Albin Kurti: Tërheqja e Bidenit, fundi i një epoke!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se tërheqja e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, nga gara për rizgjedhje, shënon “fundin e një epoke”.

“Bota – e veçanërisht Kosova – është një vend më i mirë dhe më i sigurt, për shkak të kontributeve të tij të jashtëzakonshme. Për këtë, ne do të jemi gjithmonë mirënjohës”, shkroi Kurti në platformën X.

Ai tha se Biden, me dekada të tëra, ka qenë një nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës dhe mbështetësit më të palodhur.

Biden njoftoi më 21 korrik se do të tërhiqet nga gara presidenciale e 5 nëntorit.

Presioni nga Partia e tij Demokratike për t’u tërhequr, u rrit pas një performance jo të mirë të Bidenit në një debat presidencial me kundërkandidatin republikan, Donald Trump.

Biden i dha mbështetje zëvendëses së tij, Kamala Harris, për të garuar kundër Trumpit.

Gjatë karrierës mbi 50-vjeçare në politikë, Biden ishte mbi tri dekada senator, dy mandate zëvendës i presidentit Barack Obama, dhe një mandat president.

Si senator, ai ishte mbështetës i zëshëm i veprime ushtarake të NATO-s kundër Serbisë për të ndalur dhunën në Kosovë, si dhe më pas i pavarësisë së Kosovës.

Si nënpresident, ai vizitoi Kosovën dy herë.

Viteve të fundit, nga pozita e presidentit, inkurajoi disa herë Kosovën, por edhe Serbinë që t’i normalizojnë marrëdhëniet me njëra-tjetrën./REL

About Redaksia

Check Also

SHBA njeh kandidatin e opozitës si fitues të zgjedhjeve presidenciale në Venezuelë

Qeveria amerikane njohu të martën kandidatin e opozitës, Edmundo Gonzalez, si fitues të zgjedhjeve presidenciale …