Nga Visar ZHITI
DY VËLLEZËRIT BELUSHI, AKTORË…
– i vdekuri dhe i gjalli –
Kur morëm kthesën në River North, në lagjen muzikore, të njohur për jetën e natës dhe artin, ndërkaq ishte mesditë dhe nisi një shi i butë vere si emocionet. Po shkonim në “House of Blues Chicago”, që të takoja dy vëllezërit Belushi, John dhe Jim, të famshëm dhe hollywoodianë. I madhi s’është më, iku 33 vjeçar nga kjo jetë, në 1982, shkak: mbidozë droge, (atëhere unë isha në burg), ndërsa vëllai i vogël tani është 70 vjeç, aktiv, nën drogën e artit, mund të themi. Që të dy manekinë.
Se dhe unë, duke qenë djalë aktori i një estrade në një provincë larg në atdhe, ruaja ende një dobësi për dy aktorët-vëllezër të komedisë amerikane, aq më tepër që i kam dhe bashkatdhetarë, janë me origjinë nga Korça jonë.
“House of Blues” – gjithë ngjyra me atë dizajnin e veçantë, mjedisin artistik, me pikturat murale e dekorimet, të frymëzuara nga kultura e blues-it dhe e artit popullor. Sa të bukura janë këtu dhe lidhjet me vëllezërit Belushi, veçmas me John-in dhe filmin famos të tij, “The Blues Brothers”, – një kult klasik me performanca të shumta muzikore, ku dy personazhet kryesorë përpiqen të mbledhin fonde për të shpëtuar një jetimore duke organizuar një koncert të madh. E gëzuar dhe e trishtë! Një buzagaz të tillë sikur patëm dhe ne, teksa rrinim përballë dy vëllezërve.
U ula në karrigen mes tyre. Cili është i vdekuri dhe cili i gjalli?
Të gjithë kemi vellezër apo miq si vëllezër dhe shpesh të gjallët janë më të vdekur dhe të vdekurit më të gjallë…
Jim Belushin e prisnim të vinte në festën e 100 vjetorit të shoqatës së Qytezës së tij, por s’erdhi dot kétë radhë, dërgoi një përshëndetje. Mbase ka qenë i zenë me televizionin a ndonjë film. Ai është i njohur për rolin e tij kryesor në komedinë televizive “According to Jim”, e cila u transmetua nga viti 2001 deri në 2009. Mbase do të vazhdojë…
Kur Jimi vizitoi Shqipërinë, shkoi te shtëpia e vjetër e të atit dhe kërkoi që ta linin vetëm, ai e di se ç’tha me vete mes mureve të kujtimeve. Në një televizioni gjerman tha se kudo si në pasqyrë kishte parë veten e vet, ngjanin si mua të gjithë.
Po unë në pasqyrat këtu a do të shoh Jim-in, po John-in? Vëllezërit Belushi më shfaqeshin kudo, dhe i gjalli dhe i vdekuri.
– Shiko këpucët në tavan?
– Çfarë? – thashë i habitur, – nuk janë shandanë?
– Jo, këpucë të ngjitura, të aktorëve që kanë shkëlqyer në skenën këtu…
– Dhe këpucët shkëlqekan, – thashë.
– Ja, dhe “Këpuca e aktorit” të romanit tënd, – dëgjova prapë dhe buzëqesha me shakanë e këndëshme.
Dhe po fantazoja t’i hiqja këpucët e mia, t’i ngjisja mureve dhe të dilnim zbathur rrugëve të Chicago-s, të shëtisnim nën shiun e butë, që vazhdonte të rigonte si emocionet e qytetit të madh…
V.