“Demonët” e vërtetë të Spitalit Onkologjik

Nga Erion DASHO

Të bërë objekt diskutimi nga ana e opinionit publik si pakkush para tyre, mjekët e onkologjikut akuzohen për shpërdorim detyre gjë e cila, nëse provohet, përbën vepër penale dhe është e dënueshme.

Mjekët akuzohen se kanë referuar pacientët nga spitali shtetëror drejt klinikës private duke u justifikuar me radhën që duhet të presë një pacient në spitalin publik. Nëse do ndalej këtu, ky rast do të trajtohej si shumë të tjerë dhe mjekët do të gjykoheshin dhe do të merrnin atë ndëshkim që parashikon ligji. Shkelja “referim i pacientëve në klinikën private” është një veprim që e bëjnë qindra mjekë (i dënueshëm gjithsesi), por që nuk ngjall zemërim apo debat shoqëror të veçantë

Ç’ndodhi në fakt?

Duke “shkarë” informacioni se me paratë e përfituara nga trajtimi i pacientëve mjekët planifikonin pushime ekzotike apo fakti që mjekët lëshonin ndonjëherë gojën në turnin e natës, opinioni publik u trazua si kurrë më parë. Papritur referimi i pacientëve nga spitali publik në klinikën private nisi të duket një krim i përbindshëm dhe mjekët nga shkelës ligji nisën të trajtohen si kriminelët më të këqinj që ka njohur ndonjëherë ky vend.

***

Gjatë gjithë këtyre ditëve unë kam insistuar se kjo histori mediatike është stisur dhe nxitur nga “gëbelsit” që dirigjojnë propagandën e rilindjes. Përse?

Së pari, sepse një skandal i paprecedent dhe i shumëfishtë është zbuluar në të njëjtin spital. Pajisja e kobaltit është blerë si teknologji e vjetëruar (që sugjeron korrupsion të rëndshëm), nuk është përdorur asnjëherë për shkak të mungesës së bunkerit anti-rrezatim (që tregon papërgjegjshmëri) dhe është lënë në mëshirë të faktit në një korridor (që është qëndrim kriminal sepse mund të ketë ekspozuar ndaj rrezatimit pacientët dhe personelin shëndetësor). Skandali i pajisjes së kobaltit është i atyre përmasave që mund të çojë para ndjekjes penale zinxhirin drejtues nisur nga ministri dhe drejtori i QSUT-së, për të përfunduar personat përgjegjës për tenderimin dhe zbatimin e kontratës.

Së dyti, për të mbuluar dështimin e rilindjes në fushën e trajtimit të sëmundjeve tumorale. Vetëm gjatë vitit të fundit ka patur ankesa pa fund të pacientëve për mungesë medikamentesh dhe pajisjesh radioterapie, kushte çnjerëzore pritjeje, zhvatje nga koordinatorët patronazhistë të QSUT-së, etj. Përgjegjësit kryesorë për këto probleme janë boratët, si dhe klarinetistët dhe balerinat që drejtojnë shëndetësinë në emër të tyre.

Së treti, QSUT dhe Ministria është brejtur nga skandale të tjerë gjatë muajve të fundit, ku më i freskëti është skandali i djegies së Spitalit të Urgjencës. Sipas lajmeve që kanë qarkulluar shkak i djegies mund të ketë qënë cilësia e dobët e materialeve me të cilat është ndërtuar spitali. Përtej vlerës së vetë godinës, dëmi në shëndet dhe në jetën e pacientëve nga mosfunksionimi i spitalit më të specializuar të urgjencës në vend është i jashtëzakonshëm.

Së katërti, këto ditë përfundon nga puna Komisioni Hetimor Parlamentar i koncesioneve në shëndetësi, skandali 500 milionë euro i Boratit dhe boratëve. Për herë të parë, akuzat mediatike do të përkthehen në një raport zyrtar që nesër do të jetë dokumenti ku do të bazohen akuzat penale ndaj Boratit dhe boratëve.

