Klodian Tomorri
Tenderi i parë për ndërtimin e tunelit të Llogarasë u shpall në dhjetor të vitit 2020, ndërsa hapja e ofertave ishte caktuar për në 12 shkurt të vitit 2021. Megjithatë pak ditë para se të afrohej data e hapjes së ofertave, ministria e Infrastrukturës e shtyu afatin e tenderit në 12 mars.
Por kjo nuk ishte thjesht një zgjatje afati për t’u lënë kompanive më tepër kohë. Paralelisht ministria e Infrastrukturës futi duart dhe ndryshoi kriteret e veçanta të kualifikimit.
Së pari, u ndryshua kushti fitimit të kompanive pjesëmarrëse në tender. Në tenderin origjinal specifikohej se kompanitë duhet të kishin realizuar një fitim përpara taksave, interesave dhe amortizimit prej 50 milionë eurosh në 5 vitet e fundit, që përkonte me periudhën 2015-2019. Por në kritetet e rishikuara EBITDA u ul me 2.5 herë duke u bërë 20 milionë euro.
Lehtësimi i kritereve financiare hapte fushën e lojës për kompani të panjohura. Por ky nuk ishte ndryshimi i vetëm. Paralelisht u relaksua edhe kushti i punëve të ngjashme. Nëse në dokumentat e para kërkohej që kompanitë të kishin realizuar punë të ngjashme me një vlerë sa 70% e fondit limit të kontratës, me rishikimin kjo xhiro u ul në 50% e fondit limit të kontratës.
Ndërsa, kushti i ndërtimit të 8 kilometrave tunel u kufizua në kohë nga 5 vjet që ishte, në 3 vjet. Ky kriter duhej për të nxjerrë jashtë gare, kompanitë e tjera që mund të synonin futjen në tender. Por pavarësisht qepjes së kritereve, punët nuk shkuan ashtu siç i kishin paracaktuar. Ndonëse në tender u paraqitën 6 oferta, ministria e anulloi atë me arsyetimin se asnjëra nuk ishte e përshtatshme.
Tenderi u rishpall përsëri, këtë herë në qershor të vitit 2021, ndërsa data e zhvillimit të tij u caktua 28 korriku. Ofertën më të ulët në garë e dha një bashkim kompanish të huaja dhe shqiptare. JV Concord Engineering and Contracting, Alb Building shpk dhe Alb Star shpk ofruan të ndërtonin tunelin me 15,8 miliardë lekë ose 158 milionë euro. Por oferta e tyre u skualifikua. Ministria e Infrastrukturës zgjodhi si fituese të tenderin një ofertë 12 milionë euro më të shtrenjtë. Kjo ishte oferta e dy kompanive turke INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK dhe ASL INSAAT TAAHHUT, të cilat dhanë një çmim 17 miliardë lekë ose 170 milionmë euro për ndërtimin e tunelit.
Dhe përgjatë kësaj kohe kishte patur edhe zhvillime. Tre muaj pas zhvillimit të tenderit, nga salla e Parlamentit opozita publikoi një foto ku shfaqej kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku me CEO-n e kompanisë fituese të tunelit të Llogarasë. Fotoja ishte bërë 4 muaj para zhvillimit të tenderit.
E vënë përpara faktit të kryer, Belinda Balluku deklaroi se ajo nuk mbante shënime apo listë se më kë takohej apo bënte foto në vizitat zyrtare. Balluku tha se nuk kishte bërë asnjë vizitë në kompani private, por fotot ishin gjatë një vizite zyrtare të saj dhe kryeministrit në Ankara.
Por 12 milionë euro nuk ishin pak. Bujar Leskaj, Helidon Bushati dhe Arbi Agalliu patën deklaruar se do ta kallëzonin çështjen në SPAK, por nuk u mor vesh nëse opozita e bëri ndonjëherë padinë. Megjithatë tenderi për tunelin e Llogarasë ka shumë hije dyshime. Përfshirë faktin se kompanitë që dhanë ofertën më të ulët në tenderin e parë të anulluar përfunduan nënkontraktor në tenderin e dytë. Vetëm se këtë herë kostoja për qytetarët ishte rritur me 20 milionë euro.
Shqiptarët ta gëzojnë tunelin dhe kryeministri të përjetojë emocionet e këngëve që i thuren nga populli për bëmat e tij, njësoj si Enver Hoxhës qëmoti. Por tani që inxhinierët mbaruan punë me ndërtimin e tij, është koha të fillojnë nga puna prokurorët e SPAK. Se mos na del edhe këtu ndonjë që ka ngrënë dardha pas shpinës. Verifikimi nuk është asnjëherë i keq. Aq më tepër kur ndahen 170 milionë euro me takime “zyrtare” në Turqi.