Skandali i vjedhjes me barnat e rimbursueshme ka marrë të tjera përmasa. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar se Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka rimbursuar receta barnash të lëshuara për persona që janë ndarë nga jeta, ndërkohë që dokumentat tregojnë se pët shumë barna sasia e rimbursuara rezulton më e madhe se importi i kompanive farmaceutike dhe gjendjet në inventar.
“Nga auditimi janë konstatuar raste në të cilat, identifikohen pacientë që kanë ndërruar jetë, të cilët rezultojnë përfitues të rimbursimit pasi kanë ndërruar jetë, duke përfshirë mjekë që plotësojnë receta dhe farmaci që ekzekutojnë këto receta megjithëse personat kanë ndërruar jetë,” thuhet në raportin e auditimit të KLSH-së.
Organi suprem i kontrollit financiar thotë se FSDKSH ka refuzuar t’i vërë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm për kontroll të imtësishëm me rimbursimin e barnave. Por nga testimet inspektorët e KLSH kanë evidentuar mbi 60 raste rimbursimesh për persona të cilët nuk jetojnë më gjatë periudhës 2021-2022. Sipas tyre, dyshohet se ky fenomen është gjerësisht i përhapur teksa përmes recetave fiktive, farmaci të caktuara vjedhin paratë e qytetarëve.
Por ky nuk është shtegu i vetëm i abuzimit. “Nga përpunimi i të dhënave për disa barna spitalor u konstatua se, sasia e pretenduar për rimbursim, e cila është procesuar në vijim edhe për pagesë nga ana e DSHSU, është më e madhe se sasia që është bërë hyrje në farmacinë e QSUT nga këto depo, duke marrë në konsideratë edhe gjendjet në fillim dhe në fund të periudhës. Këto diferenca nga të dhënat e paraqitura nga sistemet mbi të cilat funksionojnë marrëdhëniet tre palëshe sipas kontratave specifike nuk janë identifikuar në kohë nga ana e DSHSU dhe as nga strukturat e kontrollit të FSDKSH,” thuhet në raport.
Qeveria shqiptare shpenzon rreth 110 milionë euro në vit për të rimbursuar ilaçet përmes FSDKSH. Por dyshimet janë se një pjesë e këtyre parave nuk shkojnë për të sëmurët që kanë nevojë, por vidhen përmes recetave fiktive nga disa farmaci.
Skandali shpërtheu një herë zyrtarisht disa vite më parë, kur prokuroria arrestoi disa ish zyrtarë të Fondit dhe pronarë farmacish. Megjithatë kjo nuk e ka ndalur biznesin e vjedhjes me rimbursimin e barnave.
KLSH konstaton se sistemi informatik i recetave dhe rimbursimeve nuk garanton integritetin e të dhënave duke lënë shtigje të mëdha për abuzime me rimbursimin e barnave.
Pavarësisht se qeveria shqiptare ka shpenzuar miliona euro përmes AKSHIT për ngritjen e sistemeve dixhitale të rimbursimit dhe kontrollit të ilaçeve, KLSH thotë se ato nuk janë plotësisht funksionale.