Iva V.GRILLO
Ajo se çfarë ndodhi në Amerikë dje është një ngjarje e trishtë dhe do të kishte qënë e tillë në çdo rast, kujdo kandidati që mund t’i kishte ndodhur.
Një ogur i keq që tregon polarizimin ekstrem për shkak të politikës, taktikave të alienimit dhe izolimit të kundërshtarit politik.
Gjithsesi, Amerika është vend i madh dhe jam e sigurtë që kjo ngjarje do të ketë vemendjen e komentimin e duhur në javët/muajt në vijim.
Duke u kthyer në nahinë tonë të vogël nuk mund të mos vëmë re se ajo që shohim në skenën e madhe të politikës botërore, është vënë në skenë prej vitesh në teatrin e politikës shqiptare, fatkeqësisht edhe me ndihmën e orkestrimin e segmenteve të caktuara të politikës amerikane që sot me të drejtë është shokuar nga ajo që i ka ndodhur bash mu në mes të sofrës së vet.
Politika e alienimit të opozitës, izolimit të kundërshtarëve, filozofisë së “non-gratave” politike që bien ndesh me vullnetin dhe sovranitetin e një populli për të vendosur dhe mbi të gjitha, djegia në turrën e druve të kundërshtarëve politikë me procese të manipuluara dhe drejtësi të kapur, nuk mund të sjellë asgjë të mirë…përkundrazi.
Demokracia e rrënuar shqiptare dhe kapja e shtetit nga një kastë e korruptuar është provë e gjallë sesi qasja e demonizimit dhe e djegies në “turrën e druve” mund të prodhojë vetëm agresivitet në shoqëri dhe vendosje regjimesh jodemokratike.
Shqiptarët kanë vite që e bërtasin të vërtetën e tyre… por fatkeqësisht u desh një “skenë” botërore për të shpalosur edhe njëherë idenë se inkuizicionet politike sado të përligjur ta shesin veten, nuk mund të sjellin kurrë progres… veçse fatkeqësi.
Dhe për ta mbyllur, një kujtesë se lideri opozitar shqiptar Berisha, pasi është denigruar, etiketuar, goditur dhe izoluar pa akuze, vazhdon të mos lejohet të shkojë në parlament për të përfaqësuar votuesit e tij.