Guximi i mashtruesit!

Nga Luçiano BOÇI

Të gjithë u habitën kur Rama publikoi pas një viti tundues plot korrupsion, afera, rrëmujë drejtësie e rrëmujë mediatike censin e pritur.

Sipas zyrës së tij, Shqipëria na është plot me njerëz, të rinj e të reja, profesionistë e elitarë, zullumqarë e ziliqarë, të ndershëm e të ethshëm, euroatlantikë e proamerikanë, të korruptuar e të mbaruar, të vërtetë e hipokritë.

Ndërkohë realiteti është tërësisht tjetër.

Shkolla e klasa pa nxënës, universitete pa të rinj, biznese e bujqësi pa fuqi punëtore e specialistë të kualifikuar, fshatra, qyteza e qytete nën ankthin e zbrazjes.

Thënë troç: një vend i cili dalëngadalë po shndërrohet në një shkretëtirë njerëzore.

E këtë shkretëtirë vetëm një njeri sot në Shqipëri kërkon ta fshehë e ta mbulojë e ta paraqesë thjeshtë mirazh, me një guxim prej të çmenduri.

Ky është Rama, Kryenarkosi i një shteti. dikur vital, me moshën më të re në Evropë dhe që për 12 vite të sundimit të tij u mpak e u mplak me shpëjtësi rrufe.

Nuk është as i verbër e as ai budallai i mençur i fshatit nacionalist.

Është ai që kemi vite që e njohim dhe i cili tanimë nuk fshihet fare. Është mashtruesi epik i kohës sonë.

Mashtruesit si tipologji krahas aftësisë parashtruese, kanë me vete gjithmonë një guxim prej të dali mendsh.

Sepse ky “guxim” i bën të mos llogarisin as përmasën e mashtrimit dhe as edektet e tij në ardhmen.

Ata vetëm duan të kapërdijnë momentin. Vetëm janë nën pushtetin e etheve të fitimit. I gjithë aparati i tyre emocional e mental i shërben vetëm mashtrimit deri në detaje.

Asnjë muskul nuk i lëviz dhe syri nuk i bën dritë. Ndërsa vetëgjykimi është fshirë totalisht dhe empatia nuk ekziston. Përmasa njerëzore ka vdekur prej vitesh.

E ky kufoma shpirtërore, ta mendosh në një moment, ka në dorë fatet e shumë njërzve ndërkohë që është i interesuar vetëm për fatin e vet personal.

Pikërisht me këtë guxim, guximin e mashtruesit, Rama mbajti në sirtar prej një viti censin, për ta shfaqur në momentin që ai donte.

Fiks si ai mashtruesi bixhozxhi që nxjerr asin e fundit të mbajtur nën mëngë me hilen karakteristike, për të shpëtuar situatën.

Prandaj mos u habisni që jemi kaq të shumtë në numër, sipas mashtruesit.

Mos u habisni nga ky “guxim” degradues.

Rama i tillë ka qenë prej vitesh në pushtet.

Me të njëjtin guxim mashtroi për shëndetësinë falas e ku sot vdekja jo vetëm shëndeti blihen me shumë lekë.

Me të njëjtin guxim mashtroi për arsimin e dixhitalizuar e ndërkombëtarizuar e sot i fundit në renditjen botërore.

Po kështu mashtroi për bujqësinë e varfëruar, drejtësinë e deformuar, zgjedhjet e shëmtuara e për gjithçka, duke dhuruar propagandë pa hesap me media që mashtrojnë dhe ato në sinkron me të dhe që i shërbejnë guximit të mashtruesit.

Prandaj mos u habisni , sepse ne sot mund të rezultonim dhe 10 milion dhe ata që e brohorasin në sallat e mbyllura e portalet e mediat e paguara, përsëri do ta besojnë nën efektin e hipnozës së guximit të mashtruesit dhe të këndelljes së interesit financiar e militant.

Dhe zgjidhja nuk është korrigjimi, apo nxjerrja e të vërtetave statistikore për censin, apo për drejtësinë, shëndetësinë, arsimin etj.

Zgjidhja është rrëzimi i mashtruesit që ai mos të guxojë më të nëpërkëmbë më të vërtetat e një kombi të tërë.

About Redaksia

Check Also

Trarët e oligarkisë apo shkopi i qeverisë?

Klodian TOMORRI Përfundimi i autostradës Thumanë-Kashar ka hapur më të drejtë debatin e madh publik …