Qeveria shqiptare i ka dhënë 5.8 milionë metër katror tokë investitorëve strategjikë në të gjithë vendin, nga të cilat 17 projekte janë në bregdet, përmesligjitpër Investimet Strategjike të miratuar në 2015.
Vendimet e Komitetit të Investimeve Strategjike, tregojnë se bregdeti i jugut mbetet zona më e lakmuar për investitorët strategjikë. Edhe pse ky ligj kishte për qëllim thithjen e investitorëve të huaj, vetëm 2 nga 44 projektet e miratuara kanë ardhur plotësisht nga jashtë. Investimet nga kompanitë vendase dhe njerëzit e afërt me pushtetin, kanë krijuar kantiere masive ndërtimi në kodrat e gjelbëruara të jugut, të cilat po kthehen në resorte ekskluzive vilash.
Kantieri i ndërtimit për kompleksin turistik “Thymus” në bregdetin e fshatit Drimadhë
Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS), i cili jep vendimet për shpalljen e investitorëve udhëhiqet nga kryeminsitri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit.
Në një përgjigje për Citizens Channel, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit dhe Investimeve AIDA tha se janë 6 projekte që kanë marrë sipërfaqje në plazh, ku pjesën dërrmuese e zë projekti i Marinës së Durrësit, i ndjekur nga kompleksi “Green Coast” në Palasë.
Rreth 1.6 milionë metër katror sipërfaqje në bregdetin e jugut u është dhënë investitorëve strategjik nga qeveria përmes ligjit për investime strategjike.
Referuar të dhënave të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), 17 projekte janë miratuar për investime strategjike në fushën e turizmit vetëm në bregdet.
Afro 4 milionë metër katror janë dhënë gjithsej për shfrytëzim tek investirorët strategjik në fushën e turizmit, që prekin bregdetin, ku përfshihen edhe zona e Durrësit, Kepi i Rodonit, Gjiri i Lalëzit dhe Divjaka.
Nga viti 2016 deri më tani janë trajtuar 88 projekte investimi, nga të cilat 44 kanë përfituar statusin dhe 34 janë në fazë vlerësimi, ndërsa 14 janë refuzuar.
Në vitin 2015 Parlamenti shqiptar miratoi ligjin për “Investimet Strategjike”. Ky ligj është shtyrë disa herë dhe herën e fundit u shty deri në 2023 me votat e mazhorancës dhe pa debat.
Sipas këtij ligji çdo person mund të marrë statusin “investitor strategjik” nëqoftëse investon më shumë se 5 milionë euro dhe punëson 80 punëtorë.
Ligji kishte si qëllim primar të vetin kur u hartua, thithjen e investimeve të huaja direkte nga jashtë. Por nga 2016 deri në 2023 vetëm dy projekte janë lëshuar për investitorë të huaj, dhe katër janë të përbashkëta. Pjesa tjetër janë vetëm investitor vendas.
Qëndresa Qytetare publikoi një studim në 2021 për ligjin për investimet strategjike, nga ku gjithashtu del në pah se ka pasur shumë pak investitorë të huaj krahasuar me ata vendas. Studimi thekson se gjysma e investimeve strategjike janë bërë në sektorin e turizmit.
Ekspertët e cilësojnë si një ligj klientelist dhe monopolizues, pasi sipas tyre së pari ai ka dështuar të thith investitorë të njohur dhe së dyti është përdor si mjet për të kënaqur njerëz të afërt me pushtetin.
“Me sa duket ligji është hartuar keq dhe vullneti me të cilin është zbatuar ligji ka qenë edhe më specifik i fokusuar te interesat e biznesmenëve dhe grupeve të caktuara“, u shpreh për Citizens Channel Aranita Brahaj nga Open Data Albania.
Këto lloj favorizimesh kanë stepur investitorët e huaj të marrin pjesë në garë, sipas ekspertit të ekonomisë Zef Preçi. Ai shton se ata tërhiqen pasi shohin “një klimë favorizuese ndaj oligarkëve në vend”.
“Ligji duhët të sillte investiorët strategjik, ata që janë emra të njohur në perëndim që kanë ekspertizë kapacitet financiar, përvojë shumë të gjatë”, u shpreh për Citizens Channel Preçi.
Brahaj shprehet se është qeveria ajo që ka dështuar në thitjen e investitorëve të huaj dhe jo ligji.
Aranita Brahaj, Open Data Albania
“Ligji është hartuar, ndryshuar dhe është aplikuar në një formë të tillë që të përdoret për të favorizuar biznese me influencë dhe lidhje me drejtuesit e maxhorancës”, tha Brahaj për Citizens Channel.
