Analisti: Krimi ka kapur shtetin! Shqipëria vendi i pastrimit të parave! Korrupsioni në çdo qelizë…

“Krimi ka kapur shtetin! Shqipëria vendi i pastrimit të parave! Korrupsioni në çdo qelizë”… Kështu deklaroi analisti Neritan Sejamini, i cili bëri një analizë të krimit në Shqipëri, duke renditur një sërë problematikash.

I ftuar në emisionin ‘Të Paekspozuarit’, Sejamini theksoi se, kemi kapjen e shtetit nga krimi, korrupsionin e përhapur në të gjithë strukturën shtetërore dhe pastrimin e parave, fenomen i përhapur tej mase në dekadën e fundit.

Sejamini: Ne na mungojnë analizat e gjendjes së krimit në Shqipëri. Ky emision që po bëjmë sot, është një gjë e rrallë që po mundohemi të përmbledhim një vit apo gjashtë muaj. Por, të kesh një analizë se kush kanë qenë tiparet e krimit në Shqipëri, drejtimet kryesore të krimit, organizatat kriminale, natyra e krimit, si po evolon, si ka ardhur, nuk ekziston fare, as nga policia, as nga entet hulumtuese dhe as shtetërore.

Ajo që ndodh në Shqipëri, ne diskutojmë për çdo ngjarje në mënyrë aty për aty. Ndodh një ngjarje merremi 24 orë dhe çudia zgjat dy ditë. Nuk merremi se çfarë domethënie kanë këto ngjarje, çfarë e furnizon krimin dhe e mban gjallë, çfarë e lufton. Ne e kemi fragmentuar edhe analizën mbi krimin, si analizën mbi çdo gjë tjetër. Prandaj e kemi të vështirë të thuash me siguri, kjo është e ardhmja e krimit në Shqipëri.

U përmend këtu, edhe fakti që nuk kemi një strategji të luftës kundër krimit edhe pse është dukuri e rëndësishme ekonomiko-sociale dhe politike, qeveria shqiptare nuk ka një strategji kundër krimit. Policia dhe prokuroria po kështu. Edhe ato e luftojnë në mënyrë të rastësishme, po ndodhi një krim e ndjekin.

Krimi duhet parandaluar, përgjuar, investiguar, ne nuk parandalojmë asgjë. Duhet të vritet dikush, të kapet një maune, të vijë një letër nga jashtë shtetit…

Siguri është a mund të të vrasë dikush në rrugë për të të grabitur? Jo. Por a ka mundësi që ti rastësisht të gjendesh dhe të vijë njëri të vrasë tre vetë të tjera dhe ta hash ti si viktimë? Po, kjo është e mundur.

Specifika kryesore e krimit në Shqipëri, është pastrimi i parave, është bërë fushë kryesore. Cila pjesë e krimit ndodh? Ka qenë në të shkuarën rrugë kalimi për trafikun e drogën nga lindja në perëndim, apo edhe nga Amerika Latinë përmes Shqipërisë në Evropë, sot ka marrë një specifikë, është bërë vend i pastrimit të parave. Edhe për këtë nuk kemi shifra, ka disa analiza të tërthorta, flasim më shumë me çfarë shikojmë, por mund të shohësh në mes të Tiranës, sektori i ndërtimeve, nga kompani pa kapitale, nga njerëz pa përvojë, nga njerëz të dyshimtë, para që nuk dihet se nga vijnë, tregon se kemi pastrim të madh të parasë. Edhe raportet ndërkombëtare tregojnë se në Shqipëri pastrohen para dhe fatkeqësisht paraja e krimit është bërë një nga karburantet kryesore të ekonomisë shqiptare, Po të shohësh të dhënat, bujqësia ka rënë, fasoni po shkatërrohet, eksportet po bien, ndërkohë ndërtimi mbetet i paepur, çmimet rriten.

E dyta, kemi kapjen e shtetit nga krimi. Një nga gjërat që mësuam gjatë këtij viti ishte lidhja mes biznesmenëve, policisë, prokurorëve, politikanëve, për vota dhe kontroll territori. Pra nëse morëm vesh në Shkodër, Bajrat merrnin pjesë në fushatë elektorale. Kemi biznesmenin tjetër, Pëllumb Gjoka, që merrte pjesë në çdo gjë edhe vriste, edhe kontrollonte policinë, prokurorinë, merrej me politikë, etj.

Ke drejtorë të rëndësishëm të policisë, drejtori kryesor i ndërhyrjes speciale, ishte pjesë e krimit të organizuar. Mësuam që krimi ka kapur shtetin.

E fundit, korrupsioni, një nga krimet më problematike në Shqipëri. Ajo që kemi mësuar gjatë këtij viti, është që korrupsioni ka mbërthyer çdo qelizë të shtetit shqiptar. Shikon krimin e organizuar, punonjës publikë, shtetërore, që krijojnë organizata kriminale brenda institucioneve shtetërore. Ke drejtues publikë, që në bashkëpunim me njëri tjetrin manipulojnë, vjedhin, tjetërsojnë, grabisin. Kjo bëhet masive. Korrupsioni ka depërtuar çdo qelizë të shtetit shqiptar. Nuk di nëse ka një institucion të paprekur nga korrupsioni. Bashkitë, deri te Banka e Shqipëri, drejtorin e rrugëve, drejtorët e mëdhenj të Bashkisë, ke gjithë andej.

Kjo është premisë shumë negative në të ardhmen. Nëse një bandë edhe mund ta gjurmosh dhe ta shpartallosh. Këto element janë të thelluar dhe aq të lidhur me shtetin… Kush do ti luftojë këta? Nëse ekonomia mbahet nga krimi dhe paratë e pushtetit lokal vijnë nga krimi, nga ndërtimi, nëse krimi ka kapur shtetin, biznesin, drejtësinë, kush do ta luftojë krimin në Shqipëri?

About Redaksia

Check Also

Spahia kërkon dorëheqjen e Benet Becit: SPAK të hetojë edhe vilat e tij

Ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, kërkoi dorëheqjen e kreut aktual të bashkisë, Benet Beci pas …