Partia Demokratike vazhdoi denoncimet përpara zyrave të SPAK për atë që njihet si vjedhja e shekullit me inceneratorin e Tiranës.
Drejtuesi Politik i Tiranës, Belind Këlliçi dhe Koordinatori për Tiranën, Klevis Balliu, denoncuan këtë herë rastin e Elton Buallit, drejtorit të inceneratorit të Tiranës, i cili ka përfituar nga fondet IPARD të BE-së, të cilat duhet të shkonin për fermerët shqiptarë.
Me këto fonde, ai ka ngritur një serë, e cila nuk është sekuestruar çuditërisht akoma nga SPAK.
DEKLARATA E BELIND KËLLIÇIT
Kemi nisur serinë e denoncimeve para zyrave të SPAK për atë që tashmë quhet organizata partnere e PS.
Kemi ardhur për të vijuar denoncimet për një anëtar të grupit të strukturuar kriminal të inceneratorit të Tiranës, Elton Buallin.
Konfliktet dhe denoncimet e para për këtë individ që ka qenë drejtor i inceneratorit të Tiranës kanë nisur në përballjen që kemi pasur në 18 tetor 2020, ku së bashku me deputeten Ina Zhupa kemi bërë denoncimin e parë në landfill.
Më pas në gusht të vitit 2021, Klevisi ka nxjerrë pjesën dërrmuese të dokumenteve për këtë shtetas.
Për katër vite me radhë, PD ka mbajtur me dhjetëra deklarata e konferenca për këtë invidid, që mesa duket SPAK e ka harruar se është pjesë e grupit të strukturuar kriminal të inceneratorit të Tiranës.
Po flasim për individin që ka figuruar shpesh herë si drejtor i inceneratorit të Tiranës, inceneratorit të Fierit, në komunikimet në Zimbabve, në komunikime me Mirel Mërtirin, në komunikime kyçe me Bashkinë e Tiranës ku vendosej se ku do depozitoheshin dherat dhe në projektet qindra milionë eurosh në resortet ku do investonin prestanomet e inceneratorit të Tiranës në Tunizi.
Ky individ ka marrë 500 mijë euro hua nga ITS e Klodian Zotos për të blerë një truall dhe kjo është një nga dy kontratat e blerjes së tokës në landfillin e Sharrës.
Dhe për të aplikuar më pas përmes Stella Gugalles në AZHBR dhe për të përfituar 310 mijë euro nga fondet e programit IPARD.
Pra, paratë që duhet të merrnin ata që punojnë në bujqësi, fermerët tanë, i ka marrë drejtori i inceneratorit të Tiranës bashkë me Stela Gugallen për të ndërtuar një serë.
E cila edhe sot që flasim vijon të mos sekuestrohet nga SPAK.
Nuk e di se sa dokumente duhet të sjellim ende në SPAK. Por edhe nëse nuk ka funksionuar posta, sot i kemi bërë në format më të madh për të zbardhur për t’u ardhur në ndihmë prokurorëve për të zbardhur aferën më të madhe që ka parë Shqipëria dhe Tirana që është inceneratori i Tiranës, që deri tani ka kushtuar 132 milionë euro nga taksat tona.
Kreu i këtij grupi të strukturuar kriminal vijon të mbetet Erion Veliaj.
Ftoj sërish nesër qytetarët në orën 11:00 që të jenë pjesë e protestës së 18-të përpara Bashkisë së Tiranës kundër korrupsionit, vjedhjes, incneratorit të Tiranës dhe bandës 5D.