Preçi shprehet se si pasojë e ndryshimeve që ka pësuar ligji është krijuar një situatë ku s’ka transparencë dhe respektim të kritereve të konkurueshmërisë.
“Ka më shumë zgjerim të rolit të organeve kolegjiale dhe është krijuar një terren ku qeveria po përdor pasuritë natyrore, kryesisht toka në bregdet si një instrument për të kënaqur interesat e klientëve të saj”, thotë Preçi.
Për listën e përfituesve Aranita Brahaj deklaron se emrat e investitorëve strategjikë janë “njerëz pranë pushtetit kanë marrë këtë status me plane aspak bindëse për zhvillim biznesi”.
Sipas ekspertëve, edhe pse ligji ka 7 vite që është në fuqi ky ligj, investimet e huaja direkte mungojnë dhe nuk janë rritur si dhe as nuk ka pasur rënie te shkallës të papunësisë nëpërmjet krijimit të vendeve të reja të punës.
Ligji përveç faktit që nuk ka arritur të tërheqë investimet e huaja, është përdorur si një mjet “për të kënaqur njerëzit afër pushtetit”.
“Në tërësi është krijuar një klimë tejet favorizuese për grupe dhe individë dhe është zbehur interesi publik”, thotë eksperti Zef Preçi.
Rasti i fundit i cili u kthye dhe në debat në Parlament, pas akuzave për korrupsion nga opozita, ishte ai i bashkëshortit të ministres Olta Xhaçka. Ministrja e pranoi shpalljen e bashkëshortit të saj si investitor strategjik duke u shprehur se “është një biznesmen serioz”.
Emra të tjerë afër qeverisë janë shpallur po ashtu “investitor strategjik”. Rasti i aktorit të humorit Gazmend Paja, i cili ka marrë pjesë në fushatën e Partisë Socialiste. Paja ka fituar 133 mijë metër katror në Dhërmi.
Për ekspertët, zgjatja e afatit të ligjit shërbeu si mjet për t’i hapur rrugë njerëzve afër qeverisë.
“Rasti më emblematik është rasti i zgjatjes së afatit të ligjit për investimet strategjike që i hapi rrugën disa oligarkëve, disa klientëve të qeverisë e deri tek anëtarëve të qeverisë dhe familjarëve të tyre”, u shpreh Zef Preçi, duke iu referuar vendimeve të dhëna pas zgjatjes së afatit.
Sipas Preçit, ligji është problematik për faktin se favorizon një grusht njerëzish të afërt me qeverinë, ndërkohë që nuk sjell impakt për interesin publik dhe ekonominë e vendit.
“Në tërë këtë proces të rregullimeve ligjore viktima mbetet interesi publik, dhe kur flasim për interesin publik fjala është për të maksimizuar të ardhurat në buxhetin e shtetit për të respektuar masterpalnet për degë edhe sektor të caktuar për të harmonizuar zhvillimin e e ekonomisë”, shton Preçi.
Investimet strategjike në brigjet e detit Jon shihen me skpeticizëm dhe me kritika dhe nga ekspertët e mjedisit. Eksperti i mjedisit dhe ambientalisti Simo Ribaj sjell në vëmendje investimin strategjik më të madh në jug “Green Coast”, i cili u miratua me procedurë të përshpejtuar. Kompleksi po ndërton qindra vila luksoze që zënë mbi 500 mijë metra katrorë sipërfaqe në kodrat e Palsës, që dikur ishin të gjelbra.
“Green Coast kanë gjetur emër shumë të bukur, kur thua green, gjelbërim, por ndërkohë aty asgjë s’ka green, aty ka vetëm beton”, shprehet ambientalisti dhe ekpserti Simo Ribaj
Simo Ribaj, ekspert mjedisor dhe ambientalist
Ai shprehet se ndërhyrja që ka bërë projekti “Green Coast” në natyrë ka shkatërruar peizazhin dhe shton se të gjitha këto investime nuk e kanë në vëmendje mjedisin.
Banorët dhe ekspertët shprehen njëzëri se janë pro zhvillimit, por duket se kundërshtitë i kanë mbi mënyrat e zhvillimit. Për Simo Ribajn investimet që po ndodhin aktualisht, e kanë lënë jashtë vëmendjes ndikimin në mjedis.
“Shqipëria duhet të zhvillohet të rinjtë duhet të punësohen këtu, resurset duhet të përdoren nga shqiptarët, pro problemi madhor është mungesa e vëmendjes për ndikimin në mjedis”, shprehet Ribaj.
Një tjetër problematikë e këtij ligji mbetet shpronësimi. Sipas ligjit për investimet strategjike, lejohet shpronësimi i pronës private dhe nëse investitori nuk ka arritur në një marrëveshje me pronarin e tokës, atëherë shteti ka të drejtë të ndërhyjë.