Së fundi, duhet parë edhe jashtë shëndetësisë. Opozita shqiptare sapo ka arritur dy fitore të rëndësishme ligjore, kthimin e legjitimitetit tek forca reale drejtuese e opozitës dhe shmangia e djegies së mandatit të Dr. Berishës. Ndërkohë prej 6 muajsh vazhdon protesta permanente që grumbullon çdo natë mijëra qytetarë para burgut-shtëpi ku rilindja ka ngujuar kreun e opozitës.

***

Për të gjithë këto arsye, gëbelsit e Boratit stisën dhe bënë publik një skandal me mjekët e onkologjikut, lidhur me një problem që ka dy ose tre vjet që hetohet nga prokuroria dhe gjykata.

Le të kuptohemi edhe njëherë. Askush nuk i mbron mjekët e gjetur me shkelje. Për më tepër, si qytetarët, ashtu edhe komuniteti mjekësor e ka dënuar ashpër mungesën e empatisë për atë që është kategoria më vulnerabël e pacientëve. Një mjek që ende ka respekt për Betimin e Hipokratit, nuk mburret se do të bëjë pushime ekzotike me honorarët e fituar nga trajtimi i të sëmurëve me tumor, edhe sikur këto pare të jenë fituar me djersë dhe ndershmëri.

Por nuk duhet harruar se shkelja për të cilën akuzohen mjekët e ka burimin tek referimi i pacientëve nga spitali publik në atë privat. Në vijim lista e disa arsyeve se përse kjo ndodh:

mungesa e medikamenteve, sidomos e medikamenteve për kimioterapi.

mungesa ose vjetërsia e pajisjeve me të cilat realizohet radioterapia.

kushtet çnjerëzore të trajtimit të pacientëve, sidomos pritja para dyerve ose, më keq akoma, në mjedis të hapur në shi e në diell.

radhët e stërgjata disa mujore të krijuara sa nga kapacitetet e mangëta, aq edhe në mënyrë artificiale për shkak të paaftësisë së klarinetistëve dhe balerinave që drejtojnë spitalet e rilindjes.

Shpesh të gjithë mjekët janë të detyruar të ngejnë duart dhe t’u rekomandojnë pacientëve jo vetëm sektorin privat, por edhe kurimin në vende të tjera për ata që i kanë mundësitë. Jo rrallë, mjekë të pamoralshëm shfrytëzojnë në mënyrë kriminale mangësitë e sistemit jo në dobi të shëndetit dhe jetës së pacientit, por në dobi të xhepit dhe interesave korruptive.

***

Sipas mendimit tim, zemërimi qytetar duhet drejtuar në radhë të pare drejt boratëve dhe rilindësve që kanë krijuar një sistem shëndetësor të kriminalizuar ku me një pajisje të vetme mjeksore krijohen kushte për vjedhur 2 apo 3 milionë euro, ku shpërdorohen me koncesione 500 milionë euro dhe ku u mohohen të sëmurëve me tumor medikamentet dhe trajtimet e tjera jetëshpëtuese.

Nëse qytetarët do ta kërkojnë fajin për këto tek mjekët dhe do ta drejtojnë zemërimin drejt bluzave të bardhave, jo vetëm që nuk do të zgjidhin asnjë prej problemeve nga të cilat kanë vuajtur dhe akoma vuajnë, por do t’u lejojnë kriminelëve të vërtetë të vazhdojnë të pashqetësuar aktivitetin e tyre kriminal. Vetë qytetarët do të vazhdojnë të jenë të vjedhur, të nëpërkëmbur dhe të dënuar me vdekje kur u bie fati i keq i përballjes me sëmundje që u rrezikojnë jetën.

Zgjedhja është e shqiptarëve…

About Redaksia

Check Also

Nga loti te lotët…

Nga Lutfi DERVISHI Dikur, në kohët e moçme, para vitit të largët 2013, inaugurimi bëhej në …