Garo: Raporti i BE për Shqipërinë, drejtësi me probleme, korrupsion në të gjitha fushat, përfshirë fushatat zgjedhore

Deklaratë e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Floriana Garo

Drejtësi me probleme, presion i qeverisë mbi gjyqësorin, AMA e kontrolluar nga pushteti dhe korrupsion në të gjitha fushat, përfshirë edhe në fushata zgjedhore. Këto janë disa nga shumë përfundimet e raportit të BE për Shqipërinë ku hija e zezë e qeverisë nxihet edhe më tej.

Reforma në drejtësi nuk i ka zgjidhur problemet e drejtësisë, thekson raporti i Bashkimit Europian në kapitullin për shtetin e së drejtës. Edhe pse ruan gjuhën zakonisht të drunjtë të institucioneve ndërkombëtare, raporti cek shumë problematika që Partia Demokratike i trajton përditë dhe bien ndesh me propagandën qeveritare.

Nuk bëhet fjalë vetëm për një drejtësi të dobët përballë sistemit, por edhe mungesën e gjyqtarëve dhe vendet bosh mbetur nga spastrimet e vetingut. BE shqetësohet edhe për mungesën e transparencës për lëvizjet dhe emërimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe, veçanërisht kohën e gjatë që merr një vendim në gjykatat shqiptare dhe çështjet e mbartura.

Raporti e vë theksin edhe te ‘tentativat për ndërhyrje dhe presion mbi sistemin gjyqësor nga zyrtarë publikë apo politikanë’. Në këtë pikë duhet dalluar një fakt thelbësor: I vetmi politikan i pa prekur apo hetuar në Shqipëri është Edi Rama dhe njerëzit më të afërt të tij. Ndërkohë ‘drejtësia e re’ ka nën hetim krerët e tri partive kryesore opozitare, duke filluar me kryetarin e arrestuar të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili mbahet i izoluar pa akuzë prej 7 muajsh.

Raporti cek edhe korrupsionin ‘e përhapur në shumë fusha, duke përfshirë edhe fushatat zgjedhore’ duke ringritur kështu alarmin e opozitës për zgjedhje të manipuluara.

Nuk kalojnë pa u ‘ndëshkuar’ as ndryshimet në Ligjin për Komisionet Hetimore, të kritikuara sipas BE, për kufizimin e rolit mbikëqyrës të parlamentit. Sipas raportit Parlamenti ka dështuar të respektojë disa nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Një goditje në raport marrin edhe institucionet, në letër të pavarura, por që shërbejnë si antena të qeverisë, AMA dhe Televizioni publik, duke u përmendur shqetësimet e ngritura në lidhje me pavarësinë e autoritetit rregullator audio-vizual. Po ashtu BE vëren se nuk ka një shpërndarje të drejtë të reklamave shtetërore dhe të burimeve të tjera shtetërore.

Partia Demokratike e përshëndet raportin e BE, edhe pse mendon se gjendja e Shqipërisë aktualisht, dhe prospektet e saj, janë në rrugë të kundërt me integrimin dhe vlerat europiane.

Edi Rama dhe demokracia e tij iliberale përbën një rrezik për Shqipërinë dhe zvogëlon shanset e saj të integrimit.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Është koha për sulm, t’u dëshmojmë partnerëve tanë se shqiptari i ndershëm nuk ka humbur kurrë besimin tek vota

Lideri i opozitës, Sali Berisha deklaroi se tashmë është koha për sulm, t’u dëshmojmë partnerëve …