimi ringjall lashtësinë
Përmbytjen e Madhe të shpëtuar me Varkën e Noes
guximtarët e rinj e të moshuar.

Niagara Folls!
E ndjek ujvarën me ngjyra vjeshte,
tek bie, uturin e brof drejt qiellit, largësive,
mëkon me flakë rrufesh, drita e jetë,
tokën krijim nga Zoti!

Niagara Folls!
E ndjek varkën tek çan ndër valë
afër ditës, larg mugut, ngadalë,
me ëndrra e mirazhe,
larg brengash, pranë shpresës,
punës për lumturinë njerëzore.

About Redaksia

Check Also

Vilhelme Vranari, rrugëtimi letrar dhe publicistik…

INTERVISTË ME SHKRIMTAREN SHUMËDIMENSIONALE VILHELME VRANA HAXHIRAJ (VI) EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU Në këtë pjesë përmbyllëse të …