Shteti ndërhyn me të njëjtën procedurë që ndiqet për shpronësimin për interes publik.
Sipas raport-monitorimit të Qëndresës Qytetare qeveria thotë se nuk ka pasur raste ku shteti të këtë ndërhyrë për shpronësim, pasi investitorët kanë gjetur konsensus me pronarët për pronat ku zhvillohet investimi.
“Por megjithëse ky nen i ligjit nuk është vënë ende në zbatim, ai është qartazi një formë presioni ndaj pronarëve”, thotë raporti.
Ridvan Hajdini është kryeplaku i fshatit të Borshit prej dy mandatesh. Duke parë se çfarë ka ndodhur me brigjet e Palasës, Dhërmiut dhe Jalës, ai i trembet të ardhmes së Borshit.
Ridva Hajdini, kryeplak i Borshit
“Siç u bë andej do bëhet dhe këtej, se s’kemi ku vejmë se jemi bijë të këtij fshati, mos kemi as të drejtë të vëmë një çadër që të lahemi vet, se jo të gjithë janë të pasur se shteti ndaj është për të mbrojtur shtresat në nevojë jo ai që ka para se ai e mbron vet veten po ai që s’ka ku të vejë?”, shprehet ai.
Kastriot Hajdini punon gjatë sezonit turistik në Borsh dhe prej vitesh e njeh zonën. Ai ka shqetësim kryesor problemet me pronën të lindura nga ligji 7501 por njëkohësisht është i shqetësuar për atë që po i ndodh bregdetit. Sipas Kastriotit ligji 7051 është përdorur si katalizator për investitorët në mënyrë që ti blejnë tokat e fshatarëve më lehtë.
“Deri tani në vendin tonë për çështjen e pronave janë vrarë mbi 10 mijë vetë, ndërkohë që mbahet në fuqi një ligj që nuk ka funksionuar në të gjithë territorin e Shqipërisë. Unë ta thash unë pronën time nuk e fal, unë i them burgut hapu dhe pronat e mia të blera me flori unë s’i fal. Borshiotët këtu edhe sot që flasim janë në minorancë, kanë ardhur shumë të huaj, duke blerë toka, e gjëra me lloj lloj suportesh”, shprehet Hajdini për Citizens Channel.
Kastrioti nuk e fsheh frikën nga betonizimi i bregdetit. Fakti që pronarët aktual të tokave bujqësore nuk kanë lidhje me vendin thotë ai, është më e lehtë për ta për ta shitur tokën. Sakaq ai shprehet se Borshi ka nevojë për investime të qëndrueshme dhe jo të betonizohet.
Ndërsa kryeplaku Ridvan Hajdini shpreson që e ardhmja e Borshit të jetë ndryshe.
“Unë jam kundër betonzimit vet si person mirëpo këtu në Borsh akoma gjendja është mirë tani për tani nuk e dimë më pas se ç’do ndodhë atë nuk flasim dot, unë jam kundër. Ne duhet të bëjmë me të vërtet investime cilësore në radhë të parë me gjelbërimin, se ai e mban, të ruajmë dhe traditën”, thotë Ridvani.
Një tjetër problematikë e shfaqur sa i përket shpronësimeve është ligji “Për Përfundimin e Proceseve Kalimtare të Pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas këtij ligji toka bujqësore e shpërndarë më parë me ligjin 7501 dhe për të cilën fshatarët kanë aplikuar për ta regjistruar nën pronësi, duhet të plotësojë disa kushte për t’u regjistruar, mes të cilave, kjo tokë “nuk duhet të jetë e zënë nga ndërtimet pa leje” si dhe “nuk duhet të jetë objekt i investimeve strategjike”.
Ligji “Për menaxhimin e integruar të zonave bregdetare” gjithashtu krijon problematika sa i përket shpronësimit. Sipas këtij ligji shteti ka të drejtën e parablerjes së tokës dhe detyron që zhvillimi i saj mund të bëhet vetëm me kontrata PPP ose si investim strategjik.
Për Preçin, qeveria shqiptare gjatë këtyre tre mandatave ka marrë hapa të rrezikshëm mes raportit publik-privat.
“Shpronësimet në bregdet apo tek zona 5 maj, ku shteti gjoja në emër të interesit publik shpronëson dhe ato ja jep një klienti të saj ka kurrfarë bilanci dhe analize”, shton ai.
Sipas tij këto janë tregues të rritjes së fuqisë së oligarkisë në vendimmarrjen e qeverisë.
“Janë cenim i drejtpërdrejtë i bazave kushtetuese si respektimi i pronës private”, thotë ai.
Marrë nga Citizens Channel